Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Johannes Hahn, është takuar me kryetarin e ri të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferin në Bruksel me të cilin bisedoi, për rrugën e Maqedonisë për të ecur përpara. Hahn bëri thirrje për krijimin e qeverisë së re në Maqedoni, duke respektuar shumicën parlamentare dhe kushtetutën e vendit”.
Në deklaratën e zyrës së komisionerit për zgjerim thuhet:
“Komisioneri Hahn ka bërë thirrje që të ndërmerren hapat e ardhshëm në procesin e krijimit të qeverisë duke respektuar shumicën parlamentare dhe në përputhje me kushtetutën dhe parimet demokratike”.
Hahn ka ritheksuar se BE-ja dënon fort sulmet e qëllimshme ndaj deputetëve dhe gazetarëve në Parlament dhe nëse akte të tilla përsëriten, do të rrezikonte seriozisht perspektivën evropiane të vendit. Në deklaratë thuhet më tej se Hahn ka mirëpritur zgjedhjen e Talat Xhaferrit.
“Komisioneri Hahn ka mirëpritur zgjedhjen e zotit Xhaferi nga shumica e deputetëve dhe ka shprehur gatishmërinë e BE-së që të punojë me të me qëllim avancimin e agjendës së reformave të BE-së, përfshirë edhe zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës dhe Prioritetet e Reformave Urgjente. Tashmë nuk duhet ta pengojnë punën në Parlament. Të gjithë deputetët, përfshirë edhe opozitën, pritet që të luajnë një rol konstruktiv dhe jo pengues dhe të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet provokative”, thuhet në deklaratën e zyrës së komisionerit.
Gjithashtu raportohet se komisioneri Hahn i ka thënë Xhaferrit se Parlamenti duhet të jetë një forum ku do të zhvillohen debatet për sfidat serioze me të cilat përballet vendi dhe të ofrojë siguri të nevojshme për të ecur përpara në interes të të gjithë qytetarëve dhe komuniteteve.