Kandidatja për presidente në Francë, Marine Le Pen, është akuzuar për plagjiaturë, teksa ka shkëputur pjesë nga fjalimi i kandidatit tjetër që u mund në raundin e parë të zgjedhjeve, François Fillon. Disa pjesë të fjalimit që mbajti Le Pen në Vilpënt, në veri të Parisit, rezultojnë të jenë fjalë për fjalë si fjalimi i Fillon më 15 prill.
Lajmi u bë i ditur nga një media franceze të cilës ia kishin bërë të ditur mbështetës të François Fillon.
Sakaq, menaxheri i fushatës së Le Pen, ka hedhur poshtë akuzat për plagjiaturë, duke u shprehur se ai fjalim ishte në nder të François Fillon, fjalim që u vlerësua nga mbështetësit e tij.
Le Pen do të përballet me kandidatin e qendrës, Emanuel Macron në raundin e dytë të zgjedhjeve këtë të dielë.
François Fillon ishte një ndër kandidatët favorit në zgjedhjet presidenciale nga radhët e republikanëve, por fushata e tij u shkatërrua pas akuzave për korrupsion.
Sipas sondazheve të fundit, Emanuel Macron ka gjasa të fitojë zgjedhjet e së dielës, me rreth 60% të votave. Gjatë një deklarate këtë të hënë, Macron tha se do të luftojë kundër deri në sekondë të fundit kundër Le Pen sa i përket ideve të saj për demokracinë.