Pak ditë pas atentatit të ndodhur në vendin e quajtur “Mbikalimi i Sukthit”, ku u ekzekutuan me breshëri kallashnikovi ish-efektivi Ervin Dalipaj dhe 27-vjeçari Juxhin Dauti, policia dhe prokuroria e Durrësit kanë zbardhur detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë. Burime nga grupi hetimor dje bënë me dije se nga hetimet e bëra ka rezultuar se kohët e fundit i riu Dauti strehohej në një hotel luksoz, në qytetin bregdetar.
Mësohet se 27-vjeçari, i cili është akuzuar për një vrasje në Vlorë në vitin 2012 dhe që më pas është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit dilte gjithnjë i shoqëruar nga dy automjete. Sipas hetuesve të çështjes, për shkak të hasmërive që kishte, Juxhin Dauti prej kohësh shoqërohej me eskortë. Fakti që ditën e atentatit dy viktimat kanë lëvizur të pambrojtur ka intriguar grupin hetimor. Marrja në pyetje e familjarëve të Juxhin Dautit pritet të hedhë dritë mbi personat që e ruanin atë dhe 38-vjeçarin Dalipaj.
Gjithashtu, nga marrja në pyetje e të afërmve pritet të merret informacion se përse ditën e ngjarjes ata lëvizën pa eskortë, duke rënë në pritën vdekjeprurëse të atentatorëve. Ndërkaq, mësohet se prokuroi i çështjes së ekzekutimit mafioz, Drini Pali, u ka dërguar një sërë bizneseve në rrugën dytësore Maminas-Shijak-Durrës kërkesën për të dhënë pamjet filmike të kamerave të sigurisë në këtë segment rrugor./GSH