Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar pas publikimit të listave të kanditatëve të LSI për deputet në të gjithë vendin, për zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit.
Përmes një postimi në rrjetin social “Twitter”, Manjani thotë debati mbi listat është i kotë, pasi votuesit në Shqipëri nuk zgjedhin, por votojnë partinë.
Ndaj ai i bën apel opozitës që t’i bashkohet zgjedhjeve të 18 qershorit.
“Është i kotë gjithë debati mbi listat. Votuesit nuk zgjedhin, thjesht votojnë partinë!Ndaj që të mos votohet vetëm një parti, duhet opozita!”, shkruan Manjani.
Kujtojmë se një ditë më parë, Manjani refuzoi propozimin e Kryesisë së LSI-së për të futur emrin e tij në listën e kandidatëve për deputetë të kësaj partie.
Me anë të një postimi në “Twitter”, Manjani ka refuzuar indirekt propozimin për të qenë pjesë e listës, që sipas tij është jo për deputet. Ai theksoi se i është mirënjohës LSI.
“Jam propozuar për listë e jo për deputet! LSI vijoj t’i jem mirënjohës, por politika bëhet edhe si qytetar i lirë! Këtë kam bërë gjithmonë!”, citohet në mesazhin e Manjanit. Ky i fundit është përfshirë në listë, por ende nuk është përcaktuar qartë se ku do të kandidonte për deputet.
Pas kësaj, ai ka marrë një përgjigje edhe nga vetë Ilir Meta.
“Unë nuk komunikoj me statuse, aq më tepër me anëtarë të Kryesisë, secili merr vendimin e tij. Ai ka qenë në listë, nuk ka pranuar të jetë më është e drejtë e itj, është i respektuar në zgjedhjen e tij. Falenderoj Luan Ramën dhe kolegë të tjerë që e përqafojnë me bindje sloganin tonë”, iu përgjigj Meta pyetjes së gazetarëve në një konferencë për mediat ditën e djeshme.