LSI shton kushtet për Ramën: Edhe presidenti duhet konsensual dhe i pranueshëm nga të gjithë

1
275

Pas listës së kushteve që Ilir Meta shpalli dy ditë më parë në emër të kryesisë së LSI-së, për pjesëmarrjen e saj në zgjedhje, një prej figurave të saj kryesore, ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, ka prekur sot edhe çështjen e presidentit të ri. Ai ka zbuluar se forca e tij politike edhe për këtë çështje, do të këmbëngul për konsensus me të gjitha palët.

Gjatë një vizite në Korçë duke folur me mediat për zhvillimet e fundit të aktualitetit politik, ai ka nënvizuar se është kohë që të gjendet një gjuhë e përbashkët mes të gjitha forcave politike për ta kthyer situatën politike në normalitet, shkruan syri.net.

“Presidenti i ri duhet të jetë i pranuar nga të gjithë, një figurë konsensuale. Duhet të gjendet gjuha e përbashkët mes palëve, që ti hapet rrugë reformave dhe jetës normale politike”, ka thënë Panariti pasi është pyetur për këtë çështje, që pritet te diskutohet në ditët në vijim.

Gjithashtu sipas disa burimeve pranë kreut të LSI-së,  mësohet se mënyra e zgjedhjes së presidentit të ri është diskutuar dhe në takimin mes Edi Ramës dhe Ilir Metës mëngjesin e sotëm në kryesinë e kuvendit. Pritet që kuvendi të fus në rend të ditës, edhe kalendarin për zgjedhjen e Presidentit, çka mund të sjell dhe debat në mbledhjen e byrosë. Gjithashtu Panariti duke  folur edhe për koalicionet e mundshme zgjedhore, ka deklaruar se LSI është shprehur qartazi që do të pozicionohet majtas.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here