Ministri i Brendshëm Dritan Demiraj i ftuar në studion e Ora News, në intervistën e parë në median shqiptare që pas zgjedhjes së tij në këtë post, tregoi zonat më të “nxehta” ku ka pasur incidente.
Demiraj: Ministria e Brendshme dhe Policia është e angazhuar maksimalisht. Tashmë në ditët e fundit, temperatura politike ngrihet maksimalisht. Ju e dini që ka pasur disa incidente dhe ne po punojmë të kapim autorët që i shkaktojnë në mënyrë që të zbatohet sa më shumë ligji.
Që nga momenti që kam marrë detyrën kam vizituar mbi 85 të drejtorive të qarqeve me qëllim bashkërendimin e punës sa më mirë, me qëllim jo vetëm të mbarëvajtjes së punës për zgjedhjet, por edhe prioritetin e qeverisë në luftën kundër kanabisit.
Policia e Shtetit ka identifikuar disa zona më problematika. Kemi pasur disa probleme në Pukë midis PS dhe LSI, në Lezhë, në Elbasan. PD ka pasur probleme në Berat sot. Kemi pasur rreth 19 vepra penale prekin zgjedhjet e lira, ku janë përfshirë 45 persona. Pesë janë arrestuar, 36 ndiqen në gjendje të lirë dhe 5 janë shpallur në kërkim.
Demiraj foli edhe për shkarkimin e tre shefave të komisariateve në Pukë, Peshkopi dhe Gramsh. Sipas Demirajt, kërkesa për shkarkim nuk është zbatuar ende nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Demiraj: Unë i kam bërë një propozim drejtorit të Policisë së Shtetit për shkarkimin e këtyre shefave të komisariateve, pasi në mënyrë të vazhdueshme kam pasur njoftime, kam pasur fakte në lidhje me përfshirjen e tyre në fushatën zgjedhore në mbështetje të subjektit të Partisë Socialiste. Në këtë kontekst, kjo ka qenë arsyeja kryesore që Ministria e Brendshme të organizojë disa takime në Qarqe me qëllim që të bëjmë të qartë të ashpërsia e ligjit, e vështirëson dhe rrit ndjeshëm dënimet për punonjësit e policisë që përfshihen në fushatë. Jemi duke identifikuar të gjithë personat që nga niveli i drejtorëve të Qarqeve dhe që në momentin kur do të bëjmë analizën, secili që është përfshirë do të përballen me forcën e ligjit.
Nuk janë shkarkuar pasi drejtori i Policisë së Shtetit nuk e ka parë të arsyeshme. Jemi në procesin e identifikimit të provave dhe pastaj pa dyshim që nuk ka asnjë lloj arsye që të mos bëj shkarkimin e tyre.
Kemi pasur disa raportime për Pukën, që po mbështet subjektin PS në bashkëpunim me kryetarin e Bashkisë. Po kështu edhe në Komisaratin e Peshkopisë. Jemi duke monitoruar çdo rast.
Pjesë të tjera nga intervista:
Shitblerja e votës -Demiraj: E vërteta e denoncimeve që kanë ardhur në adresën time janë rreth 137 raste. Le t’ia lëmë kohës dhe sa nga rastet do të zbulohen nga Policia. Janë në proces hetimi. Kanë qenë në Korçë, Elbasan dhe në Dibër.
Masat për zgjedhjet–Demiraj: Policia e Shtetit ka marrë masat për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Janë dy sete urdhrash, e para për mbarëvajtjen e procesit zgjedhore si shitblerja e votës dhe e dyta, në rast se kemi aktivizim të grupeve kriminale. Policia e Shtetit ka përforcuar masat ku mund të kemi incidente.
Zonat më vunerable- Demiraj: Elbasani, Lezha, Dibra, edhe Shkodra. Informacionet nuk mund t’i ndaj këtu pasi lidhem e sigurinë e efektivëve dhe mbarëvajtjen e hetimeve.
Persona nën vëzhgim –Demiraj: Sigurisht që kemi dhe jemi të vetëdijshëm. Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë. Policia e Shtetit nuk mban në mbikëqyrje ata që paraqesin rrezikshmëri jo vetëm për zgjedhjet, por edhe në prioritetet në luftën kundër terrorizmit, kanabisit, kundër trafikut. Policia e Shtetit është e mobilizuar për të gjitha këto.
Rrezik për sulmeve terroriste? –Demiraj: Jo! Besoj që jo! Këtë 1 muaj që kam qenë në Policinë e Shtetit kam parë struktura që nga komisariatet, strukturat, Policia e Shtetit është në rrugën e duhur.