Nga Brikena Bogdo
“Humbjen e paralajmëruar”, “dështimin e paralajmëruar”, taksimin progresiv, Rama e kthen gjithmonë e më pak në memorjen e shqiptarëve. Taksimi progresiv, për kryeministrin, nuk është më, një pikë e fortë në programin e tij elektoral. Ai, pothuaj nuk e prek, këtë pikë tepër nevralgjike të ekonomisë. Në të kundërt, në programin elektoral “Rama” 2013”, dominonte taksimi progresiv. Në dallim nga një krizë e thellë ekonomike shqiptare, rotondat e tij elektorale, të pasura dhe të shndritshme vizualisht, por jo idealisht, fokusohen në batuta dhe tallje për kundërshtarët, duke anashkaluar, thelbin e progresit të një shteti, fuqinë ekonomike. Askush nuk dëgjon, sot, kryeministrin, të dalë dhe të shprehë përpara shqiptarëve për suksesin me taksën progresive. Fuqia e programit të përpara katër viteve, taksimi progresiv, është zhdukur si me magji, nga diskursi i kryeministrit. Të pohosh, me mohim. Duke mos e prekur më këtë temë, ai po pohon dështimin e tij, apo minimalisht, mossuksesin në taksimin majtist.
Në të kundërt, taksimi është shndërruar në fuqinë e ringritjes së PD-së. Këtë po kupton kryetari i PD-së, Basha, i cili po rikthen në memorjen e shqiptarëve, ato politika ekonomike dhe fiskale, që konservuan në një përqindje të konsiderueshme Shqipërinë, nga kriza ekonomike botërore e pas vitit 2008. Me taksimin progresiv, Rama realizoi, atë që programi ekonomik i PD-së shmangu përgjatë qeverisjes së vet, krizën ekonomike. Xhepat e shqiptarëve janë më bosh se kurrë, ata janë më të varfër se kurrë. Shqiptarët janë më të depersonalizuar se kurrë, dhe për pasojë, më të drogëzuar se kurrë. Droga shqiptare, që ka zaptuar hartën europiane dhe botërore, është pasojë pikërisht e një shkaku të vetëm, varfërisë.
Winston Churchill, një liberal anglez, burrështetas, mbështeste idenë që barazia në shoqëritë e socializmit real, ishte tek varfëria. Bëhej fjalë për ato shoqëri, që shpërndanin, në mënyrë të barabarë, mizerjen. Shtete si Amerika dhe Anglia, e shikojnë pasurinë si një bekim hyjnor, që të udhëheq drejt progresit. Problemi është, që sot, të majtë, në Shqipëri por, edhe më gjerë, po godasin themelet e ideologjisë së tyre, pikërisht barazitizmin, sidomos tek politikat fiskale.
‘Taksim i drejtë”, jo “taksim i zhdrejtë”, shprehej Rama. Por, në thelb, mbetet e njëjta ideologji, t’jua marrësëh të pasurve, t’ua shpërndash të varfërve. Ky koncept ka dështuar katërcipërisht, jo vetëm si populist dhe demagogjik, por edhe si një nga thelbet e krizës ekonomike. Taksimi, është thembra e Akilit, e një alternative të suksesshme, apo të dështuar. Rama, po dështon në qeverisjen e tij, duke thelluar varfërinë në vend, si pasojë e politikës fiskale që ndoqi. Liri-barazi, themeli i revolucionit francez, koncept mbi të cilën u ngritën shumë shtete majtiste europiane, cënohet nga taksimi progresiv, pasi prek pikërisht barazinë, olimpin ideologjik majtist.
