Fushata nxehet, akuza dhe kundër akuza mes PS, PD dhe LSI. Kreu i LSI-së, Petrit Vasili komentoi sot në studion e emisionit “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa paktin e arritur mes Ramës e Bashës. I pyetur nëse ndjehej i tradhtuar nga këta dy liderë Vasili u shpreh: “Përcaktimi s’ka lidhje me situatën”.
Sipas tij, kjo marrëveshje ishte një zgjidhje e vonuar e krizës. “Marrëveshja eci sipas këshillave tona, e kërkuam ne një qeveri besimi, që opozita të ishte pjesë e tyre. Kanë bërë një gjë negative, që i humbën vendit shumë muaj, nga kriza”,- tha ai.
Vasili shtoi ndër të tjera, se forca që ai drejton është në kulmin e saj të rritjes.
“LSI është menaxhim relativisht i lehtë, është në kulmin e saj. Nuk kam përjetuar ditë më të mira të saj që nga themelimi”,- tha ai.
Teksa Rama e ka quajtur parti shantazhuese që kërkon të vërë një dorë në timon, e të marrë pjesë nga tepsia e qeverisë, po ashtu edhe kryedemokrati Basha e ka quajtur shpk LSI-në.
I pyetur nga gazetarja Nisida Tufa në lidhje me këto deklarata, Vasili tha se s’ka humbur asnjë minutë kohë me ato.
“Duke dëgjuar këta njerëz pa asnjë ide në kokë, njëri flet për Republikë të Re tjetri për tepsi, ndryshe nga të tjetër unë i flas shqiptarëve për një plan. Unë dhe LSI-ja kemi një plan për të çuar gjërat përpara. S’flas as për timon as për Republikë. Njerëzit kanë nevojë për taksa të ulëta. Shqiptarët janë të mençur dhe do të votojnë për njerëz që kanë plan, jo me tepsi, shpk , që Basha duhet të ketë parasysh shpk e Rrugës së Kombit ku vodhi 250 mln euro,” tha Vasili.