Erisa Xhixho: Kush voton LSI-në, voton për rininë. Ja sa mandate do të marrim

0
212

Erisa Xhixho, e treta në listë për t’u zgjedhur deputete në Qarkun e Fierit, shprehet e bindur se në 25 qershor shqiptarët do të zgjedhin LSI-në forcë e parë. Në një intervistë për gazetën “Shekulli”, Xhixho tregon planet e saj në politikë dhe zërin që ajo do të përfaqësojë në Parlament. Për Erisa Xhixhon, Lëvizja Socialiste për Integrim do të shpallet forca e parë dhe kjo, sipas saj, vjen si kërkesë e të rinjve shqiptarë për t’u përfaqësuar. Si një zë shumë aktiv gjatë viteve të fundit në LSI, Xhixho u shpreh se forca politike që ajo përfaqëson ka një program të detajuar për punësimin e të rinjve dhe për zhvillimin ekonomik të vendit. Kandidatja për deputet na rrëfen edhe vështirësinë për të ndarë kohën për familjen dhe politikën.

Emri i Erisa Xhixhos natyrshëm lidhet me emrin e drejtueses se forumit të Lëvizjes Rinore për Integrim, por tashmë ai përmendet si një nga kandidatet kryesore të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Fierit. Çfarë do te thotë për ju ky hap i ri në karrierën tuaj politike?

Padyshim LRI-ja ishte fillimi i një politike ndryshe për mua dhe shumë themelues të saj me besim tek një or ganizatë që do i jepte shansin shumë të rinjve, ashtu si mua për të treguar vlerat njerëzore, intelektuale dhe potencialin për një politikë më sociale, më komunikuese që ishte aty çdo ditë me njerëzit dhe jo vetëm në fushatë. Ndaj ndihem krenare dhe e lumtur që sot është forumi më i madh në Shqipëri me një frymë miqësie, solidariteti si vlera më e madhe që kemi.

Sot ndihem e nderuar që kandidoj në qarkun e dytë më të madh pas Tiranës pjesë e listës fituese të qarkut Fier por gjithashtu jam më e lumtur që nga 16 kandidatë për deputetë, 6 janë nga radhët e LRI-së duke treguar vlerën që ka LRI brenda partisë me kapacitet e saj për të qenë konkurruese si brenda figurave të partisë ashtu dhe me qytetarët. Një nga gjërat themelore që më bashkon me familjet fierake është pasioni për edukimin pasi ashtu siç unë dhe familja ime kanë investuar në arsimimin tim, ashtu ka bërë dhe çdo familje fierake, çdo i ri investon tek edukimi si arma më e fuqishme për të ndryshuar të ardhmen e tij dhe vendit.

Si e shikoni sot forumin e Lëvizjes Rinore për Integrim nga pikëpamja e një themelueseje dhe drejtuese të tij për vite me radhë?

LRI përfaqëson sot shpresën se ky vend mund të bëhet nga të rinj plot ide, energji dhe pasion për vendin. Ajo tashmë ka një përgjegjësi madhore për të përfaqësuar një politikë modeste, të thjeshtë, që punon më shumë sesa flet, që është larg arrogancës dhe mllefit por që sjell energji pozitive dhe politika zhvillimi për qytetarët dhe mbi të gjitha për rininë. Sot LRI-ja është e përgatitur dhe i ka të gjitha kapacitet për të drejtuar kauzat e rinisë për arsim më cilësor dhe punësim të sigurt dhe të mirëpaguar. Jam e bindur që në Parlamentin e 2017 do flitet më shumë për politika në dobi të rinisë, për të rikthyer shpresën se në Shqipëri mund të jetohet dhe ndërtohet e ardhmja.

Pati disa zëra kritikë në media për faktin se LSI kishte përfshirë në listën e kandidatëve për deputet shumë kandidatë të rinj. A përben disavantazh për LSI-ne ky fakt? A mendoni se lista duhet të ishte e përbërë nga njerëz me më shumë eksperiencë politike?

Unë jam e lumtur që Klajda, Floida, kryetarja e LRI-së, me Kejdin, Endritin dhe ekipin e LRI-së drejtojnë sot listën e Tiranës, kjo ka qenë ëndrra e themeluesve dhe sot është realitet. Unë besoj fort tek rinia pasi kam vërtetuar ndër vite që nëse i jep hapësirë të tregojë veten mund të bëjnë të mundur atë që duket e pamundur. Ndaj kritikëve për listën e Tiranës i përgjigjem vetëm me një buzëqeshje dhe se energjia pozitive e rinisë i mungon vendit tonë dhe jo negativiteti.