Taksimi 10%, që ishte taksim i sheshtë, e ruajti barazitizmin shumë më tepër, se sa taksimi progresiv. 10%, taksohej si biznesi i vogël, ashtu edhe i madhi. Sigurisht, 10% e biznesit të madh siguron, për buxhetin e shtetit, një shumë më të madhe, se 10% e biznesit të vogël. Ja ku iu morr atij, që fiton, më shumë para nga taksat. Por, të taksosh njërin 10% dhe tjetrin 23%, ke cënuar rëndë barazinë. Koncepti i revolucionit francez, të gjithë të barabartë përpara ligjit, përpara shoqërisë, përpara shanseve ekonomike, politike, përse u trasformoka, pikërisht përpara parasë? Koncepti i lirisë së ushtrimit të të drejtave të individit, në ushtrimin e profesioneve, (p.sh, politikat fiskale për profesionet e lira, hartuar nga qeveria përpara disa kohësh, ndaj së cilave pati shumë kontestime) përse deformohet përpara parasë?
Taksimi i sheshtë, ndonëse u aplikua nga një qeveri, në letër e djathtë, pati shumë benefice, pasi të gjithë kishin mundësi ta paguanin. Duke qenë në limite të taksimit, thithi investitorë, buxheti u rrit, fisku mblodhi më shumë të ardhura se kurrë. Të ardhurat fiskale, me politikat fiskale, drastikisht të gabuara të Ramës, kanë qenë më të ultat e mundshme, të cilat paralajmëruan dështimin e qeverisë.
Taksim i drejtë vs taksim i zhdrejtë, mbeti demagogji. Koncepti i drejtë, apo i zhdrejtë ndryshon, në vende dhe kohë të ndryshme. Ai taksim, që për pushtetarët ishte i drejtë, për shqiptarët rezultoi i zhdrejtë, pasi i varfëroi, deri në kockë. Nuk është fatkeqësisht problem shqiptar, por e ideologjisë majtiste. Politikat e gabuara fiskale të ish-presidentit francez, Holland, i cili taksoi të pasurit progresivisht, pati efekte drastike negative. Një pjesë të pasurish francezë u larguan nga vendi i tyre, ekonomia franceze u dobësua dhe presidenti Holland, konsiderohet ende, ndër presidentët më të dobët që ka patur ndonjëherë Franca.
Politikat sociale, rishpërndarja e parasë për të mira sociale, në fakt janë shndërruar në burim pasurimi të paligjshëm dhe të shpejtë, hajdutëri dhe kusari të pushtetarëve. Efekti? Krizë parash, të ardhurash, punësimi, pra krizë globale. Barazia faktike dhe sociale mund të realizohet edhe me vetëm lirinë. Aty, ku nuk ka liri, nuk ka as barazi. Liria temperohet, me drejtësinë sociale. Socializmi real, duke niveluar gjithçka, dhunon dhe shtyp, faktikisht mohon njeriun, natyrën e tij dhe lirinë. Kur pabarazitë ekonomike, sociale, politike kanë prekur pikën e rrezikshme, është votuar Thatcher, në Angli, apo Reagan në Amerikë. Së fundi kemi rastin “Trump”, pasi analistët pajtohen, që një nga arsyet, për të cilën u votua masivisht ishte thellimi dhe tejkalimi i kufirit të pabarazisë, në shoqërinë amerikane.
Rama shprehet në një emision televiziv, se nuk ka asnjë ideologji, por ka ideale. Ideali mund të jetë vizion, por jo realitet. Ideologjia e ka një program, ku mbështetet për të arritur qëllimin. Ky është thelbi i krizës së tij, si kryeministër, apo si shtetar. Të kesh vizione shtetari, është njëra anë, dhe të ngresh realitete të prosperuara, është ana tjetër. Ishin pikërisht këto realitetet të prosperuara, që iu munguan shqiptarëve. Këtu dështoi kryeministri Rama, pasi ngriti realitete të dështuara. Mbase kryeministri kërkon të paraqitet idealist, kur sot, më tepër se kurrë, shqiptarët kërkojnë të shohin një figurë, që u parashtron realitete konkrete, të arritshme, të dukshme, të prekshme. Shteti për kryeministrin mund të jetë ideal, për shqiptarët është realitet, ku përplasen çdo ditë, për problemet e tyre ekonomike, sociale, të jetesës dhe të mbijetesës.