Lëvizja Socialiste për Integrim organizoi një takim me të rinjtë e LRI-së në Tiranë, ku u prezantua Plani Për Punësimin e të Rinjve. Të pranishëm ishin Kryetari i LSI-së, z. Petrit Vasili, kandidatët për deputetë të LSI-së në qarkun Tiranë, Floida Kërpaçi, Kejdi Mehmetaj, Eriona Bixha, Adela Karapici, etj.
Në fjalën e tij në këtë takim, kryetari i LSI-së Petrit Vasili deklaroi se kryefjala e programit elektoral të LSI, është programi për punësimin e të rinjve.
“Më 25 qershor LSI-ja do të jetë forcë e parë politike, pasi themeli ynë është i mbështetur te LRI. Ne duhet patjetër t’i kthejmë një përgjigje papunësisë së të rinjve që është në masën 30 për qind”, tha Vasili gjatë takimit me të rinjtë e LRI në Tiranë.
“Dhe objektivi ynë, është përgjysmimi i menjëhershëm që në 4 vitet e para. Arsimi, jeta e të rinjve dhe e familjeve shqiptare u bë skëterrë nga kjo dhimbje e madhe e papunësisë. Një shtet e një qeveri matet me atë ç’ka bën për të rinjtë dhe nuk mund të jetë objektivi i fundit. Ne kemi si qëllim që të jemi forcë e parë, pasi kemi programin e parë për mbështetjen e të rinjve. Ne e kemi bazuar politikën tonë me atë që duam të qeverisim nesër, me sinqeritetin, fjalën e mbajtur dhe modestinë”, – u shpreh Kryetari i LSI-së, duke shtuar se synimi ynë për të qeverisur vendin, vjen nga një bazë shumë shëndetshme dhe nga një detyrim i patjetërsueshëm.
“Sepse rinia është e sinqertë dhe ne jemi të sinqertë. Ne e kemi vënë në bazën e politikës sonë atë që ne e kemi përvetësuar nga të rinjtë. Kemi përvetësuar shpejtësinë e aksionit dhe sinqeritetin. Këto të dyja e bëjnë politikën shumë më të mirë. Këto politikën e bëjnë shumë më konkrete, të prodhojë rezultate dhe nuk e bëjnë që të riciklojë pafundësisht kriza dhe dhimbje, të cilat e shtojnë brengën dhe tragjedinë e çdo familje shqiptare”, – tha z. Vasili ndër të tjera.
Fjala e plotë e Kryetarit të LSI-së, Petrit Vasili
Është absolutisht një kënaqësi e veçantë, përgjegjësi e veçantë dhe nder i veçantë që ne ndajmë së bashku këtë moment, që është një nga momentet më të rëndësishme të fushatës tonë zgjedhore, prezantimit të programit fitues të LSI-së.
Kryefjala e këtij programi është punësimi i të rinjve. Këtë ju e keni në duart tuaja. Këto nuk janë tre fletë të shkruara, por janë tre fletë në të cilën është derdhur mund, djersë dhe ku janë reflektuar me qindra histori, dhimbje, zhgënjime të të rinjve, për të cilat ne kemi bërë të pamundurën që t’u kthejmë ato përgjigje që ju të gjithë e prisni.
Përgjigja kryesore është që në çdo gjë që shkruajmë, ne japim një shans për çdo të ri.
Ky është shansi për çdo të ri, shansi që vjen nga LSI, shans që bazohet në themelin e fortë që është Lëvizja Rinore për Integrim. Dhe po mbi këtë themel, bazohet edhe objektivi të cilin kemi të gjithë në mendje dhe në zemër dhe të cilit i bëjmë një shërbim të përditshëm do t’ia bëjmë deri në ditën e fundit në 25 qershor, që të jemi forcë e parë politike në 25 qershor.
Ky, themel i yni, i bazuar, i mbështetur tek Lëvizja Rinore për Integrim, është sepse ne duhet patjetër t’i kthejmë një përgjigje të menjëhershme papunësisë së frikshme mes të rinjve.
Ne sot kemi një papunësi që është në masën 30 % dhe kjo papunësi është një thirrje e çdo të riu, por edhe e çdo familjeje shqiptare, e cila kërkon një përgjigje. Dhe kjo përgjigje u jepet të rinjve dhe u jepet të gjithë familjeve shqiptare të cilat e ndiejnë veten e tyre më të qeta, e ndiejnë veten e tyre më të lumtura dhe e ndiejnë që në familjet e tyre ka një brengë më pak.
