Në takimin me kryeprokurorin e Përgjithshëm, ministri i Drejtësisë, Petrit Vasili ka premtuar mbështetjen e plotë të qeverisë në luftën kundër trafikimit të lëndëve narkotike, për të cilën nuk do tetë asnjë kursim.
“Qeveria duhet të jetë e pakursyer për fondet që vë në dispozicion për hetimin e trafikut të lëndëve narkotike. Duhet ashpërsuar politika penale për grupet e strukturuara kriminale që trafikojnë kanabis”, tha Vasili. Ndër të tjera, ministri i Drejtësisë, kritikoi prokurorët për nxjerrjen e sekretit hetimor të dosjeve të rëndësishme kriminale.
Vasili tha se në momentin kur dosja bëhet “pronë” e publikut e vërteta deformohet dhe nuk bind askënd në gjykatë duke bërë që të akuzuarit t’i shpëtojnë dënimit. “Me rëndësi mbetet ruajtja e sekretit hetimor. Sekreti hetimor s’mund të jetë pronë e publikut dhe as një kuriozi tjetër që mund ta përdorë atë për të gjithë qëllimet. Është kycci i suksesit pasi kudo ku ky sekret hetimor cenohet cilësia e hetimit bie shumë. Dhe kur elementët e hetimit bëhen pronë e publikut, ato i largohen shumë të vërtetës, të deformohet e devijohet vërteta në proces dhe pastaj të kemi një dosje hetimore e cila në gjykatë pastaj nuk bind askënd. Dhe kjo bën që ata të cilët do të donim t’i shikonim të dënuar, t’i shpëtojnë dënimit”, u shpreh Vasili.