Vendimi në takimin Rama-Basha, në zgjedhje pa koalicione

0
188

Edi Rama dhe Lulzim Basha janë kujdesur që nga takimi prej 5 orësh në Pallatin e Kongreseve të mos dalin informacione, por vendimi se zgjedhjet do të mbahen në datën 25 Qershor, është i konfirmuar tashmë. Lapsi.al mësoi se Edi Rama dhe Lulzim Basha kanë qartësuar strategjinë që do të ketë në këto zgjedhje për bashkëpunimet parazgjedhore. Të dy bien dakort që megjithëse ndryshon data e zgjedhjeve, nuk do të ketë rihapje të afateve për koalicionet. Nëse afati për regjistrimin e partive dhe për listat e kandidatëve do të përshtatet me datën e re të zgjedhjeve, vendimi për koalicionet nuk do të preket. Lajmi i keq ky për partitë e vogla, në të majtë e në të djathtë.

SI MBETEN JASHTE KOALICIONIT LSI DHE PDIU

LSI dhe PDIU nuk u regjistruan në një koalicion me Partinë Socialiste në zgjedhje. Deri në 17 Maj, Edi Rama përbetohej se zgjedhjet so të zhvilloheshin pa opozitën.

Në këtë rast, Ilir Meta dhe Shpëtim Idrizi nuk e panë të arsyeshme të hyjnë në koalicion, as me PS, por as bashkë.

Tani që Rama ra dakort me Lulzim Bashën që zgjedhjet të shtyhen, pa dhënë mundësinë e krijimit të koalicioneve, për aleatët e Ramës në qeveri, gjërat bëhen më të vështira.

Nga ana tjetër, Ilir Meta nuk e përmbajti dot kuriozitetin për marrëveshjen, pas takimit që pati me Sali Berishën. Duke ndjerë se asgjë e mirë nuk do t’i vinte LSI-së nga misteri që përfshiu takimin Rama-Basha, Meta kërkoi që marrëveshja të bëhej publike sa më shpejt.

MARREVESHJA E BASHES ME ALEATET

Të njëjtin shqetësim e kanë edhe aleatët e Lulzim Bashës në kampin e djathtë. Një burim pranë opozitës, tha për Lapsi.al se Partia Demokratike mund të përfshijë në listat e saj të zgjedhësve disa prej kryetarëve të partive aleate, në bazë të një marrëveshjeje paraprake.

Vendimi i Bashës, për të mos lënë në baltë aleatët e tij, vjen pas rreth tre muajve në çadër. Gjatë kësaj kohe aleatët e PD në opozitë kanë deklaruar se kanë pasur oferta deri në 500 mijë euro, për të tradhtuar opozitën dhe për të dalë nga çadra.

Gjithsesi, deri tani asnjë nga aleatët e të dy palëve nuk e ka të qartë se çfarë kanë gatuar Rama dhe Basha. Por ndërsa Basha i thirri aleatët në mbledhjen e grupit parlamentar për t’i informuar mbi marrëveshjen, në Partinë Socialiste është njoftuar vetëm për një mbledhje të deputetëve.

PSE NDIKOJNE KOALICIONET NE MANDATET E PARTIVE TE VOGLA

Pasi votat janë numëruar dhe nis llogaritja e mandateve të deputetëve, sistemi rajonal proporcional që sanksionohet ne Kodin Zgjedhor, favorizon partitë e vogla me kusht që këto të jenë në koalicion.

Vota në këtë rast maksimizohet, pasi partisë së dytë në koalicion, i shtohen vota “tepricë” nga partia e parë. Shpesh kjo përkthehet në një mandat deputeti.

Por nëse partitë e vogla nuk janë pjesë e një koalicioni, llogariten vetëm votat e fituara nga sigla e saj. Pragu zgjedhor është tepër i lartë për shumicën e tyre.

Në rastin më të mirë, një parti “e vogël” mund të marrë një deputet në një qark të madh. Në rastin më të keq një parti e vogël rrezikon të mos përfaqësohet në parlament.(Lapsi.al)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here