Republika e Re si demokraci direkte

0
321

Nga Ilir Lugaj

Shumë shpesh fjalët “Republikë” dhe “Demokraci” i përdorim pothuajse si sinonim i të njëjtit koncept, edhe pse jemi dëshmitarë se si në historinë e vendit tonë, mbushur me shembuj konkretë e të përditshëm, këto dy realitete egzistojnë dhe jetojnë në mënyrë tërësisht të ndarë e të ndryshme.

Kjo ndryshueshmëri në fakt nuk limitohet tek fakti që konceptualisht e para, Republika, është një formë qeverisëse, ndërsa e dyta, Democracia, është një sistem idesh dhe konceptesh. Ndryshimi vjen më së shumti për faktin se njerëz të ndryshëm, pushtete të caktuara, diktatorë apo oligarkë të këtij vendi, në kahë të ndryshme, kanë keqpërdorur pushtetin dhe besimin që u ka dhënë sovrani, duke e shëndërruar qytetarin në njeri të varfër e të nënshtruar, pa alternativa dhe të detyruar t`i nënshtrohet vullnetit të pushtetit. Republika, fjalë e cila vjen nga latinishtja “res publica” që do të thotë “një diçka publike”, është një formë qeverisjeje e një shteti, dhe bën pjesë në format e demokracisë përfaqësuese, ku pushteti i takon pak a shumë një pjese të gjerë të popullit dhe që ushtrohet në kufij dhe mënyra të përcaktuara në ligj.

Republika e Shqipërisë apo Oligarkia e Shqipërisë

Republikat, në fakt, nuk janë domosdoshmërisht demokratike, edhe pse vetëquhen të tilla, dhe si shembull për këtë ne mund të marrim ish “Republikën Popullore e Socialiste të Shqipërisë” apo edhe republika të tjera ku pushteti ekzekutiv zgjidhet nga populli, por pa alternativa të dyta politike, pra votohet një forcë politike e vetme, siç ndodh aktualisht në Korenë e Veriut, ose siç do të votohej në Shqipëri në 18 qershorin e ardhshëm me zgjedhjet që pretendonte të bënte Rilindja Socialiste pa pjesëmarrjen e opozitës.

Republika në vetvete edhe pse është një sistem qeverisës që parashikon shpërndarjen e pushteteve në mënyrë të drejtë, të cilat janë pushteti gjyqësor, legjislativ dhe ekzekutiv, në vendin tonë nuk ja ka dalë dot të jetë e tillë, pasi ky i fundit, ekzekutivi,  ka pasur gjithmonë tendencën të kontrollojë gjithçka, duke sulmuar në mënyrë direkte apo indirekte, ta hapur apo të fshehur, dy pushtetet e tjerë, pavarësia dhe mirëfunksionimi i të cilëve garantojnë demokracinë në një republikë normale.

Me zhvillimin e teknologjive dhe asaj të informacionit në veçanti, ndërsa në republikat perëndimore mediat e shkruara dhe vizive krijuan pushtetin e katërt, në vendin tonë ajo nuk u bë thuajse kurrë realitet i tillë, por u krijua dhe mbeti si një shtojcë e pushtetit ekzekutiv, duke e fuqizuar atë në krijimin e oligarkisë.

Ekzekutivi i mbështetur nga oligarkia e medias bëri të mundur në këto katër vitet e fundit që  pushteti të përqendrohej në duart e një pakice njerëzish, pakicë e cila vendosi për ligjet dhe çështjet më të rëndësishme të vendit, për një periudhë kohore që tejkalon disa herë periudhën kohore të mandatit që sovrani i dha me votën e tij. U pa se kjo pakicë oligarkësh u nda dukshëm edhe nga votuesit e tyre, pasi vendosi ashtu siç donte dhe i`a thoshte interesi apo mendja, shpesh në kundërshtim me dëshirat dhe synimet e qytetarëve në përgjithësi dhe atyre që i patën dhënë besimin me votë në veçanti.

Republika aktuale si Republikë e vjetër

Duhet të mos harrojmë për asnjë moment se Republika jonë aktuale është një formë demokracie e cila fsheh shumë kurthe, i pari fillon me të drejtën dhe mënyrën që kanë forcat politike të përzgjedhin kandidatët që do të përfaqësojnë popullin në legjislativ, i dyti me ndikimin që kanë oligarkët tek forcat politike në përzgjedhjen e këtyre kandidatëve,  dhe i treti inkurajimi që bëhet nga oligarkia dhe krimi, klasave apo grupeve të caktuara për të qenë gjithmonë në pushtet.Duhet të pranojmë se “de facto” jemi në një republikë ku demokracia ka rrëshqitur përtej kufijve të  oligarikisë, pasi kompanitë e mëdha, oligarkët, si dhe njerëz të pasuruar nga aktivitete kriminale, financojnë forcat politike apo kandidatë të caktuar brenda këtyre forcave politike, duke bërë që fjala demokraci të ekzistojë vetëm si koncept.

