Ismail Morina apo ndryshe i njohur si Ballist Morina heroi i Dronit të Beogradit vazhdon të jetë i ndaluar në Kroaci prej disa ditësh, aty ku sot Gjykata e Dubrovnikut sipas informacioneve që disponon Opinion.al do të japë edhe masën e sigurisë.
Ballist Morina u ndalua tri ditë më parë në kufirin malazezo-kroat, fillimisht për kalimi të kufirit pa mjete identifikimi, por nga sa mësohet nga të afërmit e tij ndalimi i vërtetë ka të bëjë me një urdhër ekstradimi nga shteti serb i cili e kërkon për llogari të tij për ngjarjen e 14 tetorit 2015 në stadiumin e Beogradit gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri ku një dron me flamurin “Autochtonus” i ngritur sikundër u mësua më pas nga një shtetas shqiptar i vetëidenntifikuar si Ismail “Ballist” Morina, solli edhe ndërprerjen e ndeshjes.
Gazetari i “Opinion” Dritan Laci ka kontaktuar me Xhevahir Morinën vëllain e Ismail Morinën për të mësuar më shumë mbi atë që po ndodh me atë që deri dje e quanim “Heroin e Beogradit” por që sot shteti shqiptar sipas të afërmve të tij nuk është kujdesur aspak për ti dhënë ndihmë ligjore në këto momente të vështira, ku ekstradimi në shtetin serb mund ti rrezikojë edhe jetën.
Jo vetëm kaq, por sipas vëllai të tij, shteti është përgjegjës edhe për faktin që ka mëse dy vite që e ka lënë pa mjete identifikimi, çka e detyroi së fundmi të merrte një rrugë e cila mund të rezultojë fatale për lirinë e tij.
“Ismaili erdhi në Shqipëria nga Italia më datë 3 qershor, pasi babai ynë ndërroi jetë nga një infarct I zemrës. Për të nuk ishte e lehtë të vinte, pasi prej shumë kohësh shteti shqiptar I mban të bllokuar pasaportën, për arsye që tashmë dihen. Babai u varros me datë. Sipas zakoneve tona ne presim njerëz deri në të pestat. Duhet të sqaroj se Ismaili ka hyrë në Shqipëri nga Rinasi, me një letër të marrë në konsullatën shqiptare në Milano. Ai ka lënë në Itali gruan italiane me origjinë arbëreshe që aktualisht është shtatzanë dhe dy fëmijët. Pasi ka mbyllur zakonet e mortit, unë dhe Ismaili jemi nisur për tu kthyer në Itali nëpërmjet rrugës tokësore nga Mal I Zi e më tej në Kroaci, Slloveni për të dalë në kufirin me Italinë në veri”.
Në kufirin me Malin e Zi duket se kanë filluar edhe problemet e para serioze për Ismail Morinën.
“Sapo kemi kaluar në doganën malazeze ndaj nesh ka filluar një terror I vërtetë. Ismaili ka pasur me vete lejeqëndrimin italian. Autoritetet malazeze sapo panë emrin Ismail Morina filluan ti bëjnë pyetje nga më të ndryshme provokuese. Madje i grisën edhe një bluzë të ekipit të Kukësit që ja kishin dhuruar tifozët me rastin e shpalljes në kërkim. Aty kuptuam që malazezët e njohën Ismail Morinën. Pasi na mbajtën një kohë të gjatë për kontroll na lanë të lirë, por një makinë policie na ka shoqëruar për afro 20 km ne territorin malazez. Kur kemi menduar se kemi shpëtuar dhe po I drejtoheshim kufirit kroat aty më pas ndodhi ajo që nuk e prisnim. Në doganën kroate Ismaili nuk u la të kalonte më tej, ndërsa unë po. Arsyeja ishte një urdhër ekstradimi nga Serbia. ”