Objektivi ynë është përgjysmimi i menjëhershëm që në 4 vitet e para. Pra një objektiv shumë i fortë, një objektiv sinjifikativ, një përgjigje e menjëhershme dhe e drejtpërdrejtë. Realizimi i këtij objektivi është përgjigja e vërtetë. Nuk është më përgjigja e rreme që politika ka dhënë gjithmonë, e cila ka folur në emër të të rinjve dhe nuk ka bërë asgjë për të punësuar të rinjtë. Është përgjigje e drejtpërdrejtë që i ka dëgjuar brengat e të rinjve, por nuk i ka shpërdoruar ato duke u dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë.
Pasi çdo brengë dhe çdo hall ka vetëm një përgjigje, zgjidhjen e saj, ndërsa tallja me të është as më shumë dhe as më pak se një krim shoqëror.
Bazuar në këtë plan të gjitha përgjigjet janë të lidhura me aspiratën e të riut, por dhe me detyrimin e madh që shteti ka, të cilin duhet ta marrë përsipër të mos i shmanget në asnjë rast, ta kthejë në përgjegjësi të tij, ta ketë dimension serioziteti dhe ta ketë masën e matjes së punës së funksionimit të tij.
Një shtet, një qeveri, matet në radhë të parë me atë çka bën për të rinjtë dhe nuk mund të jetë siç ka qenë deri tani, objektivi i fundit i të gjithë objektivat që qeveritë kanë pasur. Për ne është objektivi i parë.
Tek ne lidhen disa palë. Lidhet objektivi për të qenë forcë e parë, sepse kemi pikën e parë të programit LRI-në dhe kemi të parat në listat e Tiranës LRI-në. Pasi ne e kemi bazuar politikën tonë, atë me të cilën duam të qeverisim Shqipërinë nesër, mbi një shtyllë dhe një moral të thellë gjërash, ku në radhë të parë është sinqeriteti, në radhë të dytë fjala e mbajtur dhe në radhë të tretë dhe mbi të gjitha modestia.
Themeli ynë politik kanë qenë dhe mbeten programe të vërteta dhe realiste. Nuk kanë për të qenë kurrë themeli i yni, programe të cilat synojnë t’u hedhin hi syve, elektoratit, njerëzve të thjeshtë, t’i përdorin, të marrin votën e radhës dhe pastaj t’i kthejnë shpinën e radhës. Ne kemi bazuar themelin tonë, edhe në politikë edhe në marrëdhënie me njerëzit, me shikimin sy më sy, me uljen gju më gju, dhe me qarjen e halleve me njëri-tjetrin dhe me zgjidhjen e tij.
Synimi ynë për të qeverisur vendin vjen nga një bazë shumë e shëndetshme, nga një detyrim që ne kemi marrë dhe e kemi një detyrim madhor të patjetërsueshëm, sepse kemi marrë përsipër në dorë që fatet e të rinjve t’i ndryshojmë. Fatet e të rinjve duhet të kenë një përgjigje veçse pozitive.
Pasi politika të cilat shpikin furtuna në gotë, të cilat shpikin kriza artificiale për t’i shtuar rëndësinë vetes artificialisht, për t’u dukur më të rëndësishëm se sa janë, por njëkohësisht duke u treguar edhe më artificial se sa janë, duke prodhuar kriza, që rrënojnë ekonominë, kriza të cilat pastaj pa u kuptuar marrin disa përgjigje që askush nuk i kupton, por që nuk kanë asnjë përgjigje për qytetarët e vërtetë, këto nuk janë as politika jonë, as qasja jonë.
Sepse rinia është e sinqertë dhe ne jemi të sinqertë. Ne e kemi vënë në bazën e politikës sonë atë që ne e kemi përvetësuar nga të rinjtë. Kemi përvetësuar shpejtësinë e aksionit dhe sinqeritetin.
Këto të dyja e bëjnë politikën shumë më të mirë. Këto politikën e bëjnë shumë më konkrete, të prodhojë rezultate dhe nuk e bëjnë që të riciklojë pafundësisht kriza dhe dhimbje, të cilat e shtojnë brengën dhe tragjedinë e çdo familje shqiptare.
Ndaj edhe ato që ndodhen javën dhe muajt e fundit, rrufetë e ndërsjellta që u dukën më së fundmi që në vend të rrufeve të vërteta ishin fishekzjarre, por që dogjën shumë para të ekonomisë shqiptare, ishin provë e vetme edhe e bindjes së vetme që njerëzit krijuan përpara gjithë vetes tyre: ishte që e vetmja forcë politike, LSI-ja, u investua edhe në zgjidhjen e kësaj krize, duke dhënë gjithçka në dispozicion për të kursyer halle dhe dhimbje të panevojshme të popullit dhe halle dhe dhimbje të panevojshme ekonomisë shqiptare. Këtë e kemi bërë me bindje, këtë do ta bëjmë me bindje dhe në të ardhmen dhe ne këtë përgjegjshmëri të lartë që nuk i humbet asnjë minutë kohë njerëzve, që nuk e dëmton për asnjë minutë ekonominë dhe të ardhurat e vendit dhe financat e tij, do ta bëjmë dhe pas 25 qershorit në qeverisje të vendit, ku do t’i japim dimensionin e përgjegjshmërisë, seriozitetit dhe jo të papërgjegjshmërisë, aventurizmit, arrogancës dhe veshit të shurdhët.
