Pas marrëveshjes zgjedhore të Partisë Social Demokrate të Paskal Milos me Lëvizjen Socialiste për Integrim, ditët e fundit është përfolur shumë edhe për një lëvizje të ngjashme nga ana e PDIU-së së Shpëtim Idrizit. Krijimi i një Poli të Tretë, pas marrëveshjes Rama-Basha është hedhur sërish në tregun politik shqiptar.
Por mësohet se përfundimisht, PDIU nuk do të bëjë asnjë marrëveshje parazgjedhore. Sipas kryetarit të kësaj partie, Shpëtim Idrizi nuk ka asnjë kuptim marrëveshja, kur nuk lejohet regjistrimi i koalicioneve në KQZ.
Duke marrë shkas nga marrëveshja që Paskal Milo bëri dje me LSI për të ruajtur votat, Idrizi u pyet në studion e Ora News, nëse edhe ai do të bënte të njëjtën gjë.
“Ne nuk kemi asnjë lloj problemi, ne garojmë në korsinë tonë dhe të ikim nga llogaritë që i kemi dhënë apo i kemi marrë koalicionit. Kemi një problem, që i duhet dhënë më shumë hapësirë dhe transparencë dhe për partitë e reja që e kanë pothuajse të pamundur me këtë sistem, dhe të kemi disa standarde më të mëdha”, deklaroi kreu i PDIU.
I pyetur më konkretish për lajmin e përhapur ditët e fundit se mund të kenë një bashkëpunim mbas ditës së sotme me LSI, Idrizi tha:
“Nuk e shoh për çfarë dhe nuk e shoh si. Ne jemi në korsinë tonë. Kjo pyetje mund të kishte vlerë nëse ne do bënim koalicione. Mund të mblidheshim gjithë të vegjlit. Në këtë situatë edhe për shkak të profilit të partisë sonë , unë nuk marrë dot përsipër që t’i them anëtarëve të PDIU që të votojnë për një parti tjetër, sepse jam i bindur që nuk më dëgjon kush”.