Një 25-vjeçar ka humbur jetën në një aksident tragjik në Divjakë, ndërsa udhëtonte me biçikletë bashkë me shokun e tij. Ledion Sema lëvizte me biçikletë me shokun e tij M.M., 32 vjeç në fshatin Mizë në Divjakë. Ishte 32-vjeçari që i jepte biçikletës, kur janë përplasur nga një mjet tip “Benz”, me targa AA 634 BE që drejtohej nga A.P. duke i plagosur rëndë të dy të rinjtë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, Ledion Sema nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Lushnjës.
Ndërkohë familjarë të 25-vjeçarit hedhin akuza ndaj spitalit duke folur për neglizhencë nga bluzat e bardha.
Në një prononcim për “BalkanWeb”, daja i viktimës, Mondi Laraku thotë se në kohën kur ka shkuar i plagosur nipi i tij, në spital nuk ka patur anestezist dhe ka qenë vetëm një mjek roje.
Ai shkon më tej me akuzat e tij, duke theksuar se Ledioni humbi jetën pasi nuk iu dha ndihma e parë.
“Jam daja i viktimës që ndërroi jetë. Kur nipi im ka shkuar në spitalin e Lushnjës i plagosur rëndë, nuk ka pasur anestezist dhe ka qenë vetëm një mjek roje. Për shkak se nuk iu dha ndihma e parë ai nuk mundi t’ia dilte”, deklaron daja i viktimës.
Sipas tij, Ledioni ka mbërritur në spital 45 minuta pas aksidentit dhe doktorët nuk kanë qenë të dy në vendin e shërbimit.
“Aksidenti ka ndodhur në orën 19:30 të ditës së djeshme. Në spital ka mbërritur rreth orës 20:15 me ambulancën e Bashkisë Divjakë. Kur ka mbërritur ambulanca, doktorët nuk kanë qenë të dy në vendin e shërbimit. Ndërkohë anestezisti nuk ka qenë fare në spital. Nipi im ka ndërruar jetë për mungesë të ndihmës së shpejtë dhe neglizhencës”, thotë Mondi Laraku.
NJOFTIMI ZYRTAR I POLICISË
Në datën 27.05.2017, rreth orës 20:35, në fshatin Mizë, Divjakë, shtetasi A.P., 32 vjeç, banues në fshatin Mizë, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, me targa AA 634 BE, është përplasur me një motoçikletë.
Si pasojë është aksidentuar drejtuesi i motoçikletës shtetasi M.M., 32 vjeç, banues në fshatin Kryekuq, Divjakë, dhe pasagjeri në motoçikletë, shtetasi L.S. 25 vjeç, të cilët janë dërguar në spitalin Lushnje. L.S ka nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Është shoqëruar në Komisariat shtetasi A.P. dhe po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.