Bamir Topi: Rama-Basha, pazar për të shkatërruar demokracinë

0
212
Ish-Presidenti i Republikës dhe kreu i FRD-së, Bamir Topi flet për paktin mes Bashës dhe Ramës: Basha bëri marrëveshjen më të turpshme në historinë e PD
Intervistoi: Qamil Xhani

Ish-Presidenti Bamir Topi e cilëson marrëveshjen mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës si Pazar politik në dëm të demokracisë shqiptare. Në një intervistë dhënë për “Koha Jonë”, Bamir Topi shprehet se marrëveshja që u bë në “dhomën e gjumit” nuk dha asnjë garanci për zhvillimin e zgjedhjeve me standarde. Duke komentuar qëndrimin e PD-së dhe opozitës, Topi deklaron se Basha ka bërë një nga aktet më të turpshme në historinë e PD-së. “Luli duket shumë i vogël, i përdorur  dhe pa ide për të ardhmen. Të vetmen gjë që ka ditur të bëjë mirë ai, ka qenë përdorimi i “urës së zjarrit” të dhënë nga Rama për t’ia vënë zjarrin të vetëve”,- shprehet Topi.

Kreu i FRD sheh një ngjashmëri në këtë pakt me atë që u bë mes PS dhe PD pas ngjarjes së Gërdecit dhe e gjitha kjo, në dëm të demokracisë dhe institucioneve. “Këta jo vetëm që nuk bënë Mea culpa, por kanë rënë dakord ta shkatërrojnë demokracinë e brishtë shqiptare me vullnet diabolik. Kjo situatë është plotësisht e njëjta me atë kur shpërtheu Gërdeci dhe në vend që të shihnim gjyqin politik të qeverisë nga opozita, pamë mjerisht marrëveshjen e 21 prillit 2008 dhe fillimin e betejës së organizuar për të nënshtruar institucionet e pavarura në Shqipëri”,- deklaron Bamir Topi.

 Z.Topi pak ditë më parë e cilësuat paktin Rama-Basha si një marrëveshje okulte të dy personave në hall. Çfarë “halli” mendoni se i bëri bashkë dy kundërshtarët më të ashpër në politikë?

E vërtetë. Kështu e kam vlerësuar dhe sa më shumë kalojnë ditët e konfirmoj më tepër qëndrimin tim.

Së pari, duhet të theksoj me forcë se, qoftë në konstitucionin tim shpirtëror ashtu dhe politikisht kam qenë dhe mbetem njeri i marrëveshjeve në shoqëri e politikë, pasi kam bindjen se përçarjet na kanë bërë të jemi “ishull pa dritë” në Europë. E kam fjalën për marrëveshje të moralshme, parimore dhe në interes e transparence për shoqërinë.

Mesa kam kuptuar kjo nuk mund të quhet marrëveshje, por pazar, madje e bërë në orët e natës kur truri fiziologjikisht nuk oksigjenohet mirë, me fjalë të tjera mund të quhet “Aksham pazar” në terma të bisedimeve jo transparente për publikun.

Paradoksi më i madh në këndvështrimin tim ishte fakti se u futën në “dhomën e gjumit” për të garantuar zgjedhje të lira, ku ligji zgjedhor duhet të ishte kryefjala, prodhuan gjithçka, por vetëm ligjin e ri zgjedhor jo. Në këtë mënyrë garanci mori Luli për zgjedhjet, por jo publiku që nuk përfaqësohet vetëm nga ai.

Kjo është arsyeja që e quaj marrëveshje okulte e të pandershme të dy njerëzve në hall. Njëri se nuk po arrinte të gjente alibinë për të dalë nga çadra dhe tjetri pasi do të përbënte rastin e parë në 27 vite tranzicion që një qeveri organizonte zgjedhje që do të prodhonin një Parlament monist.

 Në një marrëveshje ka gjithmonë një palë që fiton pak më shumë dhe për pasojë humbet pala tjetër. Mendoni se PD po humbet pas këtij pazari të Bashës?

Duhet gjykuar se mbi çfarë kushtesh politike. Brenda partisë dhe midis partive të koalicionit u ngrit gatishmëria e Lulit për të ndryshuar radikalisht qëndrimin. Presioni nga brenda dhe nga të dërguarit e posaçëm të perëndimit bëri që ai të dorëzohet pa kushte, por çuditërisht duke kërkuar në tavolinë edhe disa gjëra që Rama i dha me lehtësi.  Kryeministri duke shfrytëzuar situatën e vështirë të PD-së dhe gjendjen e “urisë”  ofroi “mish të helmuar” që përben rastin më të turpshëm të pozicionimit të PD e aleatëve në të gjithë historinë politike të saj. Në fakt është një marrëveshje, ku kanë fituar reciprokisht të dy nga pak, por kanë humbur zgjedhjet e lira e demokratike në Shqipëri. Kush thotë të kundërtën, se ligji aktual është i vlefshëm për të garantuar zgjedhje normale mashtron.

 Për mënyrën si rrodhën ngjarjet me krizën politike, çadra, marrëveshja e fshehtë Rama-Basha, ndarja e qeverisë,  administratës etj., a mendoni se Basha është “shitur” te Rama?

