Njeriu individualist dhe “revokimi” i lidhjeve sociale…

0
314

Nga Gëzim Tushi

Padiskutim, për shkak të ndikimet të mënyrës liberale individualiste në mënyrën e jetës në shoqërinë tonë, kanë pësuar ndryshime radikale lidhjet sociale, marrëdhëniet e njerëzve në tërë organizimet e jetës shoqërore.

Ky rezultat social nuk është i papritur as i paparashikuar. Përkundrazi është zhvillim normal në përputhje me logjikën e transformimeve postmoderne të natyrës së njeriut dhe strukturave të jetës sociale. Sido që të analizojmë ndryshimet që kanë ndodhur në tipologjinë e natyrës së njeriut, duke parë transformimet e thella në strukturën e ndryshimeve aktuale, sociologjikisht dhe realisht duhet të bëjmë llogaritë e duhura për perspektivën e zhvillimit të lidhjeve sociale dhe marrëdhënieve interpersonale njerëzore në shoqërinë tonë, nuk është e vështirë të dallohet trendi i zbehjes së përshpejtuar dimensioneve të vjetra të socialitetit.
Kjo situatë duhet vlerësuar në analogji me të vërtetat e jetës, sfidat e shfaqura hapur në thelbin e ndryshuar të natyrës së njeriut, aftësitë e “ngushtuara” të socialitetit të tij, dhe jo thjesht duke u nisuar nga dëshirat subjektive apo ana dukjes formale etike se sa nga pikëpamja përmbajtjes së vërtetë sociale e substanciale. Kjo do të thotë që duhet t’i njohim dhe pranojmë të “vërtetat e reja”, qoftë edhe ato që duken të “pagëlltitshme” të realitetit të ndryshuar të lidhjeve e marrëdhënieve sociale në shoqërinë tonë.

Këtë realitet që ndryshon përditë në favor të lirisë dhe autonomisë së individit dhe në disfavor të lidhjeve e marrëdhënieve sociale të tipit tradiciaonal e arkaik të së kaluarës, duhet ta kuptojmë pse jetojmë në të dhe jemi pjesë e saj.

Është koha të kuptojmë dhe pranojmë atë që po vjen në ndryshimin e thellë të raporteve tradicionale dhe mënyrës së ndërtimit të lidhjeve sociale midis njerëzve dhe formave të ndryshuara të jetës shoqërore. Një realitet i përgjithshëm social që ka një “dinamikë të përshpejtuar” në shoqërinë shqiptare, me shumë probleme e pasoja të dukshme e të padukshme, që e ndjenë të gjithë ata që jetojnë në këtë shoqëri, që janë në gjëndje të kuptojnë të vërtetën, thelbin dhe jo dukjen në këto lidhje e marrëdhënie sociale.
Pa asnjë diskutim, në jetën e shoqërisë tonë ka njerëz që janë të tronditur nga kjo “përmbysje e madhe” e raporteve të njeriut me “Un” të madh dhe aftësi të zvogëluara të socialitetit dhe sociabilitetit, më këtë ekuacion të ri të rindërtimit të raporteve të shoqërisë dhe njeriut si “subjekt i përvecëm”. Dukuri që është në të gjitha lidhjet e njeriut me strukturat bazë të organizimit të jetës sociale në shoqërinë tonë. Me pak kujdes, nuk është vështirë të dallojmë se jeta e sotme sociale, mënyra e tipologjia e shfaqjes së natyrës individualiste të njeriut në raport me strukturat e shoqërisë, shfaqet e ndryshuar jo vetëm dukjen e gjërave të pasqyruara konkretisht në tregues të shumtë e të larmishëm të jetës empirike por dhe konceptuale e sintetike, që na bëjnë të gjithëve të na duket se koha që jetojmë gradualisht por pa kthim pas, ka sjellë terren social shumë favorizues për lulëzimin ekstrem të super individualizmit, të shoqëruar nga zgjerimi i lidhjeve individuale dhe marrëdhënieve njerëzore egocentrike.
Kjo situatë tipike e zhvillimeve postmoderne, pasojë e drejtpërdrejtë e ndikimeve të tij, tek shumë njerëz që nuk kuptojnë imperativin dhe koherencën e këtyre ndryshimeve apo përmbysjeve të raporteve të vjetra të lidhjeve njerëzore e sociale, ka sjellë një gjëndje të vërtetë të “alarmit social”. Por nuk është fjala vetëm tek ndikimet e postmodernitetit në zgjerimin e dimensionit të lidhjeve anonime të njeriut dhe efektet e zbehjes së kohezionit social. Kjo është njëra anë e problemit. Personalisht mendoj se kjo nuk është aq shumë shqetësuese në kushtet e shoqërisë shqiptare me orientim liberal dhe individualist.

