Vetëm një jave na ndajnë nga zgjedhjet presidenciale franceze dhe Kandidati i qendrës franceze 39-vjeçari Emmanuel Macron kërkon nga Bashkimi Europian që të reformohet, përndryshe do të përballet me Frexit, një term ky përdoret vazhdimisht për mundësinë e daljes se Francës nga familja Europiane.
Këto komente, Macron i bëri teksa ai dhe rivalja e tij e ekstremit të djathtë Marine Le Pen kanë hyrë në javën e fundit të fushatës për zgjedhjet presidenciale.
“Jam një pro europian, dhe e kam mbrojtur atë në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë fushatës sepse besoj fort se unioni ka shumë rëndësi për vendin tonë. Por në të njëjtën kohë, duhet të përballemi me situatën, te dëgjojmë të gjithë njerëzit dhe të kuptojmë faktin se ata janë të zemëruar, dhe mosfunksionimi i Bashkimit Europian nuk mund të durohet. Ndaj e kam marrë në konsideratë se që në ditën e parë të punës time si president, do të punoj për të reformuar projektin e përbashkët europian”, tha ai.
Macron theksoi se “nëse do të lejonte Bashkimin Europian të funksiononte në këtë mënyrë, do të ishte një tradhti, dhe unë nuk do ta bëj këtë sepse më pas mund të kemi Frexit apo sërish Frontin Nacional të Marine Le Pen”.
Kjo e fundit ka premtuar se nëse fiton zgjedhjet do të zhvillojë një referendum për daljen e Francës nga Bashkimi Europian. Le Pen ka gjetur mbështetje në zonat rurale dhe në ish-zonat e industrializuara, duke premtuar rimarrjen e kontrollit të kufijve të Francës nga Bashkimi Europian.