Ndër kriteret e ndryshme që kemi themeluar për të përcaktuar superioritetin apo inferioritetin, cilësinë apo mungesën e saj, vlerën apo dobësinë e një shoqërie, është kriteri i mënyrës se si elitat formohen, qarkullojnë dhe përmbysin paraardhëset e tyre duke iu zënë vendin në një garë e cila duhet të jetë gjithmonë publikisht e hapur. Kjo garë është ajo që mat pulsin e gjallërisë së një grupi jo të vogël njerëzish që bazuar në disa premisa dhe qëllime të përbashkëta e ka konsideruar vetveten shoqëri.
Ajo është e përbërë nga disa të tilla, dy më të rëndësishmet e së cilës janë ajo politike dhe ajo akademike. Burimi i çdo të keqeje është kur këto te dyja ngrijnë, ngurtësojnë dhe përjetësojnë pozicionet e tyre duke pretenduar pafajshmërinë e përbashkësimit të fateve personale me ato të karrierës, prestigjit, pushtetit.
Ky zinxhir me dy hallka gjen mundësinë e artë të forcohet në shoqëritë totalitare ku e drejta e bindjeve të ndryshme dhe formësimi i ekzistencës sipas tyre është i ndaluar në emër të unifikimit me atë që cilësohet si doktrina standarde dhe e padyshimtë e elitës ekzistente. Për këtë arsye cilësojmë se komoditeti intelektual i një grupi njerëzish arrihet vetëm atëherë kur ata deklarohen të lirë për të ballafaquar dhe përplasur bindje-kuptimet dhe të vërtetat në një të atillë mënyrë dhe liri sa të shndërrohen në oferta dhe modele kulturore për pjesën e mbetur të shoqërisë, e cila natyrshmërisht nuk disponon as inteligjencën dhe as dëshirën për t’u bërë pjesë e kësaj nisme të vështirë dhe dobiprurëse.
Sipas kësaj shprese, individëve iu lejohet të përfaqësohen në betejën e tezave dhe komentimit të dukurive të vetëm, si njerëz të pavarur dhe mendimtarë të lirë, apo të grupuar në rrethe ndërtuar prej individëve që ndajnë të njëjtat bindje dhe punojnë për projekte të përbashkëta. Ajo që më së shumti ndodh e tek e cila ka edhe më tepër begati, është mënyra e të menduarit dhe përballimit të ekzistencës në grup, ngase konsulta, këshillimi dhe diskutimi i ndërsjelltë, bazuar në sinqeritetin dhe qëllimin për të përmirësuar bindjet, bën të mundur krijimin e zonave në të cilat mund të lindin shkëndija të cilat me kalimin e kohës dhe shtimin e përpjekjeve zmadhohen dhe tejkalojnë në cilësi dhe masë bindjet fillestare të marra si premisë duke i shpënë ato në një nivel të ri, të ripërtërirë, gjithëpërfshirës.
Në terma teorike, ky mekanizëm i artë duket krejtësisht i mbërritshëm dhe me shikim të lirë na jep përshtypjen se është mungesa e mençurisë apo e dëshirës ajo që nuk prodhon dot dituri të reja përkthyer në oferta dhe mundësi për të gjithë ne. Por nuk është kaq e thjeshtë. Duke qenë se jemi në nivel konceptual dhe po abstragojmë duke ndjekur një vijë deduktive arsyetimi jemi të detyruar të shpallim një kusht bazë, pa të cilin nuk mund të hedhim asnjë hap: rrugët, metodat dhe mundësitë e artikulimit të tezave duhet të krijohen vetvetiu, shpërthyer prej intuitës, marrëzisë apo insistimit të palodhur të individit i cili beson fort se arsyetimi i përfytyruar, por ende i paartikuluar, nesër mund të reflektojë një formësim të konceptimit të botës apo dukurive të saj sipas një forme krejt të re dhe të dobishme, apo vijues dhe përmirësues i një trajte më pak të strukturuar të një teze paraprakisht ekzistente; është pikërisht kjo e drejtë për të zbuluar e shpikur shtigje të reja ajo që mundëson praninë e lirisë dhe dinjitetit intelektual mes qytetarëve.
