Rihapet çështja penale për vdekjen e bashkëshortes së portierit të Partizanit, Alban Hoxha. Inspektorati i Këshillit të Lartë të Drejtësisë ka urdhëruar hapjen e hetimit disiplinor për gjyqtarin Altin Abdiu, i cili gjykoi çështjen e vdekjes së Doriana Hakës, bashkëshortes së Alban Hoxhës, për të cilën u shpallën fajtor për mjekim të pakujdesshëm, kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba, por që u dënuan vetëm me 4 milion lekë të vjetra gjobë.
Inspektorati është vënë në lëvizje pas ankimimit të këtij vendimi nga i ati të ndjerës, Enver Haka, i cili me dy shkresa të ndryshme ka kërkuar verifikim të këtij vendimi nga ana e Presidentit të Republikës dhe Ministrisë së Drejtësisë. Në këto shkresa i ati i Dorianës ngre pretendimin se vendimi ndaj të pandehurve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të dënuar për kryerjen e veprës penale “Mjekim i pakujdesshëm”, nuk i përgjigjet pasojës së ardhur. Për këtë arsye ai kërkon nga institucionet përgjegjëse që të marrin në shqyrtim rastin në fjalë dhe të vlerësojnë procedurën dhe masën e dënimit që gjyqtari Abdiu ka dhënë ndaj dy të akuzuarve.
Pasi ka marrë në administrim dy kërkesat e Enver Hakës dhe dokumentacionin që ai dispononte rreth kësaj çështje, Inspektorati ka kryer verifikimin paraprak mbi arsyet që e çuan gjyqtarin Altin Abdiu në këtë masë vendimi dhe për arsyet e tjera që çuan atë në tjetërsimin e vendimit të parë me një dënim me gjobë. Siç bëhet e ditur në urdhrin për nisjen e hetimit disiplinor, Inspektorati ka vënë re shkelje të rënda të kryera nga gjyqtari në fjalë, ndaj dhe kërkon që ato të verifikohen nga ekspertët duke i ballafaquar ato edhe me konkluzionet e nxjerra nga Prokuroria, dokumentacionet shtesë, por edhe me dëshmitë e provat që duhet të merren nga personat që kanë dijeni për këtë gjykim. “Nga shqyrtimi fillestar i ankesës dhe dokumenteve të bashkëlidhura u konstatua se informacioni i paraqitur nga ankuesi është i mjaftueshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Të dhënat e ankesës përmbajnë fakte dhe rrethana nga të cilat konstatohet se ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer. Inspektorati çmon se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me vendimin penal nr.4073 datë 21.12.2016. Analiza e të gjitha fakteve dhe rrethanave të verifikuara nga Inspektorati konfirmojnë dyshimet se shkelja disiplinore mund të jetë kryer nga gjyqtari Altin Abdiu”, – thuhet në vendimin e Inspektoratit të KLD-së. Ndaj nisur nga këto konstatime Inspektorati ka ngarkuar dy nga inspektorët e vet, që të nisin hetimin e plotë të kësaj dosje dhe të marrin në pyetje gjyqtarin Altin Abdiu, sekretaren e seancës gjyqësore, kryetarin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe të gjithë personat e tjerë që kanë dijeni për çështjen. Hetimi ka nisur zyrtarisht gjatë ditës së sotme dhe do të shtrihet në harkun kohor të një muaji, ndërsa inspektorët do të marrin në dorëzim edhe dosjen e plotë që gjendet në Gjykatë për rastin në fjalë. “Për efekt hetimi të evidentohet çdo e dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit apo të dhëna për vlerësimin e saj profesional. Për këtë qëllim të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtari, sekretarja gjyqësore, kryetari i gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit”, – shprehet më tej Inspektorja e Përgjithshme e KLD-së, Marsida Xhaferllari në urdhrin e saj. Mjekët Elona Burda dhe Petrit Rexhepi janë gjetur fajtorë nga Gjykata e Tiranës për mjekim të pakujdesshëm të 25 vjeçares Doriana Hakës, çka solli edhe vdekjen e saj më 19 nëntor të 2014, pas lindjes së djalit. Por pavarësisht pasojës shumë të rëndë që solli kjo vepër penale, gjyqtari Altin Abdiu gjykoi dhe vendosi që ti dënojë dy mjekët e mësipërm me vetëm 4 milionë lek të vjetra gjobë.
Vendimi i plotë i Inspektoriatit të KLD-së
Në mbështetje të nenit 123 të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe priokurorëve në Repuiblikën e Shqipërisë”, në lidhje me ankesat Nr. Prot 551, datë 26.01.2017 dhe Nr. Prot: 775 datë 30.01.2017 ndaj veprimtarisë gjyqësore të gjyqtarit Altin Abdiu të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Inspektoriati çmon se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit.
Duke ju falënderuar për mirëkuptimin, bashkëlidhur gjeni kopje të vendimit të fillimit të hetimit disiplinor.
