Zbulohet plani Rama-Veliaj për kullat e larta në qendër të Tiranës

0
251

Megjithë miratimin e një masterplani të ri për Tiranën hartuar nga arkitekti italian Stefano Boeri, i cili u miratua më 4 prill nga Këshilli Kombëtar i Territorit, duket se kryetari Erion Veliaj do të vazhdojë zbatimin e të ashtuquajturit “Plani francez”, masterplani i parë i Tiranës i hartuar në periudhën e ish-Kryebashkiakut Edi Rama.

Në një rrëfim për Blendi Salajn, tek Peshku pa ujë, arkitekti i studios 51N4E Johan Anrys konfirmoi se disa kulla do të ndërtohen rreth sheshit Skënderbej.

“Johan Anrys i firmës 51N4E është gjithashtu njëri ndër autorët e kullës TID që njihet ndryshe si Hotel Plaza. Kulla TID i dha famë firmës së vogël belge, ishte puna e tyre e parë e madhe. Tani ata do të projektojnë edhe një kullë pas Sahatit, në një zonë deri tani të lënë pa shfrytëzuar. Anrys ka vetëm një peng: kulla e re do të mbulojë pjesërisht kullën TID, hotel Plazën, për ata që e shohin nga sheshi. Por do të mbulojë plotësisht Torre Drinin, që është gjë e mirë. Kjo pas Sahatit nuk do të jetë e vetmja kullë e re. I gjithë sheshi do të rrethohet me kulla. Njëra menjëherë pas Hotel Tiranës, do ta bëjë këtë të duket i vogël. Një tjetër do të ngrihet “tek reklamat” midis Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit. Bulevardi i ri dhe Tirana Policentrike po vijnë, por edhe Sheshi Skënderbej po bëhet blind me kulla të larta. Në 100 metra ecje mund të shkosh nga xhamia otomane tek arkitektura fashiste dhe ajo socialiste, e gjitha nën vështrimin e qiellgërvishtëve modern.”

Intervista e Blendi Salaj njofton kështu tre kulla të reja: njëra pas Hotel Tirana International, një në mes rrugës së Durrësit dhe asaj të Kavajës dhe një pas Sahatit. Asgjë nuk është bërë zyrtarisht publike për këto projekte, as nuk është e qartë nëse Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar ndonjë nga këto projekte pasi këshilli – në kundërshtim me ligjin – nuk ka publikuar asnjë vendim në faqen e saj të internetit që nga 14 prilli.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here