Ligji i mbetjeve rikthehet në Kuvend. A po e provokon Rama, Ilir Metën?

0
237

Partia Socialiste po nxiton që të kalojë brenda kësaj jave disa ligje të bllokuara, pa nisur zyrtarisht fushata elektorale. Kështu në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të kësaj partie, Gramoz Ruçi i ka njoftuar deputetët që në seancën e ditës së Enjte pritet të votohet edhe ligji aq shumë i kontestuar edhe nga aleati kryesor në qeverisje, LSI, ai për importin e mbetjeve.

“Ditën e enjte kemi po ashtu një seancë të ngjeshur. Do të kemi dhe një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve dhe dua që disa ligje të rëndësishme t’i fusim në kalendar për t’i miratuar brenda këtij sesioni. E kam fjalën për ligjin e përpunimi të mbetjeve të ngurta në Vlorë e po ashtu dhe për importimin e mbetjeve”, ka porositur Ruçi deputetët socialist.

Ky plan i Ramës për të kaluar tani në moment të fundit një ligj që ka gjetur kundërshti mbarëpopullore bëhet në një situatë mjaft të acaruar me LSI-në, me rastin e mënyrës se si do të hyjë vendi në zgjedhje. Nuk dihet nëse kjo tentativë për ligjin e mbetjeve bëhet në dakortësi me deputetët e LSI-së, forcë kjo që deri më tani ka shfaqur rezerva të forta për këtë çështje. Më shumë se kaq, kjo nismë e deklaruar nga Ruçi duket si një provokim ndaj LSI-së.

Duket hapur që kryeministri Rama kërkon që të përfitojë nga gjendja politike në vend, kur vëmendja e publikut është e përqendruar tek kriza politike dhe zgjidhja e saj, për të kaluar ligjin më të përfolur dhe më të kundërshtuar të qeverisjes së tij.

Ky vendimi i shumicës socialiste përveçse i bën karshillëk opinionit të gjerë dhe shoqatave ambientaliste, bëhet edhe më shqetësues pasi rishqyrtimi i këtij ligjit në këtë periudhë mund të përbëjë edhe shkelje ligjore, shkruan syri.net.

Ligji për importin e mbetjeve u miratua në Kuvend më 22 shtator 2016, por ai nuk u dekretua nga Presidenti Nishani, i cili e riktheu në Kuvend më 14 tetor 2016. Që nga ajo ditë, Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin ka shkelur të gjitha procedurat dhe afatet e parashikuara në Rregulloren e Kuvendit për ridiskutimin e dekretit.

Sipas nenit 86 të Rregullores, kur Presidenti kthen një ligj në Kuvend, Kryetari i Kuvendit e kalon menjëherë atë për shqyrtim në komisionin përgjegjës që e ka shqyrtuar fillimisht dhe ky i fundit duhet të kthejë përgjigje brenda 8 javëve. Por kjo nuk ka ndodhur. Presidenti e ktheu ligjin në Kuvend më 14 tetor të vitit 2016 dhe afati prej 8 javësh tashmë ka kaluar.

Shkelja e nenit 86 të Rregullores së Kuvendit është shkelje e proceduriale dhe thelbësore e Kushtutës. Sepse neni 86 është i lidhur me nenet 76, 81, 82, 83, 84, 85, 86 të Kushtetutës. Kjo do të thotë se ligji i kthyer nuk mund të miratohet duke rrëzuar dekretin e Kuvendit, por duke u futur në Kuvend si një projektligj i ri.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here