Ish-kryeministri Sali Berisha duke mbajtur fjalën e tij të përjavshme në ‘çadrën e lirisë’ është shprehur se protesta e opozitës është njësoj si ajo e vitit 1990, kur shqiptarët u ngritën kundër klikës komuniste.
Por ndryshimi i vetëm sot, sipas Berishës është se protesta e tanishme bëhet kundër pallateve të krimit dhe drogës.
Pjesë nga fjala e ish-kryeministrit Sali Berisha:
Sot, ulur këtu në këtë çadër, me miqtë e mi, më erdhi në mendje viti ’90. Më erdhi në mendje kur këto ishin paratë e krimit, pallatet e krimit, ne ishim në rrugë, luftonim, përpiqeshim për Shqipërinë tjetër, për Shqipërinë e votës së lirë.
Sot, dua ta themi haptas: Përsëri kemi dy botë: kemi ata që me sakrifica të jashtëzakonshme po e mbajnë këtë shesh për vete dhe të ardhmen e tyre, kurse përballë përsëri pallatet e krimit, drogës, dhunimit të votës.
Edi Rama këto kohë që i braktisi totalisht nga shqiptarët ka dalë me moton: Shqipëria e karriges sime! Shqipëria e karriges sime!
Ajo që ai shkruan prapa shpinës së tij Shqipëria që duam” nuk është veçse “Shqipëria që do ai”.
Para se t’u thotë shqiptarëve mirëmëngjesi, u thotë një gënjeshtër!
Kudo që shkon mashtron dhe vetëm mashtron!
Dhe ka inauguruar një vepër që e ka inauguruar tre vjet më parë Ilir Meta. Desh të inauguronte dhe tunelin e Elbasanit.
Premtoi 300 mijë vende pune! Mashtron shqiptarët, ju thotë se kam krijuar 200 mijë vende pune. Banka Botërore thotë se të gjitha vendet e Ballkanit sëbashku kanë krijuar 250 mijë vende pune. Për Ramën nuk ka rëndësi sa vende pune janë krijuar po mashtrimi dhe kujton se shqiptarët e besojnë.
Edi Rama premtoi autostrada, korridore, korridorin Blu, korridorin veri-jug, po asnjë km nuk bëri. Shqipëria që ndërtohet është Shqipëria e punës, e transparencës.
Ne luftojmë për Shqipërinë e botës së lirë kurse ai për Shqipërinë e karriges së tij. Ai, për karrigen e tij, krimin e ka nder, e ka lavdi, e ka shtyllë kryesore të pushtetit. Se me krimin ai emëron rektorët, ai vjedh kasafortat top-sekret të shtetit, fut tmerr e lemeri njerëzve të pambrojtur. Kurse ne duam Shqipërinë e botës së lirë.
Jemi bindur se kjo është rruga për Shqipërinë evropiane.
Edi Rama do Shqipërinë e drogës, se ajo është e karriges së tij. Ne e dimë se droga është para, por dimë se edhe është krim, shkatërrim, se pasojat e saj janë katastrofave për nj komb, ndaj ne qëndrojmë palëkundur në Shqipërinë e votës së lirë. Ne nuk bëjmë kurrë kompromis me drogës.
Ju mund të pyesni: A ikën Edi Rama? Jua them unë ju këtu: Edi Rama më parë vret veten sesa ikën!
Për të dëgjuar zërin tonë, ai e nuk e dëgjon zërin tonë. Por ju garantoj se ne do ta bëjmë që ta dëgjojë zërin tonë. Unë e garantoj se do ta dëgjojë. Por më mirë ta dëgjojë me kohë sesa atëherë kur t’ia këpusë vetes në të dy anët ose në njërin tëmth!
E thashë më mirë vret veten sesa ikën!
Vota e lirë për ju është kushti i të gjithë kushteve për Shqipërinë evropiane, për Shqipërinë e stabilitetit.
Vota e lirë është kushti i të gjitha kushteve për prosperitetin dhe zhvillimin dhe të ardhmen e Shqipërisë.