Nga Brikena Bogdo
Globalizëm teknologjik vs. globalizmit politik. Trendi i mbizotërimit te globalizmit teknologjik, natyrshëm do të hapë edhe debatin globalizëm, apo nacionalizëm, globalizëm, apo statizëm. Dikur, globalizmi u tentua, në mënyrë të sforcuar, në atë që u emërtua internacionalizëm. Politikisht, internacionalizmi proletar dështoi, ndërsa teknologjikisht, globalizmi po fiton terren, për të përmbysur politika, parti, ideologji, mentalitete, tendenca, emërtime, fokusime. Teknologjia po arrin ato, që nuk arriti politika, me dhunë dhe përdhunë, imponime, korrupsion, apo dhe fair-politikë. Globalizimi teknologjik po shkund themelet e qytetërimit dhe të gjitha formateve politike, deri më tash, të elaboruara. Globalizmi teknologjik, në vetvete, është forma e re, rreth së cilës do të modifikohen shumë forma dhe formacione politike.
Globalizmi po nxjerr disa tendenca të reja politike. Po spostohet aksi politik, i majtë, i djathtë. Kundërshtarët politikë kanë të tjera proritete, kryesisht midis proteksionizmit dhe liberalizmit. Kjo po shndërrohet në luftën më të madhe brenda BE-së, globalizimit vs. sovranizimit. Brexit, trembi kanncelaritë europiane, sipas të cilave, sovraniteti nuk mbrohet me politika të mbyllura, por me aftësinë për tu imponuar, në botën globale, nëpërmjet kualitetit të njohurive, teknologjisë, të të mirave, kulturës. Globalizmi, po devijon aksin politik, nga e majtë, apo e djathtë, në politika të mbyllura sovrane-iste, apo në politika të hapura globaliste. Sado të ndalen me politika shtrënguese, qarkullimi i lirë, i tregtisë, i shërbimeve, është tashmë i pandalshëm. Dhe kjo sigurisht ka sjellë reagime të shpeshta, por dhe kundër globalizimit.
A ka futur në krizë globalizmi, partitë tradicionale? Fakti që, tashmë, asnjë forcë politike në Shqipëri, por edhe në Europë nuk arrin të qeverisë e vetme, dëshmon se, asnjë forcë nuk është bindshëm, e votuar. Fakti që tashmë po lindin grosse-koalizione (qeveri me bazë të gjerë), tregon që nuk ekzistojnë më diferenca ideologjike dhe ndasi ideologjike. Aktualisht, kemi një president në Francë, i cili sapo ka formuar një parti të re, nuk ka asnjë deputet në parlament. Pra është një figurë, që nuk e mbështeti fuqinë e tij, në parti. Partitë po çngjyrosen, riemërtohen, rikonfigurohen. E kemi shumë të ngjashëm rastin, si në Itali edhe në Shqipëri, ku partitë komuniste u makiazhuan, në disa dhjetëvjecar, për tu shndërruar nëjra në PD e Renzit, tjetra në Rilindjen e Ramës.
Në këtë çngjyrosje të partive politike, më e çngjyrosura, më pa ngjyrë është pikërisht qendra, e cila, me raste, ngjyroset në blu-mavi, (qendra e djathtë), apo në kuq-rozë-lejla, (qendra e majtë). Partitë aktualisht janë pak, apo aspak ideologji. Lind kështu moria e partive, që mendojnë dhe veprojnë vetëm me intuitë, thjesht për tu orientuar në një treg të vështirë, pa ditur të thonë, pretendojnë, apo këkojnë, përveçse pushtetit ekonomik, politik, përfitimeve personale. Me falsitet dhe monotoni, liderët e vjetër, qoftë edhe të rinj (thjesht në moshë), ulurasin me terma të përhershëm, prekës, “demokraci”, “bashkëpunim”, ‘ liri”, “aleancë”, “lëvizje”, “popullore”, “alternativë e re”, “sociale”, në një fjalor të tërë hipokrizish, për ta përdorur më pas, apo për tu rishfaqur me forma të reja, emërtime të reja, por kurrsesi me përmbajtje të re, apo ide të reja.
