Të paktën dy pjesëtarë të dyshuar të organizatës terroriste DEASH janë vrarë në operacionin e sotëm të cilin policia turke e ka ndërmarrë në qendër të Ankarasë, raporton Anadolu Agency (AA).
Guvernatori i Ankarasë Erxhan Topaç tha se bëhet fjalë për dy persona të moshës ndërmjet 25 dhe 30 vjeç të cilët në Ankara kanë arritur nga Stambolli për kryerjen e sulmit terrorist.
Operacioni është kryer sot herët në mëngjes me ç’rast në Stamboll është arrestuar një person i tretë i cili e ka pranuar se me automjet nga Stambolli në Ankara i ka sjellë terroristët për të kryer sulmin terrorist.
Policia në Ankara ka vepruar në gjurmët e këtyre pohimeve dhe ka gjetur të dyshuarit. Terroristët kanë hapur zjarr ndaj policisë dhe pas kësaj ata janë vrarë në një shkëmbim zjarri.
Guvernatori Topaç gjithashtu tha se gjatë kontrollit të banesës ku ata gjetën të dyshuarit janë konfiskuar armë, granata dore dhe mjete shpërthyese me fuqi shkatërruese.