Petrit Vasili, ministri i Drejtësisë dhe kryetari i zgjedhur i LSI-së, ka deklaruar lidhur me takimin Rama – Meta në Presidencë se është optimist: Besoj se do arrihet një zgjidhje, do të arrijnë një kompromis.Në një intervistë në news 24, Vasili tha:
Rama dhe Basha janë takuar në Presidencë. Si ju vjen ky takim? Çfarë mendoni se do arrihet?
Më së fundmi futemi në atë që politika ka krijuar, bashkëbisedimi. Në politikë nuk i shmangesh dot dialogut, nuk mund të ndodhë ndryshe. Politika nuk bëhet duke qëndruar nëpër llogore. Populli kërkon një qeverisje të drejtë. Mendoj se dialogu është i vonuar madje.
Rama dhe Basha, shoqërohen nga Ruçi dhe Paloka, a mendoni se do arrihet një konsensus?
Mendoj se do të jetë një negocim jo i lehtë. Kjo për faktin se ka patur replika në distancë. Dialogu është me rëndësi. Fillimi i dialogut është pozitiv. Jam optimist se do të ketë një formulë kompromisi.
Mendoni se arrihet një marrëveshje?
Marrëveshja arrihet nëse palët bëjnë lëshime. Besoj se kjo do arrihet.
A jeni të gatshëm të dilni në zgjedhje pa opozitën?
Zgjedhjet pa opozitën janë një defekt i rëndë i demokracisë. Do të thotë që sistemi është anuar në të njëjtën anë.
Pra nuk hyni pa opozitën në zgjedhje?
Ne kemi thënë që nuk i shmangemi dialogut kemi zgjedhur të jetojmë në demokraci dhe mund të gjendet zgjidhja.
Po nëse nuk gjejnë?
Besoj se do arrihet në një zgjidhje. Besoj se do ta arrijnë një kompromis.