Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka folur për negociata e mbrëmjes së djeshme. Sipas tij, Edi Rama dorëzoi gjithçka, vetëm që të shpëtonte karrigen e tij.
“Edi Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë ministrat e tij, kreun e KQZ-së, zyrtarë në polici dhe drejtori, por nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij”, tha Basha gjatë fjalës së tij në ‘çadrën e lirisë’.
“Kështu funksionon pazari i qelbur dhe duan të fusin edhe Lulzim Bashën në këtë Pazar që të bëjë pazarin tonë politik dhe të braktisë ëndrrën e shqiptarëve për një republikë të re.
Kjo është ëndrra e një nate vere e Edi Ramës dhe Ilir Metës, që nuk do të bëhet kurrë realitet.
PD dhe unë dhe aleatët tanë jemi të vendosur të qëndrojmë fuqimisht krah për krah qytetarëve të këtij vendi deri në plotësimin e plotë dhe total të kërkesave që populli ka shtruar për zgjidhje”, u shpreh kreu i PD-së.
Basha tregoi edhe një detaj të negociatave.
“Nuk kemi kërkuar pushtet në tavolinë, por qeveri teknike me ministra teknikë. Nuk kemi qenë përjashtues, përkundrazi, kemi propozuar që emri i kryeministrit teknik të vijë nga partia më e madhe e shumicës, sigurisht me miratimin e opozitës.
Por Edi Rama refuzon të ndahet nga karrigia e tij. Edi Rama thotë se për 4 javë do të bëjë dekriminalizimin që nuk e bëri për 4 vjet; do të zhdukë drogën që e mbolli në 4 vjet. Në 4 vjet nuk tha asnjë fjalë kundër drogës”, u shpreh Basha.
Kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh se “nuk e do qeverinë teknike, se me qeverinë teknike marrin fund koncesionet korruptive dhe marrin fund shtyllat e pushtetit kryeministror të Edi Ramës”.
“Për të njëjtat arsye kemi thënë dhe do ta themi derisa të bëhet realitet se zgjedhje pa largimin e Edi Ramës nuk ka dhe nuk do të ketë.
Nuk ka e nuk do të ketë votime monopartiake me PS dhe bishtat e PS sido që të quhen sot nuk do të ketë votime monopartiake.
Sot dëgjuam një propozim nga Beni për mocion … Duke e marrë të mirëqenë që do të ketë të njëjtin mendim deri në darkë, se e ndryshon që nga mëngjesi, dua të shpjegoj se pse nuk funksion: Ne kërkojmë një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Ne nuk duam përjashtimin e PS-së nga kjo.
Ne duam mbështetje të gjerë zgjidhje të gjerë jo përjashtuese. Ne nuk duam ti pararendim gjykimit qytetar, duam që ata të votojnë të lirë dhe të pagjykuar.
Koha për ta zgjidhur këtë me dialog po shkon drejt mbarimit – theksoi Basha. – Më mirë vonë se kurrë. Çdo reflektim është i mirëpritur, por duke nisur nga sot, kjo lëvizje popullore është gati të shtrihet në të gjithë vendin përmes akteve të mosbindjes civile që do të shpalosen njeri pas tjetrit.
Votime pa opozitën nuk do të ketë!
Zgjedhje të diktuara nga krimi nuk do të ketë!
Javën e ardhshme nis bashkimi i armatave paqesore nga jugu në veri dhe fushëbeteja jonë e parë dhe fitorja e parë e popullit të bashkuar kundër zgjedhjeve fasadë është Kavaja.
Protestues të lirisë, qytetarë dhe qytetarë, të reja dhe të rinj! Le të nisim bashkimin me marshimin e javës që vjen qytet më qytet më qytet këtu në Tiranë dhe në Kavajë për t’i treguar botës se ky qytet ka zot qytetarët e tij dhe jo krimin dhe drogën!
Të gjithë bashkë në një bashkim më të madh se ai i 18 shkurtit dhe do të fitojmë betejën tonë pa krim, pa drogë deri në fitoren e kauzës së drejtë popullore!
Zoti e bekoftë, Mirditën, Kurbinin, Lezhën!