“Tirana në rrugëtim”/ Ekspozitë me foto, fotografja franceze sjell copëza Shqipërie: Ja çfarë më bëri përshtypje

0
252

 

“Shqipëria ka një natyrë dhe peisazh të mrekullueshëm, por ajo që më ka bërë më shumë përshtypje ishtë pritja dhe ngrohtësia e njerëzve, të cilët reagonin sikur kishin kohë që më njihnin”

 

Irini Meçe

 

Është bërë dje prezantimi i punimeve të fotografes franceze Virginie Caquo në COD, e cila sjell copëza jete nga Shqipëria. Projektohen me radhë momente të jetës së përditshme në Shqipëri, në foto të ndara në disa seri tematike. Në panel, fotografja Virginie Caquot dhe koordinatori Rezart Jasa kanë ndarë me të pranishmit përvojat pas objektivit. Prezantimi i paraprin ekspozitës së titulluar “Tirana në rrugëtim”, e cila do të hapet në COD nga data 15-31 maj, me imazhe që e sjellin Shqipërinë përgjatë dy viteve të fundit. “Kjo ekspozitë vjen pas dy vitesh punë le të them, pra duke i rënë Shqipërisë rreth e përqark dhe duke kapur momente më të bukura. Por nuk ndalet këtu. Unë vazhdoj të fotografoj ende për çdo gjë që më bën përshtypje dhe që më jep diçka.”, tha Virginie Caquo për “standard”. E pyetur se çfarë i ka bërë më shumë përshtypje në Shqipëri dhe çfarë mendimi ka krijuar, ajo me një buzëqeshje në fytyrë dhe pamenduar dy herë u përgjigj se përpos natyrës, janë njerëzit. “Më ka bërë shumë përshtypje pritja e njerëzit, se si ata më kanë pritur dhe reagonin sikur kishin kohë që më njihnin. Padyshim shumë mikëpritës. Gjithashtu ngrohëtësia e tyre. Shqipëria ka edhe një natyrë dhe peisazh të mrekullueshëm. Malet dhe plazhet më kanë bërë gjithashtu përshtypje dhe më kanë pëlqyer shumë” Por me cilin vend ajo u lidh dhe do mund të veçonte? Virginie Caquot u shpreh se nuk ka ndonjë vend në veçanti pasi çdo vend kishte të veçantën e saj, por pjesa malore mbetet e preferuara e fotografes franceze.

Kur ka dëgjuar për herë të parë për Shqipërinë Virginie dhe çfarë e ngacmoi që të vinte këtu dhe të hapte një ekspozitë më foto nga jeta shqiptare?  “ Në 2015 unë kam ardhur dhe kam shkelur në Shqipëri për herë të parë, por kam dëgjur që kur kam qenë fëmijë, rreth vitit 1980 kur unë dhe familja ime ishim me pushime në Jugosllavi. Ne donim shumë që ta vizitonim Shqipërinë, por e kishim të pamundur, pasi kufinjtë ishin të mbyllur dhe nuk arritëm që të hynim për ta vizituar. Pra, që fëmijë vizita për në Shqipëri më ka ngelur si diçka pezull, e parealizuar dhe e pambaruar. Por tani që u realizua ndihem shumë e lumtur. Prezenca në Shqipëri më ndihmoi që të njihja gjithashtu edhe vendet e tjera të Ballkanit. Për një fotografe e huaj është e mrekullueshme që të njihet me personat, me natyrën, por edhe me jetën që bëjnë njerëzit e vendeve dhe të kulturave të ndryshme”, tha ajo. Shumica e fotove, rreth 90% e tyre që ajo paraqet në ekspozitën “Tirana Au Fil Des Rues”, pra “Tirana në rrugëtimn” janë bardhë e zi. “90% e fotove janë bardhë e zi sepse mendoj se jep më intesivitet fotografisë dhe më shumë gjendje. Por herëpashere bëj edhe fotografi me ngjyra, por përsëri mendoj se janë disa momente, peisazhe, por dhe persona që nuk i shoh përveç se me ngjyra bardhë e zi”, u shpreh ajo për gazetën. Mes fotografive të kapura nga fotografja franceze gjen foto të kapur në rrugicat e Gjirokastrës, Beratit, Korcës, Malit të Dajtit, por edhe nga plazhet e vendit tonë. Por përpos peisazheve, ajo sjell momente të jetës së përditshme të një banori në Shqipëri. Sipas Caquot: “Ka shumë ndjesi në situatat e reja… Prandaj duhet të dalësh, të ecësh, të ndalesh, të humbasësh, të përvetësosh hapësirën e të thithësh çdo gjë nga ajo ç’ka percepton, ajo që sheh, dëgjon dhe ndien”. Duke zgjedhur këtë qasje artistike, Shqipëria dhe qytetet e saj reflektohen pas filtrit të kulturës, identitetit dhe përvojës së fotografes.

Ekspozita e Caquot organizohet në kuadër të shkëmbimeve kulturore Francë – Shqipëri, por gjithashtu përkon edhe 150 vjetorin e fotografisë franceze. Virginie Caquot, e lindur në veri të Francës, u diplomua për Shkenca Humane. Fillimisht punoi si mësuese e më pas iu dedikua fotografisë, të cilën e praktikon prej 20 vjetësh. Pas tre viteve në Brazil (2012 – 2015), aktualisht jeton e punon në Tiranë, si fotografe e pavarur.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here