Reduktimi i përmasave të supersocailitetit të vjetër kolektivist apo komunitarist, është dhe duhet konsideruar si një hap i madh përpara në rrugën e postmodernitetit social, një “kërcim” urbanizues dhe emancipues që pasqyrohet qartë dhe ka ndikime evidente në thelbin e ndryshimeve të jetës sociale dhe mënyrës të jetuarit, që po ndikojnë me “ritëm revolucionarizues” në formatimin e lidhjeve të ndryshuara individuale dhe transformimin rrënjësor të marrëdhënieve urbane e sociale në shoqërinë tonë.
Por problemi është shqetësues në një aspekt tjetër. Mënyra postmoderne e të jetuarit në shoqërinë tonë, tipologjia e ndryshuar e lidhjeve njerëzore gjithnjë e më shumë asociale, tejet të personalizuara ka filluar të japë efekte, nuk po them negative por të diskutueshme, me pasoja të qarta në një terren tjetër të lidhjeve sociale. Në këtë kontekst nuk mund të mos shqetësohemi që mënyra postmoderne e të jetuarit, dobësimi i lidhjeve e strukturave bazë të jetës sociale po bëhet terren i favorshëm, nxitës, destruktiv, me ndikime direkte apo të tërthorta në të gjitha llojet e tjera të marrëdhënieve njerëzore, të cilat kanë tendencë që të mos jenë të forta e të qëndrueshme por të dobta dhe gjithnjë e më shumë të revokueshme nga njeriu individualist, asocial e i “vetmjaftueshëm”.
Prania e grindjeve në familje për motive banale apo pronësore, egoizmi dhe zilia midis pjestarëve të së njëjtës familje, numuri i madh i divorceve dhe tendenca në rritje e tij, janë tregues më konkret dhe elokuent që dëshmojnë thellimin e kësaj tendence të jetës urbane. Por revokimi si ndjenjë josociale, shumë e përhapur e kohës së postmodernitetit shqiptar, është e dukshme edhe në mënyrë më sintetike e të përgjithësuar, kur vlerësojmë të vërtetat e reja të sikurse janë prijet e lidhjeve gjithnjë e më të dobësuara të njerëzve tanë komunitetet e tyre të origjinës, shtimi i apatisë, vetmisë, izolimit social, indiferenca e pjesëmarrjes së njerëzve në problemet e jetës urbane qytetare e publike.

Pa bërë hapa pas, pa rënë në pozitat mbivlerësimit të socialitetit banal dhe komunitarizmit ekstrem nga njëra anë, por dhe pa idolatrizuar prirjet e zbehjes dhe revokimit të nevojës dhe domosdoshmërisë së lidhjeve njerëzore, duke vlerësuar tendencat e ndikimeve të postmodernitetit aktual, duket se ai ka vënë njeriun para detyrimit për të zgjedhur, pranuar për të rindërtuar modelin e ri të jetës në një sistem personal e të personalizuar e jo aq shumë social e të socializuar vlerash. Shpesh herë kam ndeshur njerëz që duke që të “kapur” fort nga idetë super liberale e personaliste, në mënyrë të njëanshme dhe fare të gabuar, arsyetojnë se epoka postmoderne dhe mënyra e jetës është krejt e kundërt apo mohim tërësor i sistemit të vlerave sociale dhe lidhjeve njerëzore tradicionale.
Ky është perceptim semplist, nihilist dhe për pasojë i gabuar. Në se do ecim me mendimin se mënyra postmoderne e të jetuarit të “njeriut personalist” është në esencë mohim tërësor dhe matafizik i të gjithë vlerave të trashëguara, formave të lidhjeve sociale tradicionale, duke i dhënë hapësirë ekzistence dhe përparësi gati absolute, vetëm shfaqjeve të individualizmit ekstrem dhe zgjerimit të përmasave të egoizmit të kulluar, atëherë nuk na mbetet gjë veçse të fillojmë të dëshpërohemi për të ardhmen që e pret njeriun dhe shoqërinë tonë. Padyshim do të ishte naivitet sociologjik në se nuk vërejmë horizontin social dhe nuk pranojmë se në mënyrë të natyrshme, pa kthim do të zgjerohet ndikimi i faktorëve që do të nxitin më tej tendencën kaotike të mobilitetit social, zgjerimin e prirjes për veprimtari individualisht të instrumentalizuar të njeriut, duke zbehur më shumë dimensionin social, human e racional.

