DETAJE/ Policia: 35-vjeçari i ekzekutuar me 15 plumba, me precedentë kriminalë

0
187

Policia e Vlorës ka dhënë disa detaje në lidhje me viktimën që humbi jetën për shkak të një atentati me armë zjarri mbrëmjen e kaluar në Vlorë.

 

 

Sipas uniformave blu, Elidon Mehmeti njihej nga policia shqiptare si person me precedent kriminalë, i përfshirë në fushën e narkotikëve.

Gjithashtu, nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas është arrestuar në shtetin italian për “Trafikim të Lëndëve Narkotike”.

35-vjeçari u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mbrëmjen e djeshme në qytetin e Vlorës, rreth orës 23:00, në rrethrrotullimin e Skelës.

Ai u ekzekutua brenda makinës së tij tip “Ford”, me targa AA 709 HM, teksa po lëvizte në drejtim të banesës së tij. Atentati është bërë nga persona ende të paidentifikuar, të cilët qëlluan me armë zjarri nga një tjetër makinë.

Dyshohet se Mehmeti është ndjekur nga autori dhe është qëlluar në një moment kur makina, për shkak edhe të punimeve që po bëhen në zonë, ka qenë në limitet e shpejtësisë.

Pasi ka ikur për rreth 50 metra me makinën ndezur, mjeti është ndalur dhe 35­-vjeçari ka tentuar të dalë për të kërkuar ndihmë.

Breshëria ka terrorizuar banorët e paktë që janë gjendur afër vendit të ngjarjes në ato momente.

Kalimtarët janë afruar për ta ndihmuar ndërsa autoambulanca, e cila ka mbërritur në një kohë të shpejtë, e ka shoqëruar në spital. Deri në këto momente, Policia ka shoqëruar 8 persona me të cilët po punohet për zbardhjen e ngjarjes.

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes dhe për arrestimin e autorëve.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here