Pas dy refuzimesh qeveria shqiptare ka çuar sërish tre kandidatura për në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut. Janë mësuar edhe 3 kandidatura të reja, që në fakt janë dy të reja dhe një i vjetër; Sokol Berberi i cili është refuzuar dy herë nga Këshilli i Europës.
Dy kandidaturat e tjera janë Suela Meneri dhe Markeljan Koca. Komisioni i GJEDNJ në prill të këtij viti i ktheu përgjigje negative Shqipërisë për kandidaturën e Berberit, por emri i tij dërgohet sërish nga qeveria.
“Jo të gjithë emrat janë mjaft mirë të kualifikuar”, thuhej në përgjigjen e refuzimit. Kujtojmë se edhe më herët në shtator 2016 janë rrëzuar tre kandidaturat, për në Gjykatën e Shtasburgut.
Sokol Berberi ka qenë gjyqtar i Kushtetueses deri pak muaj më parë, kur dha dorëheqjen pasi ishte kundër rrëzimit të ligjit të Vetingut. Pra kundër PD-së dhe pro PS-së. /Opinion.al