Demokraci etimologjikisht do të thotë “Qeveri e popullit” (nga greqishtja démos që do të thotë popull, dhe Kratos që do të thotë pushtet), çka nënkupton se në sistemin e qeverisjes pushteti ushtrohet,  direkt ose indirekt,  nga të gjithë qytetarët. Koncepti i demokracisë nuk është kristalizuar në një version ose në një interpretim konkret të vetëm, por ka gjetur konceptin e tij historik në forma dhe aplikime të ndryshme, të gjitha të karakterizuara nga kërkimi i një mënyre sa më të aftë për t`i dhënë, diku qytetarëve e diku pushteteve, fuqinë më efektive të qeverisjes. Edhe pse koncepti ose ideja e demokracisë është e lidhur zakonisht me një formë të shtetit, një republikë nuk mund të quhet demokratike në qoftë se demokracia e vërtetë nuk është prezente në çdo bashkësi të njerëzve, qofshin këto komunitete, pakica kombëtare, apo edhe shoqata,  dhe akoma më tepër nuk mund të quhet demokratike kur vendimet i merr në mënyrë arbitrare dhe jo nga brenda tyre.

Duam të besojmë në një Republikë të Re

Republika e Re në mënyrë që të jetë vërtetë demokratike dhe direkte, ashtu siç e duam dhe besojmë, duhet të hedhë hapat e saj të parë duke filluar nga vota e lirë, e më pas të vijojë me përfaqësimin direkt të të zgjedhurve të propozuar nga qytetarët, me përdorimin e referendumeve popullore si pjesë të pandarë të demokracisë direkte për ato ligje që kanë të bëjnë me të ardhmen e largët të vendit, apo për ato ligje që prekin interesat e shumicës së qytetarëve, dhe më tej akoma, me mundësimin e lirisë së futjes në politikë dhe të kandiduarit për të qenë përfaqësues i popullit çdo qytetari që plotëson kriteret ligjore e sociale, pavarësisht statusit ekonomiko-social, përkatësisë apo bindjeve fetare.

Ka ardhur koha të besojmë në Republikën e Re, është e nevojshme një Republikë e Re, republikë  e cila të na mundësojë ne si qytetarë që përmes zgjedhjeve të lira dhe pjesëmarrjes aktive të përfshihemi në vendimmarrjet politike dhe në ndërtimin e institucioneve shtetërore.

Duam të besojmë në një Republikë të Re demokratike ku gjithë të rinjtë e të rejat, fëmijë të pasurish apo të varfërish, duhet të kenë të njëjtat mundësi për të studiuar e arsimuar, të njëjtat shanse për të përballuar jetën dhe karrierën, ku kryefjalë të jetë meritokracia, ku të mbizotërojë shteti ligjor dhe zhvillimi ekonomik i bazuar në sipërmarrjen e lirë.

Duam të besojmë në një Republikë të Re demokratike me një gjyqësor të vërtetë, të pavarur e të drejtë, ku gjithë qytetarëve t`u ofrohet e drejta dhe mundësia e mbrojtjes pavarësisht llogarive bankare që ata kanë.  Duam të besojmë në lirinë e të menduarit dhe të shprehurit, ku çdo qytetar, çdo komunitet, si dhe çdo media vizive, e shkruar apo elektronike, të mund të kritikojë qeverinë në çdo rast që e shikon të arsyeshme, pa i shkuar kurrsesi nëpër mendje që pushteti të hakmerret ndaj tyre.

Duam të besojmë në një Republikë të Re demokratike që nuk do të lejojë të na gënjejnë pa kufi, të na blejnë votën me para, të përfitojnë nga varfëria jonë, të na bëjnë për vete me një thes miell, të na vënë mbi krye hajdutë e kriminelë vetëm e vetëm se kështu sigurojnë ca vota më shumë, duam të besojmë se partitë politike nuk do më bëjnë premtime që nuk i mbajnë dot, ashtu siç edhe duam të jemi të lirë të mos besojmë më në një qeveri që ka pasur katër vjet kohë në dispozicion dhe s`ka bërë gjë tjetër veçse e ka shpërdoruar këtë kohë më tepër për të vjedhur e pasuruarit për vete, sesa për të punuar për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here