Pra në hapësirën boshe e të lirë nisja e ndërtimit të tezave përmes gjetjes së natyrshme të rrugëve i shpie ato në destinacionin për të cilën pashmangshmërisht janë nisur: të përcaktojnë vlerën e tyre duke u përplasur me njëra-tjetrën jo me qëllim poshtërimin e kundërshtarit, por ftesës së tij për të udhëtuar së bashku drejt gjetjes së një doktrine, grupvlere dhe botëkuptimi absolut, gjetje pas së cilës do të shpërbleheshin që të gjithë. Por këto efekte mund t’i kemi vetëm nëse përmbushim kushtin që përmendëm, vetëm nëse hapësira përpara nesh është boshe dhe na mundëson që gurthemelin e arsyetimit ta hedhim në kushte egërsisht të lira.
Nëse kjo nuk ndodh, atëherë rrezikohet e kundërta: rrugët janë të dhëna, paraprakisht të ravijëzuara, pazgjidhshmërisht të instalura. Arsyetimeve, shkëndijave, reflektimeve tona detyrohemi që që në krye të herës t’u japim jetë bazuar në një ndër modelet e dhënë e të pranishëm në qarkullim, kanalizim të cilin nuk duhet ta lejojmë të na mashtrojë me joshjen e një pune gjysëm të bërë, por duhet të na shkaktojë dyshim të lartë se mos ndoshta është një kurth për të na ndarë që në fillim nga origjinaliteti dhe çiltërsia, premisa bazë për suksesin e një pune intelektuale.
Për ta thjeshtësuar disi, mund të na vijë në ndihmë një shembull ilustrues: kur arkitektëve iu duhet të skicojnë një rrugë kodre relievi i së cilës është i vështirë, atyre u vjen në ndihmë dhuntia e lindur e një kafshe të urtë siç është gomari. Gomarit i jepet liri e plotë që të vëndosë (përcaktojë) se cilat janë shtigjet më të përshtatshme në të cilat arkitekti mund të përfytyrojë rrugën e tij.
Duke ndjekur më të lehtën e mundshme nëpër monopatin e vështirë, ai me anë të instiktit të lindur përcakton atë që më vonë do të jetë rruga e asfaltuar. Është ekzaktësisht kjo liri e plotë që i jepet gomarit arsyeja përse ai na shpërblen kështu. Por nëse arkitekti do të kishte ndonjë ide paraprake se cilat do të ishin shtigjet më të mira dhe do t’ia ilustronte gomarit duke i ardhur në ndihmë me anë të piketave apo udhëzimeve, atëherë dyshojmë se kjo me siguri do ta ngatërronte kafshën e gjorë ngase duke mos qenë i lirë por i sugjestionuar dhe i nxitur për së jashtmi, do të përshkruante një itinerar të cilin në kushte lirie vështirë se do ta zgjidhte.
Në këtë kuptim, elitat politike dhe ato akademike duhet të vihen përballë dy detyrimeve: së pari të mos ushtrojnë presion ndaj asnjë invarianti alternativ i cili rreket t’i përmirësojë apo edhe t’i zëvendësojë ato dhe së dyti të kenë si qëllimin e tyre kryesor ripërtëritjen e vetvetes dhe përulësinë e hapjes së rrugës për versionet potencialisht superiore. Por kjo ndodh rrallë dhe shumica e shoqërive nuk e disponojnë këtë mundësi duke u reshtuar kështu në grupin e madh të shoqërive të këqija.
Rasti ideal dhe shembulli që e ilustron më tepër këtë anomali të shoqërisë, është ekzistenca e të ashtuquajturave “xhemate” në shoqërinë turke. Fjala xhemat do të thotë “bashkësi” e ndërtuar nga pjesëtarë të cilët ndajnë një grup të caktuar bindjesh dhe rregullash, shenjtëria dhe objektiviteti i të cilave konsiderohen të shtrenjta deri në atë farë pike sa konsiderohen të panegociueshme.
