Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, mori pjesë në një takim me të rinjtë e LRI-së në Njësinë administrative 8 në Tiranë. Të pranishëm ishin edhe kryetarja e LRI-së, Floida Kërpaçi, deputetja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj, Kryetari i LSI-së Tiranë, Endrit Braimllari, etj.
Në fjalën e tij gjatë takimit, Meta e vuri theksin te vëmendja që i duhet kushtuar arsimit të të rinjve dhe veçanërisht të formimit profesional bë funksion të krijimit të vendeve të punës të mirëpaguara për të përballuar siç duhet kostot e jetesës.
“Është koha për t’i kushtuar një vëmendje më të përshtatshme edukimit më cilësor të të rinjve tanë dhe të fëmijëve tanë, në mënyrë të veçantë formimit të tyre profesional. Sepse është e domosdoshme për të rritur aftësitë e tyre në mënyrë që të gjejnë vende pune më të mirëpaguara. Për këtë kërkohet edhe një investim më i mençur dhe më cilësor i qeverisë dhe i shoqërisë sa i takon dijeve, arsimit profesional”, tha Kryetari i LSI-së, ndërsa u shpreh se fokusi kryesor duhet të përqendrohet te çështje, që ndihmojnë të rinjtë e të rejat, moshën e tretë dhe familjet e thjeshta që të jetojnë më mirë.
“Na duhet më shumë paqe sociale në shoqërinë tonë, na duhet më shumë paqe sociale në familjet tona, prandaj na duhet mesazhi pozitiv dhe i bashkëpunimit që jep LSI-ja”, – deklaroi ndër të tjera Kryetari i LSI-së, z. Ilir Meta.
Ndërsa, kryetari i LSI-së Tiranë, Endrit Braimllari, tha se të rinjtë duhet t’i shërbejnë vendit me pasion për ta ndërtuar të ardhmen këtu në Shqipëri.
“Ne duam t’i shërbejmë vendit, ne duam t’i shërbejmë vendit me pasion me dëshirë sepse kemi vendosur të jetojmë në këtë vend. Dhe kemi besimin maksimal se ky vend bëhet nëse ka vullnet pozitiv për t’i shërbyer vendit”, – u shpreh Braimllari.