Globalizmi teknologjik po zbeh ngjyrimet partiake, dhe do ta fusë botën në dimensine të reja. Do munden, në të ardhmen, jo të largët që të humbasin partitë këtë emërtim dhe të krijohen formacione krejt të ndryshme? Do jenë më fleksibël? A do mund të jenë më shpejt të riciklueshëm? A do jenë më efikasë? Në çfarë raporti do të rivendosen individi me ekipin, ekipi me partinë? Ky globalizëm teknologjik, a do ta përmbysë psikën, psikologjinë, mendësinë e skllavit?
Kryeministri shqiptar kërkon që të idealizojë “reformat” e tij. Ato në gjuhën globaliste mund të emërtohen deri në tentativë për vendosje rregulli. Tashmë në kohë reale komunikojmë me të gjithë botën, për të mësuar se, çfarë bota e qytetëruar europaine dhe atlantike quan “reformë”. Bota e qytetëruar përtej filozofive, “sistemi, apo individi”, reformë na tregon qarëtsisht disa mekanizma kontrolli, të thjeshta antikorrupsion. Jemi qartësuar që handicap, në Shqipëri, është korrupsioni. Ajo çka kryeministri tentoi, më së shumti, në reformën e tij, ishte thjesht format i ri, njerëz të rinj, emërtim i ri, imazhe të reja, makiazh të ri, ngjyra të reja, shkëlqim të ri. Si përfundim, kemi një reformë të dështuar. Mbase termi “e re”, në vetvete është abuziv? I vjetër është edhe formati demokratik grek, por mbetet më efikasi. Askush, më pas, nuk dëshiroi ta implementojë atë, ashtu siç e krijuan baballarët e politikës greke. Njerëzimi implementoi disa formate të reja. të cilat më pas, rezultuan diktatoriale. Paraqesin programe, që thjesht propagandohen si gjeniale, në të vërtetë nuk paraqesin asgjë të tillë, veçse një hiç. Është thjesht një përsëritje, por në forma të reja termash, “mbrojtje e mjedisit”, “hapje e vendeve të punës”, “mbrojtje e të varfërve”, “luftë kundër korrupsioni”, “trasparencë”, “paksim të shpenzimeve publike”. Këto janë termat e përzgjedhur shumë mirë nga politikanët, që tallen me popullin , cili nga ana e tij, vazhdon të ngatërrojë dukjen, me brendinë, fjalorin e padobishëm politik, me aftësinë për të patur ide dhe ndërtuar startegji reale, funksionale.
E reja, a është domosdoshmërisht më e mirë? Mos është demokracia klasike greke, një formulë e humbur e cila nuk gjendet më? Mos është si piramidat në Egjipt, të cilat ende njerëzimi nuk e di se si u ndërtuan? Megjithëse pretendojmë, se kemi ndërtuar shoqëri të reja demokratike, janë domosdoshmërisht më të mira dhe me demokraci më të zhvilluar?
Liberalizmi, socializmi, kapitalizmi, janë shndërruar në kategori politike të paafta për të zgjidhur problemet e një bote të re. Ajo çka po vihet re, rëndom, është fakti që lëvizjet a ashtuquajtura populiste nuk ofrojnë forma të reja të të qeverisurit. Kjo është alibia për mosmbarëvajtje. Sipas disa analistëve, problemi është që nuk propozohen mënyra të reja qeverisjeje, por thjesht zhvendosin kompleksitetin e problemeve, në erën e re kontemporane, sidomos të globalizmit teknologjik. Do të ketë tentative, që të vjedhin edhe konceptin “globalizëm”, si në rastin e Soros. Kështu po vidhet liria e dëshiruar dhe e tentuar në rrjete sociale. Çdo tentativë mbylljeje si në ekonomi ashtu edhe në politikë, është e barazvlerëshme me mohimin e karakterit historik, të qytetërimit. Qytetërimi është mbi nacionalitetet. Rinashimenti italian është mbi nacionalitetet. Jemi në një erë të re të Rilindjes Europiane. Me sa duket, këtë ka dashur të kopjojë kryeministri aktual, me logon e tij “Rilindje”. Në vetvete, demokracia është “inclusive”, gjithpërfshirëse, dhe nuk nënkupton ekspansion të qytetërimit të saj.