Nuk iu përgjigj telefonatës që nuk i erdhi kurrë, e heqin nga puna

0
424

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu burgun e Shën Kollit në 30 Korrik 2016 e për pasojë, një person humbi jetën. Incidenti i shkaktoi humbjen e vendit të punës 11 punonjësve, mes të cilëve edhe Zef Kacelit, i cili për 20 vjet ka qenë në detyrën e teknikut të ndërlidhjes dhe operatorit të kamerave. Por Kaceli tregon në emisionin “STOP” se ditën që ka rënë zjarri ka qenë pushim. Specialisti i informacionit, Pashko Toci, pohon me përgjegjësi, se Zefi nuk është njoftuar për të mos ardhur në punë, pas rastit emergjent, pasi ai vetë është personi i vetëm që ka bërë njoftimet. E megjithatë, Zef Kaceli ka gati një vit në mes të katër rrugëve, duke kërkuar të drejtën e vendit të punës…

“Unë quhem Zef Kaceli dhe ka 20 vite që punoj në burgun e Shën Kollit si teknik ndërlidhje dhe operator kamerash. Më datën 30 Korrik 2016, ora 15:30, ka rënë zjarr në paraburgim, në katin e dytë, ku mbeti i asfiksuar një i dënuar. Unë në atë kohë isha te shtëpia ime, duke fjetur. Unë kam qenë pushim ditën e shtunë dhe të dielën. Ditën e shtunë, në orën 08:00, kam dal në punë pas një thirrje të shefit të policisë, Fred Preçi, i cili donte të shihte disa kamera, një kontroll nga Drejtoria e Burgjeve për kapjen e celularëve. Kam ardhur në punë, ia kam liruar dhe jam rikthyer në shtëpi sepse kam qenë pushim. Në orën 16:40 kam hapur televizorin dhe kam parë ngjarjen, që në burgun e Shën Kollit kishte rënë zjarr.”

Zef Kaceli shprehet se ka humbur vendin e punës sepse kanë dashur ta zëvendësojnë me dikë tjetër, pasi për motivacionin që i është dhënë, ai nuk ka qenë prezent. Në shkresën e largimit Ministria e Drejtësisë e ka cilësuar Zef Kacelin si nëninspektor dhe shef të paraburgimit, ndërkohë që ai ka qenë i punësuar si teknik i ndërlidhjes dhe operator kamerash.

Gazetarja e emisionit “STOP” komunikoi me specialistin e informacionit në burgun e Shën Kollit, Pashko Toçin, për të pyetur se pse është larguar Zef Kaceli nga puna, kur ai ditën e ngjarjes ka qenë pushim.=

“Situatën atë ditë e kam menaxhuar unë dhe më ka takuar mua të bëj njoftimet. Unë kam njoftuar fillimisht zjarrëfikëset dhe drejtuesit e institucionit, më vonë grupet e gatshme dhe kam kërkuar ndihmë nga FNSH-ja e Policisë Lezhë dhe Drejtorisë së Përgjithshme. Kamerat dhe ndërlidhjen i kam patur në rregull dhe nuk më është dashur të njoftoja Zefin. Po të njoftoja Zefin do të ishte njësoj si të njoftoja punonjësit e policisë së turnit të tretë apo të ditës tjetër. Zefi atë ditë më ka marrë vetë në telefon rreth orës 16:30, një orë pasi kishte rënë zjarri, më ka pyetur a të vinte në institucion dhe unë i thashë nëse do të donte të vinte, por nuk ishte e nevojshme. Unë mbaj përgjegjësi për sa them. Zefi nuk është njoftuar dhe po të njoftohej vetëm nga ana ime. Zërat e tjerë që është njoftuar me telefon, e kam marrë me telefonin tim, nuk ka mundësi sepse ata që kanë qenë në shërbim nuk duhet të kenë telefonin pranë sepse quhet send i ndaluar.”

Avokati Ismet Demiraj shprehet se Zefi  Kacoli është larguar nga puna pa asnjë procedurë ligjore, pasi për largimet nga puna duhet të ngrehet një komision disiplinor, të vendosë në dijeni për masën disiplinore dhe shkeljen që ka bërë  punonjësi, si dhe nuk është paraqitur asnjë provë që të justifikojë këtë masë disiplinore. Gjykata e Shkallës së Parë ka marrë për bazë vetëm vendimin e Drejtorisë së Burgjeve dhe ka marrë vendim të njëanshëm.

Largimi nga detyra merret vetëm nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, që është punëdhënësi i vetëm në sistemin e burgjeve. Pretendimi i Drejtorisë së Përgjtihshme të Burgjeve ka qenë se është telefonuar për një ngjarje që ka ndodhur, në kohën kur punëmarrësi Zef Kaceli ka qenë pushim, nuk ka qenë në orarin e punës, gjë që nuk është vërtetuar as me tabulate telefonike, as me ndonjë regjistrim të oficerit roje. Ne i kemi kërkuar Drejtorisë së Burgjeve prova se cili numër telefoni e ka marrë dhe në çfërë ore e ka marrë. Atje s’kanë paraqit asnjë gjë, vetëm kanë nxjerrë pretendimin që ka ndodhur një ngjarje e rëndë  dhe Zefi nuk hap telefonin, largohet nga puna.

Zef Kaceli është larguar nga puna si teknik i ndërlidhjes dhe operator kamerash në burgun e Shën Kollit prej një viti, me pretendimin se nuk është përgjigjur në telefon ditën e ngjarjes së rëndë në këtë burg, ndërkohë që ai atë ditë ka qenë pushim dhe nuk ka marrë asnjë telefonatë./ tvklan.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here