Arroganca e kësaj mungese negociimi nuk ka të bëjë aspak me vlerat burimore apo thelbin doktrinor të njërës apo tjetrës lëvizje, por ka të bëjë me rregulla dhe kërkesa të instaluara artificialisht me qëllimin e vetëm të ndërtimit të një forme dhe strukture të bashkësisë sa më të ndryshme nga simotrat e saj. Sipas kësaj logjike së cilës duhet t’i nënshtrohet me një vijueshmëri të rreptë cilido që dëshiron të bëhet pjesë e lëvizjes, prurjet e reja në xhemat (bashkësi, strukturë) mund të bëhen pjesë e tij vetëm nëse pranojnë metodologjinë e paradhënë, mënyrën e dhunuar të arsyetimit të dhuruar dhe dorëheqjen pa kushte të ndonjë dhuntie origjinale.
Bashkësitë janë themeluar nga një themelues i cili që në fillim e ka konceptuar lëvizjen e tij si një sferë influence brenda shoqërisë. Ato kanë një frymë rreptësisht fetare nga njëra anë, por tërësisht të dëmshme dhe në kundërshtim me atë që ne quajmë dhe njohim si “fetare” nga ana tjetër. Elasticiteti dhe gjithëpërfshirshmëria që karakterizon hyjnoren kur ajo u mvishet dhe praktikohet nga kultura dhe qytetërime të ndryshme, nëpër bashkësitë në fjalë shkatërrohet qëllimisht duke u lënë gjysmake, e ngurtë dhe jo bindëse.
Të detyruar të mendojnë, besojnë dhe veprojnë në përputhje të plotë me udhëheqjen e bashkësisë, pjesëtarët e saj paguajnë faturën e shijimit të shoqërisë me ngjyra bardhë e zi, të mungesës së plotë të zgjedhjeve, të heqjes dorë nga individualiteti i tyre. Numri i stërmadh (në Republikën Turke janë të pranishme qindra) e shndërron marrëdhënien mes tyre në një marrëdhënie armiqësore, armiqësi e cila synon të arrijë asgjësimin e të ngjashmeve ku rrjedhimisht secila do të zgjerojë territorin e saj të veprimit.
Që kjo luftë të niset dhe të mbahet e gjallë duhet një ekonomi e fortë dhe burime të mëdha njerëzore. Shndërruar tashmë në një luftë për pushtet ekonomik, status privilegjues dhe prestigj, këto bashkësi forcohen aq shumë sa shndërrohen në një kërcënim edhe për stabilitetin politik. Aq më i rreptë të jetë vetëpërforcimi i reshtave, aq më i madh suksesi; sa më shumë qytetarë ta përqafojnë lëvizjen, aq më e madhe do të jetë kasaphana e vlerave, veçantësive, ndryshueshmërive.
Kësisoj, duke u fuqizuar progresivisht me anë të shoqatave, shkollave, konvikteve, universiteteve dhe botimeve këto bashkësi shndërrohen në oferta suksesi për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, veçanërisht për të rinjtë. Joshja është e lartë kur fuqia e tyre arrin deri në atë pikë sa arrijnë të integrojnë njerëzit e tyre në çdo hallkë të shoqërisë deri në politikë. Në këtë çast në rast gjetjeje të gjuhës së përbashkët me pushtetin, ato bashkëqeverisin me pushtetin në fasha të ndara shoqërore.
Ne rast armiqësie, janë në luftë të vazhdueshme dhe klima shoqërore që prodhohet prej kësaj është ajo e një lufte civile. Për ata që e kuptojnë, është pikërisht kjo arsyeja se përse Turqia është vendi i grushteve ushtarake të shtetit si një shembull i pangjashëm në botë. Për pjesën dërrmuese të rasteve (një përgjithësim total e kemi të pamundur ta bëjmë) e vetmja rrugë për sukses është përqafimi i një ndër lëvizjeve, përfshirja në një bashkësi dhe nënshtrimi i plotë pa kushte.
