Zoti, e vërteta dhe pafundësia

0
467

Vetmia nuk duhet të “durohet”, por ajo duhet të jetohet në mënyrë të plotë si një dhuratë që na ndihmon të jemi më afër së Vërtetës. Zoti, në të vërtetë, është Një. Dhe duke qenë Një është përkryeshmërisht vetëm. Për të imituar Zotin Një është e rëndësishme që përvoja e vetmisë të përjetohet si dhuratë e thellë  e njësimit me Njëshin. Nga ana tjetër, në fund të të gjitha përvojave më të vërteta të jetës mbetet një vetmi që na vë kundruall vetes sonë pra së Vërtetës. Për më tepër, askushs nuk mund të hyjë deri në fund në vendime e në gjendje që janë e duhet të mbeten të fshehura në vete. Kështu, larg nga të qënit mallkim, çdo vetmi (edhe ajo që ne e kërkojmë vetë) mund të jetë një rast i mirë për të kultivuar pjesën tonë më fisnike. Pra nuk mund të mënjanohet një ftesë e tillë, shkruan standard.al.

 

Përballë Pafundësisë

Frika nga e Vërteta shkaktohet nga tmerri përballë pafundësisë (heshtje e përjetshme, hapësira të pamatshme). I gjendur përballë së pakufishmes, njeriu pushtohet nga  një ndjenjë marramendjeje, i përfshirë nga një realitet i paanë që e mbështjell. “Kur vërej jetën time të shkurtër tek gëlltitet nga përjetësia  që e paraprin dhe e ndjek, hapësira e vogël që pushtoj e edhe ajo që shoh tek humbet në infinitin e paanë të hapësirave që nuk i njoh e që nuk më njohin, tmerrohem dhe mahnitem duke parë veten më shumë këtu sesa atje, sepse jam sot më shumë se atëherë. Kush më ka vendosur këtu? Si pasojë e urdhërit dhe e veprës së kujt janë destinuar për mua ky vend dhe kjo kohë?” (Blaise Pascal, Fragmente, 68).

 

Përditshmëria e besimit

Besimi nuk ka nevojë për gjeste të bujshme dhe veprime fenomenale për t’u mbajtur: ushqehet vetëm me qëndrueshmëri në historinë e çdo dite. Shpesh, përpjekja për ta vënë në provë përmes manifestimsh të dukshme, në vend të përunjësisë dhe durimit të mundimeve të përditshme- mundësisht edhe duke e fshehur nga sytë e shumicës-, është përpjekje e fuqishme djallëzore.

Nuk ka lidhje vazhdimësie mes besimit dhe veprave e mes veprave dhe shenjtërisë. Besimi është gjithmonë miratimi i së Vërtetës. Jo besim se do të ndodhë diçka e veçantë, por besim në Mirësinë që ndodh ngahera. Hebrejtë përdornin termin “dabar” për të treguar Fjalën e Zotit, e cila mandej besohej. Dabar është fjalë, por do të thotë edhe veprim, ngjarje, histori; në të vërtetë, fjala e Zotit vepron- dhe shndërrohet në ngjarje që skalitet në histori- pikërisht në çastin kur shqiptohet: thuhet se është fjalë efikase. Nëpërmjet fjalës (dabar) qe bërë qielli, toka dhe gjithëçfarë ajo përmban.  Çdo premtim (= fjalë) e Zotit përmbushet.

Shpesh besimi më i madh- le të hamendësojmë se mund të bëhet një vlerësim sasior- është ai që vepron veç në vetvete, besim i zhveshur dhe i shpërfaqur ndaj çdo rreziku, njerëzor e hyjnor, i qëndrueshëm në synimin për t’u kredhur në thellësitë humnerore të së Vërtetës.

 

Oqean i Pafundëm

Shpesh e Vërteta është përkufizuar si një det i pafundëm, si një oqean i thellë në të cilin mbyten mendimet tona, ankthet tona, jeta jonë, qënia jonë. Një varg i poetit Xhelaludin Rumiu, duke ia autorësuar këto fjalë Zotit, Të Dashurit: “Në oqeanin tim ti je një pikë: përse vijon të flasësh ende? Mbytu në mua, dhe shpirti guackë të bëhet mbushur me perla!”. Augustin Guillerand shkruan: “Oqean i pafundëm, fundi i të cilit hapet sa më shumë që bën përpara,  gjerësia e të cilit shtrihet pa fund. Lavdia jonë dhe hareja jonë është të kemi një Atë që na bën të kapërcejmë pafundësinë. Ne gëzojmë kështu për atë që nuk do të kuptojmë; ne ekzaltohemi që nuk kuptojmë. Për një krijesë, të shohë Zotin është të shohë që Ai është më i madh se gjithçka, se ajo që krijesa sheh është Ai, është me të vërtetë Ai, është me të vërtetë Qënia që është e që dhuron. Krijesa sheh se Ai është, krijesa sheh se Ai dhuron; por askush nuk sheh gjithë çfarë Ai është e dhuron. Ai është në një gjendje thjeshtësie të pakonceptueshme, unike, që i kapërcen të gjitha fjalët tona e të gjitha idetë tona; përpara Tij ne vetëm duhet të mbetemi në adhurim dhe të heshtim…”.mnvr.org/standard.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here