PD gati listat e kandidatëve, 2 aleatë mbeten jashtë, Duka i kërkon 3 mandate të sigurt

0
450

Lulzim Basha ka në zyrën e tij listat e seleksionuara të kandidatëve për deputetë të propozuar nga baza e PD për zgjedhjet e 25 qershorit, shkruan “Panorama”.

Mëngjesin e djeshëm ka skaduar afati që kreu i PD-së u kishte lënë 12 drejtuesve të grupeve të punës në rrethe për mbledhjen e propozimeve nga baza dhe përmes takimeve të veçanta të zhvilluara me secilin prej tyre, Basha është njohur me këto propozime.

Burime nga PD sqarojnë se gjatë takimeve me kreun e opozitës, 12 drejtuesit e grupeve të punës e kanë njohur atë me emrat dhe opinionet specifike që lidheshin me kandidaturat e propozuara. Sipas të njëjtave burime, emrat e propozuar nga drejtuesit e qarqeve janë kandidatura me përfaqësim të ulët politik nga zonat ku vijnë.

Udhëzimi që vetë Basha u ka dhënë prej disa muajsh krerëve të degëve lokale në rrethe, ka qenë afrimi i sa më shumë profesorëve, mjekëve, inxhinierëve, personave me integritet të lartë shoqëror dhe të rinjve të shkolluar brenda e jashtë vendit.

Burimet bëjnë me dije se në këto takime listat e kandidatëve në secilin rreth janë ngushtuar në 10-20 emra dhe përcaktimi final i tyre do të jetë një vendimmarrje ekskluzive e Lulzim Bashës. Në takimet e zhvilluara, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Edi Paloka, i ka dorëzuar Bashës listën e kandidatëve për deputetë në qarkun e Shkodrës, nënkryetari i PD-së, Spaho, propozimet e Korçës, sekretari i Përgjithshëm, Ristani, listën e Lezhës, deputeti Aldo Bumçi propozimet e degëve të Tiranës, deputetja Albana Vokshi listën e Elbasanit, deputeti Noka propozimet e Fierit, deputeti Florion Mima propozimet e Durrësit, deputeti Gent Strazimi propozimet e Gjirokastrës, deputetja Dhurata Çupi propozimet e degës së Kukësit, sekretari për Aksionin Qytetar, Ervin Salianji, listën e Dibrës, kreu i Departamentit të Shëndetësisë, Tritan Shehu, listën e Beratit dhe sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma, propozimet e Vlorës.

ALEATËT

Gjatë paradites të së mërkurës, Basha ka zhvilluar takime intensive edhe me kryetarët e partive aleate. Në një takim të zhvilluar gjatë ditës së djeshme me disa prej aleatëve të tij në koalicion, Basha ka dakordësuar edhe formulën se si partitë aleate do të shpërblehen nga marrëveshja e re.

Partitë e koalicionit opozitar nuk do të regjistrohen në zgjedhjet e 25 qershorit me logon e forcave të tyre politike, por të gjitha do të mbështesin Partinë Demokratike. Basha ka garantuar se aleatët e tij me mandate parlamentare do të jenë pjesë e listave të sigurta të PD-së.

Pjesë e listave fituese pritet të jenë kreu i PR-së, Fatmir Mediu, kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, kreu i PDK-së, Nard Ndoka si dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Garanci për të qenë në listat fituese ka marrë edhe kreu i PAA-së, Agron Duka, por ky i fundit ka ngritur pretendime për të pasur edhe të paktën dy kandidatë të tjerë të forcës së tij politike, të cilët në rrethet ku do të kandidonin pretendohet se do të ishin fitues.

Burime të “Panorama” bëjnë me dije se pasditen e djeshme, kreu i PD-së, Basha, dhe kreu i PAA-së, Agron Duka, kanë zhvilluar një takim me njëritjetrin për të marrë një vendim final në lidhje me çështjen e listave. Duket se jashtë listave fituese të Partisë Demokratike do të ngelen dy prej aleatëve të rinj në PD.

Burimet sqarojnë për “Panorama” se kreu i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, nuk ka marrë një garanci nga kreu i PD-së, Basha, se do të jetë pjesë e listës fituese të PD. Të njëjtin fat do të ketë edhe aleati më i ri i PD-së, Eduard Ndocaj.

Ish-deputeti i PS-së, i cili pak javë më parë iu bashkua koalicionit të PD-së, ka deklaruar dje se nëse Basha nuk do ta vendosë në listë fituese, do të dalë nga opozita dhe do të dorëzojë listat e tij në KQZ.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here