Ironia e vendimarrjeve/ Ministria bën  monument kulture vendin ku u shkollua Fishta,  ndërsa shtëpia e tij gjendet e rrënuar!

0
394

 

Së shpejti, Kuvendi i Troshanit ku u shkollua dhe më vonë shërbeu At Gjergj Fishta, do të marrë statusin e monumentit të kulturës. Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Nëpërmjet një statusi në facebook, Kumbaro tha se merita është e Dom-Nike Ukgjini falë bashkëpunimit me të cilin morëm rrugën drejt Fishtës. Pikërisht aty ku lindur një nga shkrimtarët e mëdhenj të gjysmës së parë të shekullit XX shqiptar, pikërisht aty ku shtëpia e lindjes nuk ekziston më dhe ku Kisha ka ngritur një memorial të thjeshtë deri në madhështi. “Unë jam shumë dakord me Dom Nikën që Kuvendi i Troshanit është vendi ideal për të nderuar jo vetëm Gjergj Fishtën, atje ku ai jetoi, u shkollua dhe shërbeu, por për përjetësuar nderimin për të gjitha këto mendje të ndritura jo vetëm për katolicizmin shqiptar por edhe për kulturën dhe letrat shqipe. Me këtë rast do shmanget kakofonia e padija e krijuar në mënyrë artificiale dhe amatore , ndërsa ne si autoritete kulturore do ndjehemi më kryelartë përballë detyrimit të pashlyeshëm për nderimin e figurave të Kombit, sepse krahas “Qendrës Muzeale Ndre Mjeda” do t’i shtohej kulturës shqiptare edhe një Qendër e rëndësishme me figura të merituara nga bota françeskane”, është shprehur Kumbaro.

Shtëpia e Gjergj Fishtës në prag shembje

Por a vazhdon të jetë dhe kjo fasada e radhës së Ministrisë së Kulturës? Është ironike se si kjo ministri vendosi që pikërisht këto ditë pas 4 vitesh të kujtohet për klerikun e madh, ndërkohë që shtëpia se ku ai ka jetuar dhe ka shkruar veprat më të rëndësishme si “Lahuta e Malcisë” është e rrënuar, e pabanuar dhe nuk është vënë dorë për ta restuaruar këtë monument kulture. Sigurisht nuk duhet mohuar fakti që Kuvend i Troshanit ka rëndësinë e vet dhe sigurisht që e meriton të shpallet Monument Kulture.

Por a do të ketë të njëjtin fat ky monument si monumenti tjetër që është shtëpia e Gjergj Fishtës? Shtëpia ku jetoi për disa vjet At Gjergj Fishta, e shpallur që në vitin 2008 monument kulture, rrezikon të shembet. Edhe pse kanë ekzistuar tre projekte për ta restauruar këtë të fundit, asnjë prej tyre nuk është zbatuar dhe nuk dihen se si shkoi fati i këtyre projekteve… Mbase kjo të kujton një tjetër show qeveritar sidomos në këtë periudhë fushate.  Por përveç kësaj gjatë gjithë kësaj kohe Gjergj Fishta është harruar gjithmonë nga institucionet kulturore. 145-vjetori i lindjes së poetit dhe klerikut të njohur At Gjergj Fishta ka kaluar në heshtje. Asnjë veprimtari përkujtimore apo aktivitet artistik nuk u organizua në fshatin e tij të lindjes dhe as në qytetin e Lezhës në nderim të kësaj figure emblematike të kombit shqiptar. Për ironi, krahas harresës së poetit edhe banesa ku ka jetuar ai është rrënuar dhe po shkon drejt shkatërrimit të plotë. Kjo shtëpi është tani në prag rrënimi të plotë. Pa dyer e dritare, me fragmente muresh të rënë e të plasaritur, me çati të shkatërruar. Kulla dykatëshe ofron në pamjen e saj ballore një imazh  të mjerueshëm. Një derë e kalbur ku duken ende gjurmët e bojës së shpërlarë, një e gjelbër e vakët e shuar, në krah të saj pllakati që na njofton se pikërisht kjo është shtëpia ku lindi At Gjergj Fishta, poeti  që shkroi të famshmen “Lahutë të malcisë”. Mbase ky fragment muri rrëzohet brenda vitit. S’do të jetë asgjë më shumë, veçse një lajm i zakonshëm në rradhën e gjatë të lajmeve për shkatërrime në trashëgiminë tonë kulturore, derisa asnjë gjurmë të mos mbetet edhe nga kjo shtëpi ku lindi një prej mendjeve më të ndritura shqiptare.

Kuvendi i Troshanit

Kuvendi i Troshanit ndodhet jo larg fshatit Fishtë, aty ku etërit françeskanë në vitin 1639 erdhën në shkrepat e këtij fshati të Zadrimës duke ngritur një Kishë dhe një shtëpi të të varfërve. Më vonë, etërit françeskanë ishin ulur në vendin e tanishëm, ku me ndihmën e Austro-Hungarisë ndërtuan Kishën dhe Kuvendin në vitin 1857. Në vitin 1880, u dha leja e hapjes së kolegjit (shkollës) në ketë Kuvend që u inaugurua më 14 prill 1882. nga misionarët: At Mariano Pizzochini prej Palmanova, (Udine) dhe At Gian Pierro Ferrari, prej Bergamo. Sot Kuvendi i Troshanit si një vend historik në vete, është i restauruar dhe i sistemuar me shumë kujdes nga Provinca françeskane shqiptare. Ka ambiente të brendshme të bollshme dhe shumë të përshtatshme për krijimin e një muzeu përkujtimor për të gjitha këto koka të ndritura françeskane shqiptare. Kuvendi për rreth e qark ka një hapësirë magjepse dhe atraktive rrëzë vargmaleve të Troshanit. Ka një infrastrukturë të re e solide. Në këtë hapësirë, thënë ndryshe, mund të zhvillohej lirshëm një turizëm i suksesshëm kulturor vendas dhe i huaj.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here