Në komisionin hetimor parlamentar për lëvizjet në Policinë e Shtetit në periudhën shtator 2013 – janar 2014, ka dëshmuar në datën 9 prill 2014 edhe Arjan Hoxha, ish-shefi i Sektorit të Krimit ekonomik në Policinë e Tiranës dhe aktualisht i propozuar nga PD si drejtor i ri i Burgjeve, në bazë të marrëveshjes Rama-Basha.
I njohur ndryshe dhe si personi që hetoi dhe arrestoi babanë e ministrit të Brendshëm, Sajmir Tahiri, Hoxha ka pohuar aso kohe para komisionit se të gjithë ata që morën pjesë në këtë çështje janë pushuar nga puna.
Ai ka deklaruar se gjatë asaj kohe, kur Tahiri kishte shkuar në polici që të interesohej për të atin, i kishte thënë para kolegëve të vet se po të fitonte zgjedhjet e majta, atëherë ai do ta pësonte.
“Tahiri më tha para kolegëve në atë kohë: lut Zotin të mos i fitojmë ne zgjedhjet, se do ta shihni çfarë do t’ju bëjmë”, – tha Hoxha para komisionit.