Ministri i Transportit Sokol Dervishaj i është përgjigjur deklaratave të zëvendëskryeministres Ledina Mandija, e cila sot iu drejtua me një shkresë ku kërkonte informacione për 20 të punësuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave në harkun kohor të 20 ditëve.
Ministri Dervishaj shprehet në reagimin e tij se ka ngritur grupin e punës për të verifikuar këtë shqetësim dhe për marrjen e masave në varësi të shkeljeve që mund të konstatohen.
Për sa i përket shqetësimit tjetër se punonjësit e Drejtorisë së Hekurudhave po detyrohen të shkojnë në takime elektorale, ministri i LSI-së bën thirrje që të denoncohet çdo rast i tillë pranë organeve kompetente.
DEKLARATA E PLOTË
Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj, pasi u njoh me shqetësimin e zv.kryeministres, bën me dije se ka ngritur grupin e punës me qëllim verifikimin dhe marrjen e masave përkatëse, në varësi të shkeljeve që do të konstatohen.
Ministri Dervishaj, sqaron se do të dënojë çdo rast që do të rezultojë të jetë në kundërshtim me parashikimet e VKM 473 datë 01.06.2017, ndaj fton të gjithë punonjësit e Institucioneve qendrore apo të varësisë, të denoncojnë çdo rast presioni apo ushtrim ndikimi të paligjshëm të pushtetit, pranë organeve kompetente.