Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgon në gjyq Denis Zakën me akuzën “vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. I riu akuzohet se në gusht të vitit 2016 vrau kushëririn e tij gjatë kthimit nga Greqia për në Shqipëri dhe më pas trupin e tij e groposi.
Sipas Prokurorisë, më datën 07.08.2016 është paraqitur në sektorin e Hetimit të Krimeve të Rënda shtetasi Mersin Murrizi, i cili ka kallëzuar se djali i tij, Vladimir Murrizi, është vrarë në Greqi, duke sjellë edhe si dëshmitar shtetasin Denis Zaka, kushëririn e parë të tij me të cilin ka qenë bashkë në Greqi”.
Lidhur me këtë kallëzim Policia e Fierit kreu veprimet procedurale si: pyetja e katër personave që kanë dijeni për veprën penale, këqyrjen e telefonave, tabulateve, SMS-ve dhe rrjeteve sociale, me të cilët kishte komunikime.
Nga kryerja e veprimeve procedurale, bluve të këtij qyteti u lindën dyshime të bazuara se ishin para një krimi, vrasjeje dhe se i dyshuar ishte shtetasi Denis Zaka, kushëriri i parë i tij.
“U intervistua shtetasi Denis Zaka, i cili kishte shumë kontradikta në thënie që nuk përputheshin me tabulatet telefonike. I vendosur para provave kontradiktore për ato që kishte deklaruar, pranoi se ai e kishte kryer vrasjen e kushëririt të tij, shtetasit Vladimir Murrizi, duke dhënë shpjegime të hollësishme për motivin, mjetin me të cilin kishte realizuar vrasjen dhe vendin ku e kishte fshehur kufomën në Greqi”, kanë bërë me dije burimet nga hetimit.
Të dhënat iu përcollën menjëherë autoriteteve policore greke, të cilat nga ana e tyre shkuan në vendin e ngjarjes dhe gjetën kufomën e groposur. Për këtë arsye, në datën 08.08.2016 u bë ndalimi i shtetasit Denis Zaka, 26 vjeç, lindur në Lushnjë dhe banues në lagjen nr.15, Durrës.
Më pas, dosja i kaloi Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila më 11 gusht 2016 kërkoi caktimin e masës arrest me burg për autorin e dyshuar të vrasjes.
Gjatë daljes së parë para gjykatës, Denis Zaka ka shpjeguar se krimin e ka kryer nën efektin e alkoolit, kur ishte konfliktuar me kushëririn e tij, Vladimir Murrizi, pasi ky i fundit i kishte cilësuar bashkëshorten si të pamoralshme.
“Kam qenë nën efektin e alkoolit kur ka ndodhur ngjarja. U kërkoj shumë falje familjarëve të mi dhe të Vladimirit, por nuk e kam kryer me vetëdije. Ka ndodhur pas një zënke tonën kur Vladimiri më ka sharë bashkëshorten. Nuk e durova dot dhe filluam të ziheshim. Atë që bëra e kuptova vetëm kur pashë gjak dhe Vladimirin që nuk po reagonte më”, ka dëshmuar 26-vjeçari në gjykatë. Denis Zaka ka pranuar se kufomën e ka groposur në afërsi të fshatit ku ai punonte si çoban, që ishte punësuar nga një familje greke.
“Kur pashë që Vladimiri nuk po reagonte më, atëherë erdha në vete. Në një moment nuk dija se ç’të bëja, më kapi edhe paniku. T’i tregoja ndokujt se ç’kisha bërë, kisha frikë se mos arrestohesha. Vendosa që trupin e kushëririt ta varrosja vetë afër një përroi në zonën ku unë punoja”, ka thënë i riu që punonte në Greqi bashkë me viktimën.