Zëvendëskryetarja e LSI-së, znj. Monika Kryemadhi deklaroi se arritja e marrëveshjes PS-PD ka favorizuar LSI-në pasi tani më politika është bërë tre-polare.
Në një intervistë në emisionin “Të pa ekspozuarit” të gazetarit Ylli Rakipi në televizionin “News 24” deklaroi se tani politika shqiptare është trepolare dhe arritja e marrëveshjes që bëri të mundur regjistrimin e PD-së në zgjedhje nuk e dëmton LSI-së, por e favorizon.
“Hyrja e PD-së në zgjedhje është vendim shumë i mirë. Dua të theksoj që marrëveshja e dy partive të vjetra nuk ka të bëj me atentat ndaj LSI-së. Mosregjistrimi i koalicioneve na favorizon. Politika është bërë tre-polare. Po të shihni progresionet aritmetike të votave kuptoni që politika është bërë tre-polare. Kjo e shtensionon sadopak situatën politike. Ndërsa, sa u përket intrigave ndaj LSI-së, ato e bëjnë më të bukur lojën. Marrëveshjet për mua personalisht, por edhe e LSI nuk i shqetëson fare marrëveshja e dy partive të vjetra. Ajo që mua më shqetëson është se sa thelb kombëtar ka brenda marrëveshja, kjo është shumë e rëndësishme dhe sa do t’i shërbejë kjo vendit për stabilitetit. Dhe nuk më takon mua ta them këtë gjë sepse kjo është një marrëveshje që nuk ka transparencë”,- deklaroi zëvendëskryetarja e LSI-së.