Zërat se LSI mund të tërhiqet sot pasdite nga të gjitha postet qeverisëse, duke përfshirë edhe atë të kryetarit të Kuvendit, menjëherë pas votimit të Vettingut në seancën e jashtëzakonshme në parlament, sa vijnë e shtohen.
Por nëse ndodh kjo, atëherë rrezikon që ajo të kalojë edhe në hapa më ekstrem, që do ta bllokonin krejtësisht planin e Ramës, për të zhvilluar zgjedhje edhe pa opozitën. Në kuadër të kësaj LSI, pas tërheqjes nga qeveria, mund të bëjë të njëjtën gjë, edhe me KQZ-në.
Nëse kjo forcë politike vendos që të bojkotojë zgjedhjet dhe tërheq anëtarin e vet nga KQZ dhe të njëjtën gjë bën edhe opozita, shtrohet çështja se çfarë do të ndodhë më pas dhe a mundet, që ky institucion të vazhdojë të funksionojë?
Kësaj dileme i janë përgjigjur mbrëmë në “Top Story”, ekspertët e njohur ligjor, Çlirim Gjata dhe Kristaq Kume.
“Nëse tërhiqen katër anëtarë nga KQZ, atëherë nuk ka më asnjë KQZ. Nëse nuk janë katër anëtarë, KQZ nuk mblidhet dot se nuk ka kuorum”, ka deklaruar ish kryetari i KQZ, Çlirim Gjata.
Kristaq Kume e sheh këtë lëvizje të mundshme të LSI-së, si një instrument të sigurt për të mos marrë pjesë në zgjedhje.
“Nëse LSI vendos që të mos marrë pjesë në zgjedhje, ky është instrumenti i sigurt”, u shpreh ai.