Pësimi i trysnisë së autoritetit, devotshmëria e zellshme ndaj rregullave strikte dhe zhdukja e dinjitetit intelektual është rruga më e shkurtër për të mbërritur suksesin dhe për t’u bërë pjesë integrale e shoqërisë duke zënë një punë, duke mbuluar një territor, duke fituar një funksion. Sipas nesh kjo mënyrë është tërësisht e papranueshme, e dëmshme dhe rrënuese për integritetin dhe dinjitetin e qytetarit. Është pikërisht ky përrua arsyetimi i cili nuk na lejon të dalim nga shtrati, por të vijojmë me shoqërinë tonë, për hir të së cilës ne edhe po i shprehim këto konsiderata.
Ky rrezik i madh nuk është i huaj për ne. Fatmirësisht nuk kemi bashkësi fetare, organizime okulte apo lëvizje anarkiste, por kemi forumet rinore të partive, ekzistencës së të cilave jemi të detyruar t’u kushtojmë një rëndësi të posaçme. Me një skenë politike tashmë tripartiake dhe me moshën 18-vjeçare si minimalen për të votuar, sytë e partive janë kthyer fuqishëm drejt rinisë.
Vitet e fundit është vënë re një rritje e shpejtë e numrit të madh të të rinjve anëtarësuar nëpër forumet rinore të partive, anëtarësime të cilat janë aq të shumta saqë partitë kanë nisur të shprehen haptazi se pjesa më e rëndësishme e elektoratit të tyre janë të rinjtë. Kjo dyndje galopante nuk na lë shumë për të dëshiruar nëse kemi maturinë të pikasim se çfarë presin këta të rinj të përfitojnë nga gjithë kjo.
Sigurisht që shumica e tyre dërrmuese janë të diplomuar, një pjesë e konsiderueshme madje edhe studentë të ekselencës apo gjimnazistë që premtojnë shumë. Ndërkaq, kur i afrohen partisë (dhe këtu nuk ka rëndësi cila parti është sepse në këtë pikë janë të trija njësoj) përpara tyre shtrohen dy mundësi: ose të ruajnë dhe konfirmojnë origjinalitetin e zgjedhjeve, bindjeve dhe larmishmërisë së nuancave në simpatitë dhe antipatitë e tyre, në përputhje, natyrisht, me idealet e partisë; ose të heqin dorë nga gjithçka që kanë, qofshin rezerva, kritika apo dyshime dhe t’i nënshtrohen autoritetit të udhëheqjes si e vetmja mënyrë suksesi.
Në këmbim të vlerave dhe një rinie konkuruese, këto tri ngrehina të mëdha që qarkullojnë para dhe mekanizma pushteti shfarosin etjen e të rinjve për të ndrequr gabimet dhe për t’i ndërtuar gjërat sipas një skeme krejt të re, të ndryshme nga dominuesja. Madje sinqeriteti e do që të pranojmë me dhimbje se të rinjtë që iu bashkangjiten forumeve rinore të partive e kanë fort të qartë që kjo është e pashmangshme. Në këtë mënyrë diplomat që ata kanë marrë, dituritë që kanë përfituar, edukimi me të cilin janë kultivuar si njerëz tashmë pothuajse të rritur, shumëzohen me zero, zhvleresohen me dashjen e vetë atyre për t’u renditur krah liderit me qëllimin e vetëm uzurpimin e pushtetit. Shprehemi në këtë mënyrë radikale sepse të rinjtë e forumeve tona janë intelektualisht të tredhur, shpirtërisht bosh dhe vuajnë nga një mungesë e thellë inteligjence.
Kjo si pasojë e një mjerimi të përgjithshëm që na ka kapluar të gjithëve, por sidomos pikërisht nga zgjedhja që ata kanë bërë. Të tri forumet rinore militojnë si tri banda duke u përpjekur të thithin sa më shumë elementë të rinj.
