Nga Dr. Ndriçim Mehmeti
Frederiku i Madh i Prusisë, ishte një nga monarkët më të arsimuar, largpamës të shek. XVIII dhe që ndërmori një sërë reformash të rëndësishme në shtetin e tij. Në themel të përkushtimit ndaj vendit dhe përgjegjësive që kishte për ta udhëhequr, ai e kishte deklaruar veten “shërbëtorin e parë të shtetit. Edhe pas Frederikut deri në ditët tona, janë të shumtë ata që pretendojnë se janë “shërbëtor të popullit dhe jo qeveritar”, “njëri prej shtetasve që qeveris”, “ i përulen me nderim popullor”. Në jo pak raste këto mbreti shërbëtor dhe shërbëtori mbret, duket sikur ngatërrohen, qëllimisht ose thjesht nga padija e naiviteti. Në realitet janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Mbreti shërbëtor
Mbreti shërbëtor mund të duket pak ironi e përzierë më hipokrizi dhe gënjeshtër. I dalë më shumë si një nocion qeverisës dhe më pak si shprehje figurative në fundin e kohës së re dhe fillimin e kohës moderne, atë e gjen të pranishëm si model edhe sot në shumë vende. Nuk është e thënë që kjo veti të jetë gjenetike, e trashëguar, e lindur edhe kaq. Mund të jetë e kultivuar dhe pse jo edhe e imponuar nga vetë rrethanat. Sido që të jetë, ajo që mbetet është mentaliteti me të cilin drejtin vendin. Mbreti shërbëtor është i prirur të bëjë më të mirën, për shtetin dhe popullin që përfaqëson. Më parë ai mendon se më e mira është, t’i njoh hallet dhe problemet e tyre. Nuk del me vend e pa thjesht për të shtrënguar dorën, me shtetarët e tij, pasi e din mirë që punët në shërbim të tyre, vlerësohen më shumë sesa fjalët. Kërkon të dijë më shumë rreth njerëzve që e rrethojnë, këshilltarë, kancelarë, ministra oborri e qeveritarë, për sjelljet e tyre me shtetin dhe shtetasit e tij, në mënyrë që të dijë se me kë punon dhe cilit qëllimi i shërbejnë. Si i pari i vendit ai kërkon ta bëjë sa më të mirë atë, jo për veten e tij, por për ata të cilët i besojnë atij. I ndodhur në krye të shtetit si shërbëtor dhe jo si mbret, si njeri që ka detyrën ta bëj jetën më të mirë të shtetasve të vet dhe jo për të menduar për xhepin e vet, ai kujdeset të mos gabojë, por edhe kur ndodh të gaboj, është më se e pranueshme. Vendimet e rëndësishme, duhen marrë në kohë. Ndonjëherë prej nxitimit, mungesë së kohës presionit për një zgjidhje të shpejtë, vendimet nuk janë ato të duhura, por thjesht të gabuar. Në këtë rast ai përpiqet ta ndreq gabimin e tij, qoftë duke pyetur nëse ka bëtë mirë apo keq shërbëtorin e tij besnik që prej fëmijërisë, nënë, të afërmit, bashkëpunëtorëve të tij. Mbreti shërbëtor i dëgjon me shumë kujdes të gjithë përpara se të vendos dhe kjo e bën më të sigurt për atë që vulos. Ngado ta ketë origjinën dhe pikënisjen, të qeverisësh si shërbëtor i popullit tënd duhen një njeri i pajisur me vlera të larta fisnikërie dhe ndjenjë të madhe përgjegjshmërie, për atë që merr përsipër të përfaqësoj në krye të vendit në një kohë të caktuar. Natyrisht ë atij nuk i shkon ndërmend që ndonjëherë shërbëtori, qoftë ai më i miri dhe më i dituri mes atyre që e rrethojnë të bëhet mbret. Por ja që kjo ndodh, madje shpesh tani që ne kemi hyrë në atë që e quajmë koha postmoderne.
