Që t’mos themi më: “Posi… u bë Shqipnija”

0
343

Nga Feti ZENELI

Që nga thirrja e parë, “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa!” dhe deri në zgjedhjet e përgjithëshme të 25 qershorit, pas pak ditësh, kanë kaluar plotë 27 vjetë. Përgjatë kësaj periudhe janë zhvilluar 7 palë zgjedhjesh të përgjithëshme, po kaq lokale, si dhe 2 referendume për Kushtetutën, të cilat si moto të fushatës së tyre kanë patur një objektiv të tillë madhor për fatet e vendit dhe kombit tonë. Por në fund të çdo mandati qeverisës, me pak ndryshime midis tyre, jemi përballur me zhgënjimin që përshkruan Koliqi tek “Tregtar flamujsh”: “Posi… u ba Shqipnija. Dalin të marrët e vikasin rrnoftë Shqipëria! Ti i mençëm përgjigje tue bërtit në kupë të qiellës: rrnoftë, po, e shpejt me porositë flamuj. Na shkyeju rrnoftë, e ti shit, ban pare tue tregue mbi ndiesitë tona…”.

“Asgjë të re nga fronti i Perëndimit” nuk besoj se do sjellin as zgjedhjet e radhës, përderisa fushata, megjithëse ka hyrë në dy-javshin e fundit të saj dhe njerëzit presin të shohin pak dritë alternativësh qeverisëse në fund të tunelit të tranzicionit shqiptar, dy aleatët e majtë të mazhorancës së deritanishme, bëjnë garë me objektivin, se kush prej tyre “do të dalë forcë e parë”, duke sharë a akuzuar njeri-tjetrin.

 

Faktet, statistikat dhe historitë e keqqeverisjes së vendit nga këto katër vitet e fundit janë të shumta, por që të gjitha sintetizohen apo kulmojnë me treguesit e largimit masiv të njerëzve nga Shqipëria drejt vendeve të Bashkimit Europian. Raporti më i fundit i “Gallup”-it, publikuar këto ditë, tregon se shqiptarët, që kanë dëshirë të migrojnë, renditen të dytët në botë pas Sierra Leones. Sipas “Gallup”-it, më shumë se gjysma e qytetarëve tanë, përkatësisht 56 për qind e popullsisë së vendit, duan të largohen nga Shqipëria. Pas Shqipërisë dhe Haitit, vijnë dy vende të tjera afrikane, Liberia me Kongon, ndërsa Siria në gjëndje lufte rezulton në vendin e nëntë. Gjetjet e sondazhit i përkasin periudhës 2013-2016. Sipas “Gallup”-it, në periudhën 2010-2012, pjesa e shqiptarëve që donin të emigronin nga vendi i tyre ishte vetëm 36 për qind. Ndërsa në 3-4 vitet pasardhëse, të qeverisjes së majtë, ky numër gati do të dyfishohej, duke arritur në 56 për qind. Përveçse në tre vendet me përqindjen më të lartë në botë të popullsisë që dëshiron të emigrojë, Shqipëria ka shënuar rritjen më të madhe të këtij treguesi vitet e fundit, duke u dyndur masivisht drejt Gjermanisë.

Po përveç njerëzve gjatë kësaj periudhe qeverisëse, nisën të “emigrojnë” jashtë vendit edhe paratë e bankave apo vetë subjektet e tjera private, për shkak të klimës së papërshtatshme të të bërit biznes në Shqipëri. Është vetë Banka e Shqipërisë që pohon, se pjesa më e madhe e parave të fituara nga bankat e nivelit të dytë në tokën tonë janë investuar jashtë vendi, ose si investim ose si kreditim për bizneset e huaja. Janë rreth 3 miliardë dollarë investime jashtë, që e bëjnë Shqipërinë të jetë një kreditor neto të botës, pasi detyrimet që bankat shqiptare kanë ndaj jorezidentëve, banka ose individë të huaj, janë vetëm 45 miliardë lekë ose pak më shumë se 400 milionë dollarë. Fakte të tilla tregojnë, se pavarësisht deklarimeve të forta politike që bëhen çdo ditë për rritje të të ardhurave si dhe rritje të investimeve, ky është një lajm i keq, madje shumë i keq, sepse ne kemi mjaft nevojë që këto para të investohen brenda vendit për të mbështetur ekonominë tonë rakitike. Dy-tre vjet më parë, Banka e Shqipërisë mori një sërë masash për të dekurajuar daljen e kapitaleve jashtë vendit, duke ju kërkuar bankave të nivelit të dytë, që për çdo investim në tregjet e huaja të sigurojnë më shumë fonde rezervë në bilancet e tyre. Por ndonëse e kanë ngadalësuar disi ritmin e investimeve jashtë, këto ndërhyrje nuk kanë mundur ta frenojnë atë. Vetë bankat private thonë, se janë të detyruara t’i investojnë fondet e lira jashtë për shkak të mungesës së kërkesës për kredi në tregun e brendshëm, por edhe të mungesës së projekteve bindëse nga biznesi.