Pikërisht për këto arsye ne jemi të përgatitur që më 25 qershor të jemi forcë e parë, sepse e meritojmë të jemi forcë e parë, sepse nuk kemi bërë kurrë shaka me Shqipërinë. Sepse kemi qenë të gatshëm të sakrifikojmë për Shqipërinë, kur çdo karrige pushteti ka qenë dhe mbetet një karrige në dispozicion të qytetarëve.
Nuk ka qenë thjesht dhe vetëm përmbushja e ambicies së sëmurë të individëve, ndaj edhe në krizën më të fundit vumë në dispozicion gjithçka, bëmë çdo gjë që të shkurtonim dhimbjet e qytetarëve për të krijuar klimën demokratike të nevojshme, për ta çuar vendin në zgjedhje normale, për të zhvilluar demokracinë e jo për të ricikluar një klimë të turpshme anakronike të zgjedhjeve të papara gjëkundi.
Kjo bindje e fortë e jona, do të na shoqërojë të gjithëve, kjo bindje do të na udhëheqë në çdo ditë të fushatës sonë, kjo bindje do të na udhëheqë në çdo sekondë të kësaj fushate. Kjo bindje do të na udhëheqë në çdo derë që do të trokasim, në çdo takim që do të bëjmë me njerëzit, ne do të jemi njësoj të drejtë, njësoj të sinqertë, njësoj të dhimbsur.
Politika e dhimbsur, politika që i qëndron afër qytetarit është politika jonë. Politika që i jep një shans kujtdo është politika jonë. Politika që i jep një shans çdo të riu është politika jonë, politika që i jep një shans një të varfëri për të dalë nga varfëria është politika jonë. Politika që i jep një shans një fermeri që të dalë nga varfëria dhe ta zhvillojë pronën e tij është politika është forca jonë.
Dhe të gjitha këto shanse të përbashkëta janë një shans i madh për të gjithë Shqipërinë. Por ky shans që Shqipëria pret dhe që ne jemi shumë të gatshëm që t’ia japim këtë shans më 25 qershor, bazohet mbi votën në radhë të parë të dhjetëra e dhjetëra mijëra të rinjve anembanë vendit, të cilët kanë tashmë një program konkret punësimi.
Por këta të rinjtë kanë edhe gardianët e të drejtave të tyre në Parlament si Floida, Kejdi, Eriona dhe dhjetëra të rinjve që ndodhen në listat e kandidatëve për deputetë. Të jeni të bindur që do të fryjë në atë parlament një erë e re e njerëzve me ide, e njerëzve me kurajo, që i thonë të vërtetat siç i ndjejnë. Do t’i thonë të vërtetat e tyre jo në mënyrën hipokrite siç janë thënë deri tani, do t’i thonë pa asnjë peshë të një shkuare që i rëndon mbi kurriz, por të kënaqur e të lumtur të një të shkuare të mrekullueshme që kanë këta të rinj, që është veçse e pastër. Një të shkuare që nuk ka lidhje as me dhjetëra emra të ndryshuar, e një të shkuare që nuk ka lidhje me rekorde të shëmtuara apo rekorde të turpshme, por që është e pastër dhe e kristaltë si e shkuara e këtyre të rinjve.
Ky është Parlamenti që ndërton LSI-ja, kjo do të jetë qeverisja që do të ndërtojë LSI-ja, vetëm kështu Shqipëria qeveriset dhe shkon atje ku ajo ëndërron të shkojë dhe vetëm kështu gjithë këta të rinj që janë këtu, por dhe të gjithë ata bashkëmoshatarët tuaj që na ndjekin tani do ta ndjejnë veten shumë të qetë sepse ka më në fund se kush mendon seriozisht për ta, që i do me sinqeritet ata dhe që mendojnë se si të rinjtë të qëndrojnë në atdheun tyre të shtrenjtë dhe dashur. Të mos e braktisin dhe të provojnë vetminë e hidhur të një vendi të huaj, por ta ndërtojmë këtu të gjithë së bashku dhe kështu do të jemi së bashku më 25 qershor po aq më shumë akoma dhe pas 25 qershorit.
Jam i lumtur që drejtoj partinë e të rinjve, jam i lumtur që më 25 qershor LSI do të jetë forcë e parë e padiskutueshme.