Kryeinspektore
Marsida Xhaferllari
Vendim
“Për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”
Në mbështetje të ankesave Nr. Prot 551, datë 26.01.2017 dhe Nr. Prot: 775 datë 30.01.2017 të shtetasit Enver Haka përcjellë nga Ministria e Drejtësisë dhe Institucioni i Presidentit dhe relacionit të datës 24.02.2017, për shqyrtimin fillestar të ankesës dhe në zbatim të nenit 123 dhe neneve 160-168 të ligjit Nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë, ligjit Nr.8811 datë 17.05.2001 “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë,
Konstatoj
Ankesat Nr. Prot 551, datë 26.01.2017 dhe Nr. Prot: 775 datë 30.01.2017 e ankuesit Enver Haka, përcjellë nga Ministria e Drejtësisë me shkresën nr. E-10/1 protokoll, datë 24.01.2017 ngre pretendimin ndaj veprimtarisë së gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. E njëjta ankesë është përcjellë edhe nga institucioni i Presidentit me shkresën nr 2/E prot, datë 26.01.2017, protokolluar me tonën nr. 775 prot, datë 30.01.2017.
Nga shqyrtimi fillestar i kryer rezultoi se ankuesi ngre pretendime që lidhen me vendimin penal nr.4073 datë 21.12.2016 të gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë në gjykimin e çështjes penale ndaj të pandehurve Elona Burba dhe Petrit Rexhepi, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Mjekim i pakujdesshëm”, parashikuar në nenin 66/1 të Kodit Penal ankuesi ngre pretendime në lidhje me vendimmarrjen e gjykatës, duke shfaqur pretendime se dënimi i dhënë nuk i përgjigjet pasojës së ardhur. Në këtë rast çmohet se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor për shkelje nga ana e gjyqtarit, referuar nenit 140 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë. Inspektorati vlerëson se duhet hetuar nëse nga ana e magjistratit është respektuar ligji material qoftë për sa i përket llojit dhe masës së dënimit kryesor ashtu edhe lidhur me kushtet e aplikimin e nenit 39 të Kodit Penal mbi dënimin plotësues. Në kryerjen e këtij hetimi disiplinor do të mbahet në konsideratë edhe vendimmarrja e gjykatave më të larta, pasi pretendimi objekt hetimi lidhet me vendimmarrjen e gjykatës dhe si e tillë në arritjen e një konkluzioni të saktë në këtë hetim administrativ një rol të rëndësishëm luan edhe kontrolli gjyqësor.
Shkeljet e pretenduara kanë ndodhur në vitin 2016, pra brenda afatit të parashkrimit për hetimet disiplinore siç parashikohet në nenin 117 të ligjit nr 96/2016. Ankesa përmbush të gjitha kriteret ligjore të parashikuara nga neni 120 i ligjit për statusin dhe vlerësohet si e pranueshme.
Nga shqyrtimi fillestar i ankesës dhe dokumenteve të bashkëlidhura u konstatua se informacioni i paraqitur nga ankuesi është i mjaftueshëm për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Të dhënat e ankesës përmbajnë fakte dhe rrethana nga të cilat konstatohet se ka dyshime të arsyeshme se shkelja mund të jetë kryer. Inspektorati çmon se ka vend për fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me vendimin penal nr.4073 datë 21.12.2016.
Analiza e të gjitha fakteve dhe rrethanave të verifikuara nga Inspektorati konfirmojnë dyshimet se shkelja disiplinore mund të jetë kryer nga gjyqtari Altin Abdiu.
Për këto arsye
Në Mbështetje të nenit 121/2/c, 123, 174/6 të ligjit 96/2016, si dhe në nenin 24/1/a të Rregullores “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”
Vendos:
Fillimin e hetimit disiplinor ndaj gjyqtarit Altin Abdiu i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë lidhur me vendimin penal nr.4073 datë 21.12.2016.
Hetimi Disiplinor të kryehet nga Inspektorët Marsela Pepi dhe Piro Samara.
Për qëllime të hetimit disiplinor, inspektorët Marsela Pepi dhe Piro Samara duhet të shkojnë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë më datë 20 prill 2017 për mbledhjen e provave të duhura.
Për efekt hetimi të evidentohet çdo e dhënë që lidhet me përmbajtjen e ankesës, si dhe të dhënat që tregojnë shkelje me pasojë përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarit apo të dhëna për vlerësimin e saj profesional. Për këtë qëllim të merren kopje të akteve që dokumentojnë rezultatet e hetimit, si dhe të merren shpjegime nga gjyqtari, sekretarja gjyqësore, kryetari i gjykatës, si dhe çdo subjekt tjetër që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.
Inpekstorët ti bëjnë me gjyqtarit Altin Abdiu të gjitha të drejtat që ai gëzon përgjatë hetimit disiplinor në përputhje me nenin 129 të ligjit nr 96/2016, si dhe të drejtën për të dorëzuar parashtresa dhe dokumente mbështetëse brenda 3 javëve nga marrja e njoftimit për këtë vendim.
Ngarkohen inspektorët Marsela Pepi dhe Piro Samara të përfundojnë hetimin disiplinor dhe të hartojnë raportin përfundimtar brenda 1 muaj nga hyrja në fuqi e këtij vendimi. Raporti i hetimit të nënshkruhet nga të dy inspektorët që janë ngarkuar me hetimin disiplinor. Arsyetimi i raportit të hetimit të bëhet nga inspektorja Marsela Pepi.
Një kopje e vendimi ti njoftohet ankuesit Enver Haka, Institucionit të Presidentit, Ministrisë së Drejtësisë, si dhe gjyqtarit Altin Abdiu duke i treguar edhe të drejtën për të dorëzuar parashtresat dhe dokumentat mbështetëse, brenda tre javëve nga marrja e njoftimit për këtë vendim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë
(BalkanWeb)