Përfaqësimi i rinisë në Parlament është një detyrim që kemi ndaj tyre pasi politika mbi të gjitha është përfaqësim i grupeve të interesit që përbëjnë një komb. Skeptikë ka pasur për Kejdin, deputeten më të re në Parlament, dhe për listën e këshillit bashkiak të Tiranës në 2015, por të rinjtë treguan me kapacitetin e tyre se dinin të ngrinin dhe jepnin zgjid hje për shumë probleme që shqetësonin qytetarët e Tiranës. Ne kemi një model suksesi tashmë dhe i tillë do vijoj dhe në Parlamentin shqiptar mbas 25 qershorit.

LSI forcë e parë, Petrit Vasili kryeministër, a është thjesht slogan, mision i pamundur apo objektiv i arritshëm?

Për mua ky është një objektiv realist i bazuar në kujdesin, përkushtimin e përditshëm që ne kemi treguar ndaj qytetarëve të cilin e kam artikuluar publikisht që në dhjetor kur zhvillonim zgjedhjet brenda LSI-së. Kemi sjell një qasje ndryshe të politikës me qytetarin duke qenë të thjeshtë, modest pa delire dhe arrogancë. Kemi qenë vigjilent dhe shumë kërkues ndaj përfaqësuesve tanë duke kërkuar gjithmonë përfaqësim sa më të mirë të LSI-së në vendimmarrje ku përkushtimi në punë të jetë primar dhe në shërbim ndaj njerëzve pa dallim, ndërkohë kemi qenë aty për të zgjidhur hallet dhe shqetësimet e tyre pa u fshehur në burokraci të panevojshme.

Nëse flasim për rezultatet e LSI-së në zgjedhje e 2015-ës ne marrim 34 mandate, ku në Fier ne marrim 4 mandate, por unë besoj fort që Klajdi Bogdanaj që vjen nga radhët e LRI-së, i 5-ti në listë padyshim do jetë surpriza e Fierit dhe këtë fitore do e japë mbështetja e madhe që ka ai tek rinia, i cili ka qenë kryetari i parë i LRI-së së Fierit kur ka qenë gjimnazist dhe sot kandidon për deputet. Të votosh për LSI do të thotë të votosh për rininë, për një arsim cilësor dhe punësim të sigurt.

Unë besoj që LSI është shansi i rinisë dhe Shqipërisë për të avancuar axhendën tonë europiane dhe për të vënë prioritet punësimin e rinise që është prioritet i çdo familje shqiptare. LSI-ja forcë e parë politike realitet më 25 qershor si një kërkesë e gjithë rinisë shqiptare për t’u përfaqësuar. Nëse flas për kryeministër Petrit Vasilin, ndjej kënaqësi që vendi im do të ketë një përfaqësues dinjitoz me eksperiencë në drejtim, vendimmarrës dhe mbi të gjitha përkrahës shumë i madh i rinisë.

Besoj që sot kemi nevojë të drejtohemi nga politikanë që flasin thjesht me ide të qarta dhe me qasje europiane për vendin dhe me kulturën e dialogut të brendësuar. Z. Vasili e shoh si pjesë e një ekipi profesionistësh, intelektualësh që do mbështeten me vizione të qarta dhe një plan konkret për t’i dhënë një shans Shqipërisë në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe hapjes së vendeve të reja të punës duke sjell paqe sociale dhe lumturi tek çdo familje shqiptare.

Karriera

Përveç se një politikane ju jeni bashkëshorte si dhe nëna e një djali të vogël. Sa e vështirë është për ju përballimi i fushatës, si arrini të menaxhoni kohën?

Familja ime mbetet mbështetja më e madhe dhe forca për të ecur përpara, kjo është fushata ime e parë si nënë dhe më duhet të pranoj që është e vështirë, plot sakrifica sidomos ndaj Henrit që sapo mbushi 1 vjeç. Por gjëja që më ngushëllon është që gjithë ky impenjim bëhet për të pasur në Shqipëri më të mirë nesër, për një vend më të qetë, më të zhvilluar dhe me arsimim me cilësor. Prandaj çdo sakrificë ia vlen kur kauza që ti beson është e drejtë dhe do shërbejë të gjithë fëmijëve dhe të rinjve në radhë të parë. Padyshim që mundohem ta menaxhoj në maksimum kohën edhe në këto ditë pasi jam mësuar që e vogël me jetë aktive, por pa harruar për asnjë moment detyrimet familjare dhe dashurinë ndaj njerëzve të mi më të dashur.

Program konkret për punësimin e të rinjve, ja si do ta realizojmë

Cila është oferta e LSI për shqiptaret në këto zgjedhje?

