Nga ushqimet në prag skadence tek elektroshtëpiaket, si po vazhdon të krijojë të ardhura ISIS

0
188

Ndërsa po zvogëlohen burimet e të ardhurave të Shtetit Islamik me humbje të territoreve në Siri dhe Irak, prokurorët irakianë thonë se grupi ka filluar të shesë me shpejtësi çfarëdolloj mallrash që mundet.

Në një raport të fundit të Këshillit të Lartë Juridik të Irakut përmblidhen konkluzione të nxjerra nga marrjet në pyetje të anëtarëve të kapur të ISIS-it, që tregojnë se si po futen në tregun irakian produkte nga shitja e të cilave shpresohet të financohet vazhdimësia e operacioneve ushtarake.

Raporti thotë se “rrëfimet e mbledhura tregojnë se ISIS ka filluar rishtazi një mekanizëm indirekt të shitjes së mallrave furnitorëve, të cilët në vijim ua shesin tregtarëve”.

Përpara se të humbiste nga territori që kontrollon, ISIS grumbullonte miliona dollarë të ardhura nëpërmjet kontrabandës së karburantit dhe nëpërmjet zbatimit të një sistemi të ashpër taksimi në zonat që kontrollonte.

Por, pasi koalicioni i udhëhequr nga SHBA goditi çisternat e karburantit dhe infrastrukturën, Departamenti amerikan i Thesarit dhe zyrtarët irakianë thonë se të ardhurat e ISIS-it nga karburanti ranë me gati 90% nga niveli prej 80 milionë dollarësh në muaj që arriti në vitin 2015.

Dhe ndërsa ISIS po largohet nga territoret në Irak dhe Siri, grupit po i zvogëlohet edhe aftësia për të taksuar banorët. Disa raporte të fundit tregojnë se ISIS nuk po paguan më pagat për luftëtarët e tij në disa zona.

Autoritetet irakiane thonë se ISIS po hedh në treg për t’i shitur me shpejtësi produkte të lira ushqimore që janë afër skadimit.

Sipas Këshillit Juridik, “tregtarët i shesin mallrat në tregun irakian duke i paraqitur si ‘oferta speciale’ për të tërhequr klientët”.

Produktet futen në Irak nga vendet fqinje nëpërmjet një sistemi kontrabande me kamionë, të cilët patën ndihmuar në ruajtjen e funksionalitetit të ISIS-it në Mosul përpara se t’i dëbonte nga qyteti ofensiva e mbështetur nga SHBA.

Por, tregtarët thonë se mallrat e lirë të ISIS-it po shkaktojnë ulje të çmimeve dhe rënie të fitimit.

Dishad Abdullah, një tregtar irakian nga Irbili, i cili importon furnizime shtëpiake nga Kina në Irakun verior, i tha Zërit të Amerikës se tregtarët janë të alarmuar.

“Kam vënë re gjatë tre muajve të fundit se ka patur mallra në treg me çmim shumë më të ulët se niveli i zakonshëm. Njerëzit zakonisht paguajnë mbi 600 dollarë për të blerë një kondicioner, por tashmë janë shitur edhe për 120 dollarë”, thotë ai.

Ekspertët thonë se kjo dëshmon dëshpërimin financiar në rritje të ISIS-it.

Ghayath Surchi, një zëdhënës i Bashkimit Patriotik të Kurdistanit në Mosul, i tha Zërit të Amerikës se luftëtarët e ISIS-it të bllokuar në lagjet e Mosulit të vjetër, po mbijetojnë duke plaçkitur rezervat në shtëpitë që ua kanë konfiskuar banorëve.

“ISIS-i kontrollonte qendrën tregtare të Mosulit deri para një muaji dhe lejonte tregtarët e lagjes të largoheshin vetëm nëse dorëzonin mallrat e tyre”, thotë ai.

Sarhang Hamasaeed, drejtor për programet e Lindjes së Mesme në Institutin e Paqes në Uashington, thotë se ISIS është në largim dhe se do të ishte interesante nëse do të mundej të rikrijonte perandorinë financiare gjatë procesit të vetë-transformimit.

“Ndërsa ISIS po humbet territor, i ulen edhe shpenzimet, pasi nuk do t’i duhet më të harxhojë për funksione qeverisëse dhe çështje publike”, thotë zoti Hamasaeed, ndërsa shton se tashmë ISIS-i mund t’i rikthehet taktikave bazë të zhvatjes së vendasve./voa/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here