Së pari, në përgjigje të pyetjes së radhës, binomi  Basha-Berisha, pasi nuk është veç Luli, po e degradojnë në mënyrë të pakthyeshme moralin e së djathtës në Shqipëri. Ata sot po luajnë aktin e fundit të “Kalit të Trojës”, akt djallëzor që veç dialog politik nuk mund të jetë. Për të kuptuar më shumë betejën elektorale që po zhvillohet, nuk përmendet më kanabisi, koncesionet, CEZ-i dhe nga ana tjetër nuk ka më beteja politike publike për korrupsionin e qeverisë. Sigurisht, Luli duket shumë i vogël, i përdorur  dhe pa ide për të ardhmen. Të vetmen gjë që ka ditur të bëjë mirë ai, ka qenë përdorimi i “urës së zjarrit” të dhënë nga Rama për t’ia vënë zjarrin të vetëve. Nga pikëpamja morale kjo duket shumë e ulët. Sidoqoftë kemi parë ekzekutorin, por jo ideatorin , i cili qëndron i mbyllur në kullë e nuk prononcohet.

 Politikanë që kanë pasur role drejtuese në PD, si Topalli e Imami kanë dalë hapur kundër Lulzim Bashës duke bërë akuza të paimagjinueshme më parë kundër tij. Si e shihni këtë lëvizje në PD?

Për hir të së vërtetës e kam parashikuar prej shumë kohësh. Historikisht Basha- Topalli kanë pasur marrëdhënie të acaruara,fyese, ku pozicioni i Jozefinës i lejonte “të keqtrajtonte” kolegun e saj, të cilin e parashikonte si njeriun që do të zëvendësonte Berishën. Këtë gjendje e kam parë qysh nga viti 2005, për ta përmbyllur me largimin e saj e shumë të tjerëve nga lista e deputetëve. Gjithsesi, mendoj se akoma të përjashtuarit nuk janë të sinqertë, madje Topalli shpreh hipokrizi të theksuar, pasi ajo e din mirë se ai që e ka përjashtuar është Sali Berisha, të cilin ajo vazhdon ta falënderojë. Pastaj, kush më shumë se Topalli ja ka bërë vetes, pasi ajo ka qenë një nga kryesoret në ndryshimin e Kushtetutës së vitit 2008, duke i kthyer kryetarët e partive në shefa të garnizoneve politike. Në politikë sidomos, kush nuk ka aftësinë për të parashikuar të ardhmen nuk e meriton atë.

Qeveria teknike “Rama-Basha” ka bërë që ideja e një koalicioni PS-PD të mos jetë më tabu pas zgjedhjeve. Çfarë mund të prodhojë në skenën politike dhe në shoqërinë shqiptare një qeverisje e tillë?

Qeveria teknike nuk mund të quhet e tillë, madje as në kohë lufte nuk mund të ndërtohet një gjë kaq e çuditshme. Nëse do të vazhdojë ose jo, çdo ditë që kalon më forcon dyshimin se palët po luajnë në mënyrë të kushtëzuar. Nëse PS fiton qartë, sigurisht që, nuk do të ketë nevojë për PD-në. Nëse jo, PS po demonstron që më mirë lidh koalicion me PD si një aleat i nënshtruar sesa ndonjë tjetër që i ka krijuar probleme në bashkëqeverisje.

Përveç të tjerave, PS duhet të kujdeset për pushtetin vendor që e bashkëqeveris me aleatë që nuk i ka më. Të shohim më tej, por një qeveri e tillë sipas meje nuk mund të këtë asnjë kredibilitet moral.

Në qëndrimet e fushatës elektorale nga Rama dhe Basha bien në sy deklarata për ndryshime kushtetuese dhe ndryshime të Kodit Zgjedhor. A është e rrezikuar demokracia nga ndryshimi i Kushtetutës në dëm të partive të vogla?

E papranueshme dhe dëmshme, pasi të dy palët në marrëveshje kane pasur një detyrim kushtetues për të bërë Kodin Zgjedhor brenda legjislaturës që mbaroi. Komisioni i tyre dështoi me turp dhe me vullnet për ta sabotuar dhe për këtë duhet të mbajnë përgjegjësi.

Këta jo vetëm që nuk bënë Mea culpa, por kanë rënë dakord ta shkatërrojnë demokracinë e brishtë shqiptare me vullnet diabolik. Kjo situatë është plotësisht e njëjta me atë kur shpërtheu Gërdeci dhe në vend që të shihnim gjyqin politikë të qeverisë nga opozita, pamë mjerisht marrëveshjen e 21 prillit 2008 dhe fillimin e betejës së organizuar për të nënshtruar institucionet e pavarura në Shqipëri.

Si e parashikon fundin e “dashurisë” politike Rama-Basha?

“Dashuria politike” në fakt rregulloi edhe klimën për zgjedhjet në Kavajë dhe këtu nuk ka ndonjë gjë të keqe. Politikisht kjo marrëdhënie dashurie me të gjitha ngjyrat e fushatës nuk çudit më njeri. Personalisht mendoj që dashuria tyre politike nuk “riprodhohet” pra nuk lë pasardhës. Pra, kjo është një marrëdhënie që sjell në jetë një pjellë shterpë.  Që të jem më ilustrues  biologjikisht me termin shterpë ose hibrid, ka një rast të vetëm në shkencën e gjenetikes, sikurse është kryqëzimi i gomarit me pelën që pjell mushkën, por që nuk riprodhohet më. Kjo është arsyeja më e fortë që nuk më bind.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here