E njëjta gjë po ndodh edhe me bizneset  e tjera private. Revista “Monitor” jepte para pak kohësh një pasqyrë të qartë të asaj që po ndodhte me biznesin, përsa i përkiste tendecës së disa sipërmarrjeve të huaja, por edhe vendase për ta zhvendosur aktivitetin në vendet përreth nesh, me kushte tregu më të përshtashme. Midis të tjerash kjo revistë sjell në vëmendje të lexuesit rastin e kompanisë së prodhimit të mobilieve “F.P.M” sh.p.k., që prodhimin e saj me destinacion eksportin në tregun amerikan, të cilin deri para pak muajësh e zhvillonte përgjatë autostradës Tiranë-Durrës, tani e ka zhvendosur në një zonë të lirë në kufirin mes Serbisë dhe Rumanisë, sepse atje “…janë të përjashtuar për pesë vitet e para nga taksat dhe kanë marrë një kapanon në gjendje të mirë, kundrejt vlerës 1 euro”. Po kështu edhe kompania farmaceutike G.S.K (GlaxoSmithKline) ka publikuar vendimin për të kufizuar përfaqësinë në Shqipëri. Të njëjtën gjë ka bërë gjatë vitit të kaluar edhe një prej përfaqësive më të mëdha të tregtisë së cigareve. Nga ana tjetër tregun e huaj po e synojnë edhe kompanitë shqiptare. Kur sektori i ndërtimit filloi të përballej me një kërkesë të ngopur në tregun e brendshëm, disa prej kompanive të këtij sektori zgjodhën të investojnë në tregje të huaja, siç është rasti i ndërtuesit Hajredin Fratari në periferi të Romës, apo Fatos Pustinës që ndërtoi një kompleks të madh banimi në Sofje të Bullgarisë. Por daljet e sipërmarrjes së madhe private këto vitet e fundit, konsiderohen si “eksod”, jo vetëm për shkak të numrit të lartë të tyre, por edhe për të përkeqësimit të klimës së biznesit dhe rritjes së ngarkesës fiskale në vend. Fjala vjen, vetëm numri i sipërmarrjeve italiane ka rënë aktualisht në 872 nga 1643 që ishte në fund të vitit 2013. Shumë domethënës ishte në këtë drejtim edhe një studim i biznesit gjerman në Shqipëri. Ky studim tregonte se në vitin 2013, 80% e investitorëve gjerman ishin të kënaqur me klimën e biznesit në vendin tonë, ndaj do t’i investonin këtu fitimet e tyre, kurse vitin e kaluar 67% e tyre ishin të pakënaqur me klimën e biznesit në Shqipëri, duke menduar për t’i transferonin jashtë fitimet. Po kështu edhe shumë profesionistë të spiktuar të fushës së ekonomisë vrejnë, se kompanitë vendase dhe të huaja po preferojnë t’i investojnë jashtë fitimet e tyre.

Aktualisht ekonomia shqiptare po përjeton një situatë deflacioniste. Inflacioni bazë, ai i cili përjashton ushqimet dhe naftën nga llogaritja, është sakaq negativ. Taksat janë rritur me rreth 500 milionë euro në 3-4 vitet e fundit. Rënia e konsumit dhe nivelit të jetesës është e qëndrueshme dhe me bazë të gjerë. Specialistët më të mirë të fushës nuk kanë një afat të afërt, se kur ekonomia dhe çmimet mund të rikthehen në ekulibrin e duhur, ndërkohë që 2017-a përjashtohet si një mundësi e tillë, për shkak se është vit zgjedhor. Në këto kushte, të paktën edhe për disa muaj, rënia e çmimeve do të vazhdojë të prodhoj një konsum të plogësht dhe kapacitete të papërdorura prodhuese në ekonomi, duke gjeneruar një rritje ekonomike nën potencial. Papunësia, deflacioni, mosshfrytëzimi i kapaciteteve ekonomike, produktiviteti skandaloz, etj., nuk janë çështje të importuara, por pasojë e një drejtimi empirik dhe diletant të ekomonisë sonë kombëtare. Sipas të dhënave të INSTAT, për vitin 2016, konsumi privat, i cili llogaritet në rreth 9 miliard euro, ka rënë. Rënia e konsumit konfirmohet dhe nga trendy rënës i çmimeve. Nga totali i parave që shqiptarët kanë fituar vitin e kaluar, rreth 9 miliradë euro i kanë konsumuar, 4.7 milirdë euro i kanë shpenzuar për importe mallrash dhe shërbimesh, ndërkohë që kanë investuar vetëm 2.7 miliardë euro. Kësisoj pesha specifike e konsumit në atë që quhet PBB është shumë e lartë; pra gati 80 për qind.