Ne kemi një plan konkret për transformimin ekonomik dhe social të vendit duke evokuar një “Pakt Kombëtare pre Zhvillimin Ekonomik”. Prioritet numër 1 është “Ekonomi vitale dhe punësim të mirëpaguar ku dua të ndalem në veçanti tek punësimi i rinisë ku ne parashikojmë hapjen e 100.000 vende pune për të rinjtë. Ku parashikojmë që me zhvillimin më të fuqishëm të sektorit të bujqësisë, të agro-industrisë dhe peshkimit të hapim 25.000 mijë vende pune, nga fokusi tek sektori i turizmit si kyç për zhvillimin ekonomik të vendit të hapim 35.000 vende të reja pune për të rinjtë. Ndërkohë me mbështetjen e shërbimeve profesionale (financiare, ligjore, telekomunikacionit, It) parashikojmë hapjen e 15.000 vende të reja pune dhe 25.000 vende pune me mbështetjen e infrastrukturës, energjetikës dhe industrisë tejet të domosdoshme për vendin.

Dua të theksoj që ky plan është përpunuar nga ekspertët më të mirë në vend, duke paraqitur një program realist dhe të zbatueshëm që ditën e parë të qeverisjes tonë. Rritja e punësimit padyshim do shoqërohet me rritjen e cilësisë së arsimit nga kopshti deri në universitet dhe kjo e lidhur me tregun e punës, duke garantuar të njëjtin standard në të gjithë arsimin publik ku përfshihen tekstet, ambientet shkollore, metodat e mësimdhënies etj. Gjithashtu duke fuqizuar në kurrikula dhe infrastrukturë arsimin profesional, i cili në krye të katër viteve të arrijë raportin 50% me 50% midis arsimit të përgjithshëm dhe atij profesional. Ne synojmë zhdukjen e fenomenit të braktisjes së shkollave në gjithë vendin, ndaj propozojmë arsim të detyrueshëm 12-vjeçar (arsim të përgjithshëm dhe profesional). E ardhmja e një vendi është e sigurt kur edukimi i brezave është prioritet, ndaj dhe për në arsimi i lidhur me punësimin mbetet prioritet i qeverisjes tonë.

Qarku i Fierit është një nga qarqet që tradicionalisht nuk ka hezituar të shpreh mbështetjen për LSI-në në proceset zgjedhore. Si deputete e ardhshme cilat do jenë prioritetet e tua për këtë qark?

Gjatë këtyre muajve të angazhimit tim në qarkun e Fierit në bisedat me qytetarët kam kuptuar që resurset e tij nuk janë shfrytëzuar maksimalisht për t’i dhënë qytetarëve një zhvillim ekonomik që do t’i sigurojë punësim të sigurt. Mbas turit të dëgjesave të zhvilluara gjatë 2 muajve të fundit kemi arritur të përpilojmë së bashku me ekspertët tanë një program konkret për zhvillimin ekonomik të qarkut. Në fokusin tonë do jetë zhvillimi i bujqësisë ku mbetet një nga sektorët kryesore për ekonominë familjare të qytetarëve të Fierit dhe turizmi si një sektor ende i pambështetur por me potenciale të mëdha nëse i referohemi pikave të jashtëzakonshme turistike të cilat duhet të bëhen pjesë e guidave turistike, kjo duke zhvilluar infrastrukturën dhe shërbimet. Kemi një plan konkret për rininë e cila ka një jetë të vaket social-kulturore në Fier, synojmë mbështetjen në drejtim të iniciativave të tyre për hapjen e bizneseve të reja start-up që janë në pronësi të të rinjve do përfitojnë nga grante ose mikrokredi nga banka të nivelit të dytë duke rritur punësimin dhe shmangur veset.

Rritja e cilësisë së edukimit padyshim është kryefjala e planit tonë pasi kjo është dhe prioritet familjar i familjeve fierake ndaj dhe mbështetja për arsimin e përgjithshëm dhe në veçanti atë profesional në kurrikula, infrastrukturë dhe lidhjen me praktikën e punës falë bashkëpunimit me biznesin do rrisë kapacitetet njerëzore të brezave duke i bërë të aftë për tregun e punës. Gratë dhe vajzat fuqizimi i tyre ekonomik do jetë një tjetër shtyllë e rëndësishme e programit tonë që synon t’i bëjë ato konkurruese dhe kontributore reale në familjet e tyre. Kjo duke ofruar mbështetje financiare për idetë e tyre në fushën e sipërmarrjes në fusha si bujqësia, turizmi, shërbime, biznese strat-up, kurse kualifikimi për të marrë një zanat, i cili mund t’i integrojë në tregun e punës.

Burimi:Shekulli.al

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here