Ministria e Shëndetësisë njoftoi pezullimin nga detyra të dy drejtorë spitalesh dhe një kryeinfermieri, pasi akuzohen se morrën pjesë në fushatën elektorale. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ka pezulluar drejtorin e Librazhit, atë të Tepelenës dhe kryeinfermieren e Kolonjës.
“Në zbatim të VKM-së, nr. 473, datë 01.06.2017, pika 4, për mospërfshirjen e administratës publike në fushatë elektorale, Ministria e Shëndetësisë ka pezulluar nga detyra:
Drejtorin e Shërbimit Spitalor Librazhd; Drejtorin e Shërbimit Spitalor Tepelenë; Kryeinfermierin e Shërbimit Spitalor, Kolonjë.
Ministria e Shëndetësisë sjell në vëmendjen e gjithë administratës VKM-n nr. 473, datë 01.06.2017 duke rikujtuar se monitorimi do të jetë i pandërprerë dhe masat do të merren pa mëdyshje ndaj çdo shkelje të ligjit deri në përfundimin e procesit zgjedhor”, thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Shëndetësisë.