Në këto kushte në shoqërinë shqiptare strukturat e jetës sociale, aftësitë e njerëzve për socialitet dhe sociabilitet, si asnjëherë më parë do të dobësohen. Për pasojë nuk do pretendojmë që mes nesh të kemi atë “njeriun tipik” social e të socializuar. Kjo nga që në shoqërinë shqiptare kanë marrë intensitet të paparë veprimet asociale, sjelljet e manipuluara të njeriut në raport me shoqërinë sit ë tillë dhe me njerëzit e tjerë.
Sociologët dhe analistët janë të bindur se në të ardhmen këto tendenca sociale do të zhvillohen akoma më shumë. Madje mund të intensifikohen gjithnjë e më tej. Kjo është arsyeja pse “e ardhmja duket se premton nivele gjithnjë në rritje të narcizismit”. Rreziqet dhe të mirat që vijnë dhe që në esencë burojnë nga mënyra postmoderne e të jetuarit, janë vendosur në një “ekuacion të ri” që i ka të lidhura organikisht të dy anët e veta morale e sociale. Të mirën dhe të keqen. Sepse nga njëra anë duhet pranuar se mënyra postmoderne e të jetuarit, prania e njeriut individualist me lidhje e sjellje sociale të personalizuara, në shoqërinë shqiptare është “sinjali” për një “fazë e re” të rindërtimit të gjithë strukturave të jetës sociale, është një etapë e lartë e zhvillimit njerëzor e social, në të cilin ka më shumë kushte për ekzistencën e formave të larta të “nismës dhe përkushtimit moral të vetpërgjegjshmërisë më të madhe të njeriut”.

Por nga ana tjetër janë shtuar rreziqet për të garantuar në shoqërinë tonë modulet e jetës së përbashkët dhe kuptimin për “mirën sociale përfundimtare”. Kjo situatë që zhvillohet në shoqërinë tonë jo vetëm duhet konsideruar shqetësuese, por duhet vlerësuar me seriozitet, pasi përbën shkak për rreziqet e thellimit të rënies morale të natyrës së njeriut, zgjerimit të dimensioneve të banalitetit social, që janë bërë fenomene dominante të epokës postmoderne. Debati që duhet të bëhet në shoqërinë tonë, në shkollë, media, institucionet e artit, kulturës, fesë dhe kudo ka të bëjë me problemin që shtrohet për zgjidhje. Kjo do të thotë që të mendojmë se si duhet vepruar për të siguruar ato lidhje sociale të domosdoshme, atë “stof socialiteti” në marrëdhëniet midis njerëzve dhe shoqërisë në mënyrë që të mos prishen as lidhjet e domosdoshme sociale bazë, as kornizat funksionuese të qytetërimit tonë politik, që janë baza e patundur e zhvillimeve të mëtejshme të jetës, si realitet ekzistencialisht i pasfidueshëm. Por që të ndodhë kjo duhet të pranojmë se duam apo nuk duam këto janë situate janë të pashmangshme dhe veprojnë paradoksalisht në këtë epokë, që ka krijuar mundësinë që “mekanizmat e pashmangshmërisë” së lidhjeve dhe koordinimeve sociale të veprojnë dhe kryejnë funksionet e tyre, pikërisht mbi bazën e ekzistencës së ndarjeve individualiste midis njerëzve.
Por rruga për të gjetur zgjidhjet e mundshme të ekzistencës së tyre është sigurimi i vetëdijes së përbashkët për të mirat, rreziqet dhe “burimet morale” të epokës së qytetërimit postmodern, duke sjellë kështu një lloj mirëkuptimi të ri të përbashkët për to. Tendenca e fortë e revokimit të lidhjeve sociale e marrëdhënieve njerëzore, do të jenë pasoja me spektër shumë të gjërë të zhvillimeve në shoqërinë tonë, antidoti i të cilit nuk është as supersocialiteti, superkolektivizmi dhe dimensionet grandomane të “shoqërisë së madhe unike” të dikurshme, por rindërtimi mbi një bazë të re të gjithë gamës së lidhjeve sociale, duke filluar nga meremetimi i lidhjeve të gjakut me të afërmit tanë deri tek forcimi i marrëdhënieve të shumta civile, sociale, profesionale e komunitare që kanë sens supermodern dhe ndërtohen me “stof” qytetar e marrëdhënie të qytetëruara.

Çdo përpjekje nostalgjike apo prirjet ankimuese për realitetet e “revokimit” të lidhjeve sociale do të ishte e kotë, kundërproduktive. Sepse të jeni të bindur që në kushtet e sotme nuk funksionojnë më modulet sociale të së kaluarës. Kjo kohë ka sëmundjet e veta, por në të njëjtën kohë ka edhe diagnozat sociale duhet të na ndihmojnë për të gjetur “ilaçet” e duhura…

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here