Kryedemokrati Lulzim Basha në fushatën përmbyllëse në qytetin e Fierit, deklaroi se shqiptarët e kanë paguar shtrenjtë çmimin për të parë estradën, që sipas tij ofron kryeministri aktual Edi Rama.
Duke premtuar ndryshimin, që vjen nga ekonomia e fortë, në themel të programit të PD-së, siç tha ai.
“Koha e cirkut, talljeve dhe përbuzjes së shqiptarëve do marrë fund njëherë e mirë me votën tuaj për numrin 6. Estrada e fundit sikur të ishte falas do ishte mirë, por mos harroni, estradën e keni paguar shtrenjtë, plot 16 mld euro në 4 vite. Mos ja falni, ndëshkojeni me votë. Edi Rama nuk beson tek plani im ekonomik ai beson tek taksat e larta, fasadat dhe palmat. Belbëzon, i merret goja, i merren gjunjët, e keni parë si shtrihet në skenë, flet për gjithçka, përveç ekonomisë, punësimit”,- tha kryedemokrati.
“Nga Fieri le ta dijë Rama dhe Meta se reformën në drejtësi nuk e ndal dot askush, se institucionet e forta shtetërore që ndihmojnë e nuk godasin qytetarët do jenë edhe më të forta nën republikën e re. Në 25 qershor do kemi një republikë të re me taksa të ulëta apo një si kjo që shkatërron? Kjo s’është më çështje timoni, por çështja e motorit që është për një ekonomi të sigurt. Timonin e vërtetë kurrë nuk do ta ketë as Edi Rama as një tjetër. Me mua kryeministër timonin e fatit, punës, jetës do ta keni në duart tuaja”,- tha Basha para qytetarëve.