Bashkia e Tiranës sqaron qytetarët se do të njihen të gjitha abonetë për autobusët urban. Përmes një deklarate për mediat, Drejtori i Transportit dhe Trafikut Rrugor në Bashkinë e Tiranës, Enton Punavija, deklaroi se do të njihen të gjitha abonetë, të pajisura ose jo me pullë.
“Bashkia e Tiranës njofton qytetarët në vijim edhe të njoftimit të mëparshëm lidhur me elementet e sigurisë të kartelave të pajtimit të abonentëve se formati i aprovuar përmban kartonin shoqërues si edhe abonenë e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Njoftojmë gjithashtu se edhe abonetë, të cilat kanë pullën si element shtesë sigurie, janë abone të vlefshme dhe që njihen në të gjitha linjat e transportit publik qytetas, siç janë edhe të përshkruara në pjesën e prapme të kartonit shoqërues”, thekson Punavija.
Punavija u shpreh se Bashkia e Tiranës ka marrë masat që nga të gjitha linjat e transportit publik të hiqen njoftimet të cilat sollën dhe çorientimin e personave që duan të pajisen me biletat e pajtimit të aboneve.
Bashkia e Tiranës garanton se po monitoron në vijimësi situatën dhe i bën thirrje gjithë qytetarëve që të pajisen normalisht me kartelën e pajtimit mujor.
(BalkanWeb)