Interesi i lartë i strukturave të partive për të pasur takime me adoleshentë që votojnë për herë të parë nuk është rastësor. Dhe kjo është ndër veprimtaritë më të shëmtuara, ndërtuar dhe planifikuar me një qëllimshmëri paraprakisht të ditur: t’i mashtrosh duke qenë ende 18-vjeçarë buzëqumësht duke u propaganduar demagogjitë e radhës mbi aftësitë mbinjerëzore të liderit shoqëruar me mbjelljen e urrejtjes për palën kundërshtare, e cila nga ana e saj bën ekzaktësisht të njëjtën gjë. Mbushja e zemrave të reja me boshllëk dhe padituri është qëllimi kryesor i ekzistencës së forumeve rinore të partive tona. Për këtë jemi të bindur mbështetur në vetë mënyrën se si hierarkitë e partive ekzistojnë.
Marrëdhënia e ngushtë e politikës me biznesin e madh, krimin dhe drogën, detyrimisht na shtyn të besojmë se të rinjtë hyjnë në punë vetëm si vota. Në këmbim të një vendi pune, telefoni të shtrenjtë apo edhe sqime të kotë duke bartur logon e partisë në gjoks, këto turma të verbra masive janë të stivosura si një baticë asgjësuese duke pritur në gadishmëri të plotë urdhërin për t’u shndërruar në mish për top e kokë turku në çastin e parë që partia do të ketë nevojë.
Ritheksojmë që është fort e shëmtuar ngase këto forume janë fuqizuar aq shumë sa të japin përshtypjen e tri ingranazheve rrethorë të lidhur zinxhir, të kapur fort drejt një qëllimi të përbashkët duke mbushur e plotësuar boshllëqet që detyrohen t’i lënë njëra-tjetrës në mënyrë reciproke e në trajtë ciklike si e vetmja rrugë për të ruajtur fuqinë edhe nëpërmjet sakrificës së një pushteti të ndarë.
Këto banda rinore bëjnë gjithçka për t’u zgjeruar dhe gllabëruar sa më shumë territor, territor i cili ndërkëmbehet mes tyre në podin tashmë trivendësh të pushtetit, herë me armiqësi të ashpër dhe shfrytëzim të të gjitha mjeteve, herë si një shfaqje teatrale në këmbimin ciklik të poltronave në pod. Rreziku i fuqizimit të këtyre ndërmarrjeve masive konsiston në ofertën asgjësuese që ato zotërojnë: merre dhe qëndro ose lëre dhe largohu nga vendi. Shprehemi kështu sepse është e vetmja rrugë e mbetur suksesi: politizimi i gjithçkaje publike dhe të pavarur ka krijuar një sistem në të cilin partitë kanë zemrën e luanit, zotërojnë asetet kombëtare dhe kanë marrë peng vendin. Por mesa duket, diçka kaq të thjeshtë të rinjtë tanë e kanë të vështirë ta kuptojnë.
Ashtu siç pjesëtarët e xhemateve turke janë të detyruar e njëherazi krenarë të lexojnë vetëm librat e themeluesit të bashkësisë, ashtu edhe lukunitë tona rinore mësohen të mendojnë vetëm në një mënyrë, të shpresojnë vetëm pushtetin, të urrejnë çdo gjë që kryetari i tyre urdhëron. Ky sterilizim i jetës shpirtërore dhe zhdukje e idealeve tek kjo grupmoshë e shoqërisë, është arsyeja kryesore se përse kryetarët e partive tona deklarojnë krenarë se të rinjtë janë rithemeluesit e Rilindjes, pionerët e Republikës së Re apo akoma më keq, prova e pakundërshtueshme se votat e partisë janë bio e të shëndetshme.
Me fjalë të tjera, më shumë sesa marrëveshjet e këqija apo përplasjet e rreme, e keqja më e madhe e këtij sistemi do të vazhdojnë të jenë të rinjtë të cilët me boshllëkun dhe fajësinë e tyre të turpshme po na sigurojnë edhe disa dekada të tjera si këto që kemi kaluar. Bazuar në këto premisa, e ardhmja nuk premton asgjë të mirë sepse në një shoqëri ku askush nuk pranon të jetë ushtar, por që të gjithë lakmojnë të bëhen gjeneralë, druhemi se mbathja me të katra është zgjidhja e vetme burrërore./Klajd Bylyku