 

Këto shifra janë të mjaftueshme për të treguar se ndodhemi në një vorbull të rrezikshme stanjacioni dhe krize ekonomike, për të cilën shqiptarët, sipas një zondazhi të NDI, në përgjithësi fajsojnë mazhorancën qeverisëse të katër viteve të fundit, e cila tani është hedhur e ndarë në fushatë, me objektiv final, se kush prej tyre, PS apo LSI “do të dalë forcë e parë”. Kreu i PS-së, Edi Rama, po pohon se nuk e kanë lënë të qeverisë si duhet aleati i tij. Ky është një justifikim i rëndomtë i tipit “buono per Albania”, pavarësisht pozitës së vështirë në të cilën e vendos atë mungesa e realizimit të programit qeverisës. Është absurde të mendosh, se si një ministër apo një drejtor i përgjithshëm mund të pengojnë ekzekutivin dhe kryeministrin përkatës në realizimin e programit qeveritar!?… Po të qe e vërtetë një gjë e tillë, nëse kryeministri nuk donte t’i çonte përpara ligjit këta “sabotatorë”, atëherë, pse ai nuk e prishi koalicionin qeverisës dhe të kalonte në zgjedhje të parakohshme? Apo ka menduar si shitësi i Ernset Koliqit: “U shitnë a s’u shitnë flamujt, qëndroi a s’qëndroi Shqipnija, unë kam mjaft shyqyr, me jetue. A more vesh, e tash jashtë…”. Nga ana tjetër si mund të thuhet në fund të mandatit një gjë e tillë? Këto s’janë gjë tjetër veç “bejta” të tharta si kumbullat e papjekura. Janë ca sjellje tipike të udhëheqësve tanë politike, që kanë dashur të bëjnë parti dhe jo Shqipëri nëpërmjet zgjedhjeve, duke arritur deri në manipulimin e tyre. Analistë të ndryshëm mendojnë, se duke përjashtuar zgjedhjet e 22 marsit 1992, të cilat u çertifikuan nga ndërkombëtarët si “të lira dhe të ndershme”, Shqipëria e mbylli këtu kapitullin e zgjedhjeve me standarde demokratike. Gjithë të tjerat, pastaj, kanë synuar devijimin e vullnetit të votuesve tanë në interes të konsolidimit të partisë dhe jo të ekonomisë e të Shqipërisë.

 

Kësaj psikologjie i duhet thënë ndal në zgjedhjet e 25 qershorit, pavarësisht se tendeca për të bërë parti në kurriz të Nënës Shqipëri është i dukshëm. Është momenti që zgjedhësit ta refuzojnë me votë flamurin e partive dhe t’i bashkohen flamurit tonë të përbashkët, kuq e zi, duke e hedhur vështrimin edhe në histori, se kush parti ka bërë më shumë për vendin e vet në këto 27 vjetë. Faktet e deritanishme tregojnë se kanë qënë kryesisht demokratët apo të djathtët shqiptarë, ata të cilët kanë ardhur në pushtet mbi bazën e programeve të mirëfillta qeverisëse në shërbim të qytetarëve dhe përparimit të vendit, pa tensione si në ’97-ën apo pa makinacione si në 2013-ën. Kujtojmë këtu zgjedhjet e 92-shit, të ‘05-ës apo ’09-ës, ku nën pushtetin e demokratëve, u bë disi edhe Shqipëri, sepse u kryen reformat dhe investimet më të rëndësishme për zhvillimin dhe integrimin euro-atlantik të ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare përgjatë gjithë viteve të tranzicionit. Tashmë është lideri demokrat, Lulzim Basha, i cili shpreson, që duke respektuar këtë traditë pozitive në zgjedhjet e 2017-ës, ta rikthej të djathtën në pushtet nëpërmjet rikthimit së pari, të besimit dhe shpresës tek “…politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve”, siç thotë ai. Natyrisht ai ka një program reformash politiko-ekonomike të hartuar në kuadrin e mbështetjes që Fondacioni Conrad Adenauer pranë CDU-së i ofron PD-së, që në kushtet në të cilat ndodhet Shqipëria, mund të konisderohet një model i ri “Ostpolitik” i shtetit më demokratik dhe më të fuqishëm të Europës dhe botës për vendin dhe qytetarët tanë, në çdo pikpamje. Madje Basha kështu shkon më tej se paraardhësit e vet, duke ju referuar edhe përvojave më të mira që ka bota perëndimore në këtë drejtim, për të ndërtuar një program qeverisës sa më realist, sa më konkret, të matshëm dhe të mundshëm për t’u realizuar në çdo pikë të tij. Ulja e TVSH-së në masën 15 për qind, taksa e sheshtë 9 për qind, pensione jo më pak se 25 000 lekë, lehtësi e financime për shkollimin e të rinjve, investime dhe subvencione për bujqësinë dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, ndërtimi i korridoreve rrugorë me ritmin e qeverisë së kaluar të demokratëve, e kështu me radhë, janë disa prej pikave të këtij programi integrues. Ndaj, nuk duhet humbur më kohë për t’ua prezantuar atë qytetarëve në mënyrë që në fund të mandatit qeverisës të demokratëve, të mos i referohemi sërish sarkazmës therëse, “posi… u bë Shqipnija”, me të cilën i famshmi Ernest Koliqi, e nis tregimin e tij të njohur, “Tregtar flamujsh”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here