Eduard Ndocaj e kemi dalluar gjithnjë si deputeti kauboj, për shkak të veshjes së tij karakteristike. Por me sa duket, kreu i PBDKSH-së ka edhe një tjetër talent të tijin, të cilin deri më tani e kishte shfaqur vetëm në skicime të vogla. Përmes një postimi në rrjetin social facebook, Ndocaj e shoqëroi deklaratën e tij kundër tri partive të mëdha ( pasi provoi dy prej tyre, po nuk i eci me asnjë) me një pikturë “alla kontemporane”.
Aq e thellë dhe vanitoze duket piktura e Ndocaj, sa edhe vetë kryeministri Rama, të cilin “Kaubojsi” e kishte kryetar partie para se të mërzitej me të, do ta kishte zili për ta pasur në koleksionin e tij. Ramën e njohim për talentin e tij për të zhgarravitur me pasion, por duket se tanimë një rival i ri po i vihet përballë. Kështu Ndocaj krahas përballjes “titane” që pritet të ketë me tre partitë e mëdha ( thotë se vetëm partia e tij do bëjë ndryshimin) do ketë edhe një mini-përballje artistike me kryesocialistin.
Nëse për përballjen e parë, atë të 25 qershorit, shanset duket se janë të pakta, në garën e dytë, atë të pikturave, peshorja duket se anon nga Ndocaj ( se paku duke ju referuar pikturës së sotme që nuk lë vend për kritika). Të presim e të shohim, të tjera surpriza mbeten për tu zbuluar në ditët në vazhdim….