Incidentet në fushatë, kreu i KQZ apelon: Të zbardhen aktet e dhunës, roli që duhet të kenë politikanët

0
203

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri në një konferencë për shtyp jep një mesazh pas incidenteve të fundit gjatë fushatës, ndërsa kërkon që institucionet përkatëse t’i zbardhin ato.

“Shpreh shqetësimin tim të thellë lidhur me disa incidente të bëra publike në media, gjatë fushatës zgjedhore. Kjo fushatë në tërësinë e saj ka pasur një klimë të qetë dhe besoj se këto raste do të mbeten të izoluara.

Përfitoj nga ky moment për të drejtuar një apel publik për të gjithë votuesit apo simpatizantët e partive politike, për t’ u distancuar nga çdo veprim i dhunshëm që bie ndesh më të drejtat dhe liritë e individit dhe kuadrin ligjor për zgjedhjet në veçanti.

Respektimi i vullnetit të lirë të çdo qytetari është standardi kryesor që ne duhet të plotësojmë në çdo fazë të procesit zgjedhor. Është shumë e rëndësishme që të arrijmë standardet më të larta zgjedhore, pasi ato janë elementi kryesor për përshpejtimin e proceseve integruese drejt familjes europiane.

Zbatimi me rigorozitet i gjithë kuadrit ligjor që buron nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe ligjet e tjera që lidhen me procesin, dhe përmbushja me sukses e gjithë rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, mbeten detyrë thelbësore e çdo subjekti zgjedhor dhe agjencive ligjzbatuese, të cilët jo vetëm duhet të mos përfshihen politikisht në fushatë, por duhet të veprojnë me transparencë për zbardhjen e plotë të çdo incidenti. Zbardhja e plotë, e shpejtë dhe me transparencë e çdo incidenti, do të nxirrte në pah të vërtetën e do të shmangte çdo keqpërdorim të tyre”,- u shpreh Zguri.

Duke kërkuar të arrihen standardet maksimale në këto zgjedhje, Zguri apeloi që edhe politikanët të tregojnë maturinë e duhur.

“Legjislacioni në fuqi e përcakton në mënyrë të qartë rolin e çdo institucioni në proceset zgjedhore, e në mënyrë specifike të institucioneve me rëndësi të veçantë, me qëllim që veprimtaria e tyre të mos bëhet pengesë për zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të drejta, transparente dhe demokratike.

Jam besimplotë se liderët politikë të të gjitha subjekteve zgjedhore do të ndërhyjnë në mënyrë energjike për të shmangur çfarëdo klime tensioni dhe të rrisin besimin e çdo simpatizanti dhe shqiptari te procesi zgjedhor. Është koha të dëshmohet maturi dhe seriozitet”,- tha ai

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here