Mamaja e 18-vjeçarit Albi Luka i cili u gjet i vdekur në brendësi të ambienteve të burgut të “Shën Kollit” disa ditë më parë, vijon të akuzojë drejtorin e këtij burgu për vrasjen e të birit dhe që po mban të fshehtë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje.
Ndërsa tregoi se të birin e gjeti me të çara në kokë e me shenja të shumta në trup, ajo shprehet se nuk e di pse ishte katandisur në atë gjendje i biri.
“E pyetëm mjekun se pse e ka këtë të çarë në kokë djali e na thanë “kemi bërë autopsinë”. Çfarë është kjo autopsi në kokë? Po shenjat në trup?”, – pyet e ëma në emisionin e Evisa Lulos.
Nga skeda e vdekjes përcaktohet “vdekje e menjëhershme nga shkaqe të panjohura”.
Ndërkohë, lidhur me këtë ngjarje të rëndë ka reaguar dhe Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Miklovan Kopani. Ai pohoi se për rastin në fjalë disponon autopsinë, ku thuhet se viktima ka shenja në kokë dhe stomak. “Më vjen keq por e kam të pamundur. Informacioni që disponoj zyrtar është se nga autopsia ka shenja në kokë dhe stomak. Të lutem të vlerësoni dhe mbi bazën e nivelit kulturor të personave që e kthejnë në problem këtë rast. Të falënderoj”, shkruhet në përgjigjen e Kopanit.