Shërbëtori mbret
Shërbëtori është parë herë si një njeri pa shumë vlerë, herë si njeriu kokëulur që dëgjon gjithçka e nuk nxjerr asnjë fjalë për t’zon e vet, e herë si një njeri me të cilin mund të këshillohesh, për shkak të inteligjencës, prakticitetit apo edhe përvojës që ai ka në jetë. Për sa kohë mendohet si e tillë dhe mbetet në këto raporte, duket se gjithçka shkon mirë, në rrjedhën e logjikshme të jetës për vendin që zë shërbëtori. Por gjërat ndryshuan shumë kur njerëzit mësuan, e kuptuan, madje e kanë parë dhe shohin shndërrimin total të shërbëtorit kur bëhet mbret. Nuk është e lehtë ta kuptosh menjëherë a ta pikasësh për së largu në kohë dhe në hapësirë këtë veprim. Shërbëtori mund të jetë i shkolluar ose, dikur gangster, i burgosur, i urtë dhe pa fjalë, llafazan dhe i pabesë. Pra mund të jetë gjithfarë llojesh. Më të rrezikshëm ndër ta, mund të konsiderohen të shkolluarit, në dukje me plot sharm e finesë. Ata fillojnë si shërbëtorë për të përfunduar mbret. Kanë zotësi të rrallë për ta bërë dhe padyshim karizëm të pakrahasueshëm me të tjerë. Ata vëzhgojnë pa pushim, marrin pjesë në ngjarjet e vendit të tyre me frekuenca të rralla, për të pritur çastin e duhur. Nuk përtojnë të vetsakrifikohen”. Janë kudo mes popullit të tyre ose i popullit në dhe të huaj. Dëgjojnë, hanë, pinë, flenë sa herë që ja ka nevoja siç e kërkon publiku. Duke njohur mirë mentalitetin e atyre që kanë përreth, përpiqen të kuptojnë sesi mund t’i sundojnë pa shumë telashe. Për të provuar aftësitë e tyre i duhet shumë pak kohë dhe një vend pune që ta demonstrojnë. Në kohën e vet Frederiku mund t’ju ofronte një treg për të menaxhuar taksat, një kështjellë, për të parë sesi shkojnë punët në zonat më ekstrem të shtetit, por qoftë edhe nëpunës i thjeshtë i thesarit. Sot në kohët moderne, ofrohet një bashki e vogël apo e madhe, diku një post të mirë në ministri, këshilltar i ndonjë institucioni me rëndësi, duke i dhënë mundësitë e arta që shërbëtori të bëhet mbret. Dale mor mik se nuk thashë se bëhet për një ditë. Duhen vite dhe këtë ai e di vetë dhe pret plot durim. Pa i duhen ca si shumë lek për të fituar zemrën e popullit, kalemxhinjve, e mbi të gjitha të siguroj miqësi të palëkundura, duke shëtitur nga një tavolinë restoranti në një tjetër. Para popullit të vet është gjithnjë i pranishëm me sharmin e njeriut prindëror, i papërtuar, i duruar, që vetëm dëgjon, por edhe shpërthen për të kuptuar të tjerët se kanë të bëjnë me një burrë të vendosur. Kështu në pamje të parë, duket se ky lloj shërbëtori, është identik me atë që dëshironte Frederiku i Madh. E vërteta që ata të cilët e kishin njohur më parë, nuk jua besonte askush apelin, se shërbëtori mbret, më shumë u vu në shërbim të vetes sesa të shtetit. Dhe arsyetimi në këtë rast është fare i thjeshtë. Ngase i ka pëlqyer më shumë vetja, mbase u lodh më shpejt seç duhet me punët e shtetit, ndoshta mendoi se meritonte më shumë se ajo që kishte fituar deri më tash, apo ngase e meriton të jetë mbreti i një vendi, ku populli i bindet pa kundërshti. Mund të jenë të gjitha dhe veç njëra nga këto arsye të renditura pak çrregullt. Por një gjë mund ta shohim me sy të lirë e ta kuptojmë me zemër të hapur: Fenomeni i shërbëtorit mbret nuk është një fantazi e lexuar në literaturën e vjetëruar të kohës, ai është më real se kurrë në jetët tona.